Newsletter
Forumi
Sondazh
e-mail presheva.com
Lexo POP3 email
Oferta
Ju për ne ...
Interna

     
 

U shënua solemnisht dita e shkollës në Bujanoc

BUJANOC, 24 MAJ

Në oborrin e shkollës fillore " Naim Frashëri ", në Bujanoc, të shtunën, u shënua solemnisht dita e shkollës.

Për të shënuar këtë ditë të kolosit tonë të madh kishin ardhur edhe personalitete të këtushme politike, si dhe udhëheqësit komunalë të Dardanës të prirë nga Shaip Surdilli. Por, begatinë më të madhe këtij manifestimi ia solli ardhja e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë nga Kosova, të cilët vazhduan rrugëtimin e tyre të dashurisë edhe në Luginë.

Fillimisht, drejtori i shkollës Fatmir Hasani, duke folur për historikun e kësaj shkolle, ai njoftoi të pranishmit për peripecitë me të cilat u përball kjo shkollë për mëse një dekadë të tërë, dhe tani shtoi ai, sot po e festojmë ditën e shkollës sonë "Naim Frashëri", emër të cilin me sakrificë e çelnikosëm në dheun e kësaj toke arbërore. Po bëhet një vit që kjo shkollë u emërtua dhe iu është vënë busti i kolosit tonë të madh të letërsisë shqipe, Naim Frashëri”, theksoi, ndër të tjera Hasani.

Madhështinë e këtij manifestimi e shtoi kori i shkollës "Filizat", si dhe grupi i recitatorëve "Njomëza", të cilët me programin e pasur kulturo-artistik, kënaqën të pranishmit.

Në fund, të manifestimit, së pari në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, pastaj edhe në atë të Preshevës, u mbajtë nga një orë letrare, për hirë të Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë nga Kosova, të cilët ecën rrugës së tyre të dashurisë edhe në këtë rajon, dhe se ishin këto çaste kur fëmijët e Luginës, përmes shkrimtarëve nga Kosova, e ndien edhe më shumë ngrohtësinë e atdheut të tyre, ngase ishte një takim i parë i pasluftës.

Rinia dhe fëmijët, të emocionuar me ardhjen e shkrimtarëve nga Kosova, nuk hezitonin ta shprehnin gëzimin e tyre, dhe se i dhanë edhe më shumë madhështi këtyre orëve letrare.

Vargjet e tyre poetike në këto orë letrare, në Bujanoc dhe në Preshevë, përveç shkrimtarëve nga Kosova, i lexuan edhe disa nxënës në Bujanoc dhe në Preshevë.

Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë nga Kosova, të prirë nga: Rifat Kukaj, Agim Deva, Arif Demolli, Xhevat Syla, Zejnullah Halili, Gani Xhafolli Avdush Camaj dhe Veli Veliu, e begatuan edhe më shumë manifestimin e sotëm të shkollës fillore "Naim Frashëri", në Bujanoc.

Metali Krasniqi

 

21.06.2002

 
   
 
 

© 1997-2003 Presheva.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.