Newsletter
Forumi
Sondazh
e-mail presheva.com
Lexo POP3 email
Oferta
Ju për ne ...
Interna

     
 

Emrat që nuk harrohen

Arsimtarët veteranë të Luginës së Preshevës

Ferat Ademi

Lutfi Ahmeti

Ismet Aliu

Ali Azemi

Qahil Bajrami

Ejup Bajrami

Ramiz Duraku

Talat Esati

Ademi T. Ferat (Muhovc, Bujanoc 1922-1994. Pasi kreu kurset pedagogjike në Pejë e Prizren, më 1951 u emërua si mësues në Ramabuqë të Malësisë së Bujanocit. Pastaj shërbeu mësues në Kurbali të Preshevës, në Dobrosinë, në Konçul e Lluçan. Ndërkohë vazhdoi mësimet në Shkollën Normale në Vranjë e pastaj në Gjilan, ku mori diplomën e mësuesisë. Vitet e fundit të mësuesisë i kaloi në Shkollën Fillore "Muharrem Kadriu" në Tërnoc, ku shërbeu 12 vite, deri në 1982, kur doli në pension. Pastaj jetoi në Bujanoc.

Ahmeti Lutfi (Preshevë, 1904-1989). Si hoxhë i shkolluar, karrierën e mësuesisë e filloi në vitin 1946 në shkollën fillore shqipe në lokalet e Medresesë re Xhamisë e Poshtme në Preshevë bashkë me mësuesit Fejzi Ahmeti nga Lotovica, Kadrije (Qerimi) Kelmendi, Demirali Ibrahimi, Shukri e Hilmi Qerimi dhe Mehmet Jusufi. Por, profesionin e mësuesisë e ushtroi deri në vitin 1956, pastaj vazhdoi të ushtrojë detyrën e hoxhës.

Aliu Ismet, (Muhovc, Bujanoc 1932). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, dy klasë gjimnaz në Shkup, kurset pedagogjike në Prizren e Pejë. Shkollën normale në Vranjë e shkollën e lartë pedagogjike në Gjilan. Më 1950 u emërua mësues në Tërnoc të madh të Bujanocit, e shërbeu edhe në fshatrat Suharrnë, Novosellë, afër Zarbincës, Ramnabuqë dhe Ilincë të Preshevës. Pasi punoi 22 vjet në arsim në Bujanoc, më 1985 pushteti aktual sllavo-komunsit e largoi nga arsimi për shkak të ngritjes së Flamurit Kombëtarë shqiptarë në Bujanoc në vitin 1968 dhe për shkak të pjesëmarrjes aktive në demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Prishtinë. Megjithatë, me vendimin e Gjyqit,, më 198, u kthye përsëri në arsim në Bujanoc, ku punoi përsëri deri në pension më 1 tetor 1990. Jeton në Prishtinë.

Azemi A. Ali (Muhovc, Bujanoc 1918). Shkollën fillore e kreu në serbishte e kurset pedagogjike në shqipe në Pejë e Prizren. Mësimet e mesme i filloi në shkollën normale të Vranjës e u diplomua në Gjilan. Detyrën e mësuesit e nis në Shkollën Fillore shqipe të sapohapur në Suharrnë të Malësisë së Bujanocit. Atë vit shkollor në klasën e parë u përfshinë 76 nxënës të moshës 7-13 vjeçare. Pastaj shërbeu në fshatrat: Zarbincë, çarr, Novosellë, Muhovc e Lluçan dhe në fund në Bujanoc. Më 9 korrik 1977, gjatë një ekskurzioni të nxënesve të shkollës fillore të Bujanocit, në një fatkeqsi trafiku afër fshatit Mazgit në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, duke u përpjekur t`u u ndihmonte nxënësve, pasoi lëndime të rënda dhe u dërgua në spitalin e Prishtinës. Prej atij çasti u detyrua të ndahet nga puna në arsim. Tani jeton si pensionist në Bujanoc - i rrethuar me nipa e mbesa. Ndonëse me të ardhura modeste, arriti t`i shkollojë tri vajzat dhe dy djemt e vet.

Bajrami Qahil (Bukoc, Preshevë, 10.X.1928). Si mësues i pakualifikuar filloi të punonte në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit, e pastaj punoi Rahovicë, Gosponicë, Norçe e Tërnavë. Në fund isht sekretar i Universitetit të Punëtorëve në Preshevë, ku më 1985 doli në pension. Jeton në Preshevë.

Bajrami Xh. Ejup (Corroticë, Preshevë, 9.V.1923). Shkollën fillore e kreu në sërbishte në vendlindje dhe tre vjet mësoi në mejtep te hoxha i fshatit Mulla Rabit Aliu, i shkolluar në Stamboll, i cili pos mësim feje, nxënësve të vet u jepte mësim edhe në gjeografi, astronomi etj. Më 1948 kreu kursin pedagogjik në Shkup dhe u emërua në Novosellë të Bujanocit, ku shkolla ishte e vendosur në shtëpinë e Ramiz Xhaferit, i cili ishte shpërngulur në Turqi. Një vit më vonë Ejupi organizoi fshatarët të cilët me vetëkontribut e ndërtuan shkollën e re me dy dhoma mësimi. Ndërkohë, kreu kurset pedagogjike në Prizren e Pejë dhe më 1953 mori diplomën e mësuesisë. Pastaj studioi në Shkup, por dy herash ra në burg për "faje" politike dhe i ndëpreu studimet. Punoi si mësues në Miratovc, ku hapi edhe klasën e pestë të shkollës fillore, e cila mekohë u bë e plotë, pastaj në Tërnovc, Tërnavë, Caravajkë e Preshevë, ku dha mësim edhe në klasët e larta të shkollës fillore. Pos në shkollë, ishte shuëm aktiv në jetën kulturore dhe për katër vjetishte kryetar i Pleqësisë për kulturë në komunën e Preshevës, kur u angazhua për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Organizonte edhe shpërndarjen e revistave shqipe në këto anë. Tash jeton si pensionist në Preshevë.

Duraku Ramiz (Preshevë, 1927 - 1995). Shkollën fillore në serbishte e kreu në vendlindje. Në kohën e luftës i kreu dy klasë të shkollës normale - Gjimnazit "Sami Frashëri" në Prishtinë, e pas luftës kreu tri kurse pedagogjike në Shkup më 1948, në Pejë më 1950, dhe në Prizren më 1954. Më 1958 e kreu shkollën normale në Shkup. Punën në arsim e filloi më 1 shtator 1947 në shkollën e sapohapur shqipe ne Strezovc të Preshevës, ku punoi deri në vitin 1953. Në vitet 1953-57 punoi mësues në Rahovicë, në vitet 1957-64 mësues e drejtor shkolle ne Caravajkë (kësaj shkolle ja dha emrin e Migjenit) pastaj u emërua prapë si mësues në Rahovicë, dhe pasi punoi një vit në Shkollën fillore "18 Nëntori" në Preshevë, kaloi përsëri në Caravajkë, ku ishte prapë drejtor shkolle dhe jepte mësim edhe në klaset e larta të kësaj shkolle. Ishte pjesëmarrës i LANç prej vitit 1944, u dekurua me Medalie për trimëri dhe mori disa lëvdata e mirënjohje për sukseset në arsim.

Esati H. Talat (Preshevë, 1.IX.1917 - 7.IV.1984). Në serbishte kreu shkollën fillore në vendlinjde dhe Medresenë e Madhe të mbretit Aleksandër në Shkup në vitin 1940. Në vitin shkollor 1940/41 vijoi mësimet në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore në Beograd- degën e matematikës, të cilat i ndërpreu për shkak të luftës. Pas luftës në vitet 1944-51, ishte nëpunës i Drejtorisë së Financave në Preshevë e Bujanoc. Punën në arsim e filloi në vitin shkollor 1951/52 si mësimdhënës i matematikës në Gjimnazin e ulët trevjeçar në Preshevë. Këtu punoi deri në vitin 1956, e pastaj dëri në pension ishte ndihmësdrejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë. Në një mandat në vitin 1958, u zgjodh deputet në kuvendin e Sërbisë.

Tahir Z. Berisha (Emrat që nuk harrohen, Arsimtarët veteranë 1941-1951 II) Prishtinë 1996

vazhdon...

 
   
 
 

© 1997-2003 Presheva.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.