|
Disa
të dhëna për pozitën gjeografike të komunës
së Preshevës
Komuna e Preshevës, me sipërfaqe prej 264 km 2, përfshin
fushën e Preshevës në mes, pjesë të malit
të Karadakut në perendim dhe të malit Rujn në
lindje. Fusha e Preshevës përfshin rreth 37,8%, Karadaku
45,4% dhe Rujni 16,6% të territorit të përgjithshëm.
Relacioni fushë-mal është 37,8 me 62,0.
Fusha e Preshevës, në veri është e lidhur
morfologjikisht me fushën e Bujanocit e në jug, nëpërmjet
të Kërruses së njohur të Preshevës, me
fushën e Kumanovës. Mali Karadak shtrihet, në perendim,
mes fushës së Preshevës dhe të Gjilanit, me
një varg majash shumë të bukura, nga të cilat,
sidomos, dallohet Ostrovica me lartësi prej 1168 metrave,
që paraqet majen më të lartë në territorin
e Komunës. Maja e Madhe (1034 metra) mbi Preshevë, Kodra
e Peçenës( 977 metra), etj.
Në Karadak është zhvilluar relievi karstik, ku
gjenden dy shpella të bukura: Shpella e Ilincës dhe
Shpella e Arushës (Tërrnavës).
Në lindje të fushës së Preshevës shtrihet
Rujni, me majen më të lartë - Kodrën e Tukashit(807
metra).
Fusha e Preshevës është e zgjatur në drejtim
veri- jug, në gjatësi prej 17 km dhe gjërsi maksimale
prej 8 km. Në këtë fushë shtrihet Kërrusja(ujëndarësja
e ulët) e njohur e Preshevës, me lartësi mbidetare
prej 460 m, që shtrihet në drejtim lindje- perendim.
Pika më veriore e fushës është në lartësi
mbidetare prej 405 m, ndërsa pika më jugore në
lartësi prej 390 m. Kjo kërruese ka rëndësi
të madhe komunikative nga se lidh dy luginat e mëdha,
të Moravës dhe të Vardarit, të cilat paraqesin
lugnajë të madhe me shtrierje përsëgjati Siujëdhesës
Ballakanike. Nëpër këtë kërruese kalon
hekurudha dhe rruga kryesore automobilistike, të cilat lidhin
Detin Egje me Fushën e Panonisë.
Klima e Komunës së Preshevës është e
mesme kontinentale. Për shkak të morfologjisë dhe
lartësisë së ndryshme mbidetare ekzistojnë
ndryshime klimatike ndërmjet fushës dhe pjesëve
malore, sidomos të Karadakut. Fusha e Preshevës merr
diç mbi 600 mm, mesatarisht, të reshura në vit.
Në të fryejnë erëra veriore dhe jugore. Pjesa
në jug të Kërrusës, e kthyer kah jugu, ka
klimë pak më të butë se sa pjesa veriore,
pa e kthyer kah veriu. Shpeshherë bora mbulon vetëm
këtë pjesë. Njësoj është edhe me
mjegullën. Nganjëherë mjegull ka vetëm në
jug të Kërrusës. Pjesa malore ka klimë më
të ashpër, sidomos Karadaku, ku temperaturat janë
më të ulta, bora është dukuri më e shpeshtë
dhe me trashësi deri 80 cm. Karadakun e godet më shumë
breshëri, sidomos pjesën e saj jugore. Në të
mjegulla është më e shpeshtë, por nganjëherë
në pranverë dhe vjeshtë, me rastin e temperaturave
inverzare, mjegulla është dukuri vetëm për
Fushën e Preshevës.
Komuna është e varfër me ujëra tokësore.
Lumenjtë më të mëdhenj janë: Lumi Llopushnicë,
Lumi i Kurbalisë dhe Lumi i Tërrnavës. Më
e pasur me ujë është Llopushnica, e cila buron
në shpatin veri- lindor të Ostrovicës dhe derdhët
në Moravën e Binçës te Kështjella e
Pograxhës. Lumi i Kurbalisë rrjedh nëpër Preshevë,
i cili teposhtë qytetit kthehet në lum tipik fushor
me shumë bërryla dhe shpeshherë, në vjeshtë
dhe në pranverë, del nga shtrati dhe vërshon sipërfaqe
të tokës së punueshme.
Komuna ka një liqen artificial përmbi katundin Rahovicë,
i cili shërben vetëm për ujitje.
Komuna ka edhe burime të nxehta (termale). Burime më
të rëndësishme të këtij lloji janë:
Gurra e Miratocit (Banjkë) dhe Gurra e Seferve.
Pyjet e Komunës së Preshevës nuk janë njësoj
të përhapura. Ato, thuajse, krejtësisht shtrihen
në trevën e Karadakut. Dikur Karadaku ka qenë i
njohur për pyje të larta dhe të dendura. Ato kanë
pësuar ndryshime të mëdha nga se dora e njeriut
i ka shkatërrur dhe sot paraqesin, kryesisht, pyje të
reja. Këto janë pyje gjethrënëse (ahu, bungu,
qarri, shkoza, krekëza, etj.). Kohëve të findit,
aty- këtu, janë ngritur sipërfaqe të kufizuara
të pishave.
Shpërnguelja e popullsisë, nga vitet e gjashtëdhjeta,
nga Karadaku ka ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të
kullosave si rrjedhim i këthimit të arave në kullosa.
Kullosa ka edhe në trevën e Malit Rujn.
Komuna e Preshevës është e pasur me shtazë
dhe shpendë të egëra. Në Karadak jeton kaprrolli,
lepuri, ujku, dhelpëra dhe derri i egër, kurse prej
shpendëve: thëllëza e gurit, ndërsa pula e
egër është zhdukur. Në fushën e Preshevës
dhe në Kodrën e Rujnit ka mjaft lepuj dhe thëllëza
të fushës. Në Llopushnicë ka peshq, ndërsa
në Lumin e Kurbalisë, veçanërisht në
pjesën e poshtëme, s’ka fare gjallesa. Peshq ka
edhe Liqeni Artificial i Rahovicës.
Komuna e Preshevës shtrihet në kulmin (Kërrusën
e Preshevës) e Lugnajës së Moravë- Vardarit,
ku lidhen këto dy lugina të mëdha, të cilat
për së gjati, në drejtim veri- jug, përshkojnë
Siujdhesën Ballkanike. Udha e vjetër, në drejtim
lindje- perendim, kryqëzohet në Fushën e Preshevës.
Pozita e Komunës në qendër të Siujdhesës
Ballkanike dhe në Lugnajën e Moravë- Vardarit,
përpos rëndësisë strategjike ka pasur edhe
rëndësi të madhe ekonomike dhe kulturore. Kështu,
qysh nga kohërat më të vjetra- antika dhe mesjeta,
territori i kësaj Komune ishte i banuar dhe jeta në
të kurrë nuk është ndërprerë. Këtë
më së miri e dëshmojnë gjetjet e shumta arkeologjike
dhe numri i madh i rrënojave të kështjellave iliro-
shqiptare, më vonë të rindërtuara nga romakët.
Presheva për herë të parë përmendet
më 1381 .
Ndërtimi i hekurudhës së parë (më 1888)
edhe më shumë shtron rëndësinë e kësaj
komune. Këtë rëndësi e rrit edhe ndërtimi
i rrugës automobilistike paralele me hekurudhën (më
1963).Në vitin më 1979 Presheva lidhet me Gjilanin,
me rrugë të asfaltuar, e cila shfrytëzon Qafën
e Livadhit të Shehut dhe Muçibabën.
Banorët e parë vendas në antikë ,në
këte trevë, ishin të parët tanë-ilirët,
përkatësisht fisi ilir-dardanët. Më vonë,
për shkak të pushtimeve të njëpasnjëshme
të popujve të ndryshëm, ndryshohet struktura etnike,
por kurrë nuk zhduket rrënja iliro-shqiptare. Ajo në
antikën e vonshme dhe në mesjetën e hershme, me
siguri, ka ekzistuar, përkundër romanizimit të
popullsisë iliro-shqiptare. Edhe gjatë periudhës
bizantine dhe mesjetës serbe ne territorin e Komunës
së Preshevës, përkundër sllavizimit intenziv,
etnikumi iliro-shqiptar vazhdon të ekzistojë deri në
ditët tona. Pas ardhjes së turqve në trojet shqiptare
është ndaluar procesi i sllavizimit të shqiptarëve,
por ka filluar muslimanizimi i vrullshëm i tyre. Megjithëkëtë
në disa fshatra të Karadakut deri vonë është
ruajtur feja katolike. Pas luftës serbo-turke (1876-1878)
në territorin e Komunës së Preshevës vendoset
një numër i shqiptarëve (muhaxhirëve) të
ikur nga trevat e Vranjës dhe të Toplicës. Pas
luftërave ballkanike, Luftës së Parë dhe të
Dytë Botërore një pjesë e shqiptarëve
të këtushëm, për shkak të trysnive politike,
fetare dhe ekonomike, shpërngulet për në Turqi.
Të dhënat historike dëshmojnë se territori
i Komunës së Preshevës gjithmonë dhe pandërprerë
gjeografikisht-historikisht dhe në pikpamje kulturore ishte
Kosovë. Edhe pas disa vjetëve të krijimit të
krahinës së Kosovës (më 1945) Karadaku (nëntë
fshatra të tij) i takonin Kosovës. Para Luftës
së Dytë Botërore Presheva ishte qendër e rrethit
e në këte kohë është qendër komunale.
U cek se Komuna e Preshevës shtrihet me sipërfaqe prej
264 km katrorë. Në të jetojnë 35-40.000 banorë.Shumica
e tyre - mbi 90% - janë shqiptarë. Të tjerët
janë serbë, romë dhe turq.
Dr. Jahi Murati- Staneci |
|