Ballina | Botime | Prozë | Jasak

Jasak

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Jasak

Mua, vëllezër të dashur, më quajnë Limon. Limon Llogragja. Në mos paçi patur fatin ta vizitoni atë anë, kam nderin t’ ju informoj se Llogragja është një fshat i bukur malor, të cilin s’ e ka shkelur asnjë pushtues i huaj, që nga koha e Baklladanit, vazalit besnik të derës së Balshajve e deri në Luftën e Parë Botërore.Me këtë argument nuk desha ta vë në pah trimërinë e llogragjasve, por vjetërsinë e dialektit tonë, që del drejt e nga gurra e ilirishtes së vjetër.

Kjo mbase ju duket si hajgare, po unë e kam njëmend. Fjala vjen, kur bie bora e parë, ne themi: erdhi llopajca. Ndryshe nga ata të Parlamentit shqiptar, që tërë kohën zihen për politikë, ne zihemipër lopë e për dele e për ca punë tjera që quhen llokopendra. Në përgjithësi, kemi shumë fjalë që fillojnë me tingullin ”ll” dhe kjo dëshmon se dialekti ynë është sa i vjetër dhe i begatë. 

Njëra nga provat më të ndritshme të kësaj teze është fjala “ jasak” që konsiderohet të jetë poaq e vjetër sa dhe fjalët më të moçme të gjuhës trako-pamfyle.Sa për ta zbërthyer gjenezën e kësaj fjale, do t’ i marr ca shembuj konkret, se – helbete – mund të ju hynë në punë edhe poeteshave suedeze ( meorigjinë shqiptare). Fjala vjen, këtu është jasak me derdhë ujtin në rrugë, se vjen një llapatan e ta veshë një gjobë që sytë të bëjnë gaca. Ky ishte një ”jasak”, por ka dhe të tjerë.Jasak është, fjala vjen, të hyjsh në ndonjë piceri e të jargavitesh mbi pjatat e shtruara për drekë. Jasak është të shkosh te mjeku dhe ta pickosh atë motrën që vjen për ta marrëtemperaturën. Jasak është të hyjsh në banjot e shtetit dhe t’ i vjedhësh topat e letrës. Jasak është të hysh në shitoren e këpucave dhe t’ ua ndërrosh çmimet që ka vënë pronari. Se edhe këto ndodhin nganjëherë.

Të gjithë këta shembuj i mora sa për sy e faqe, se qëllimi im kryesor ishte t’ i njoftoj patriotët shqiptarë për gjërat që lidhen me fjalën ”jasak” dhe ata qëllojnë në diskotekat dhe folkotekat patriotike shqiptare.

Siç mund ta mirrni me mend, unë jam i martuar dhe gruan e kam prore të re e të fortë. Megjithate, dal nga një herë nëpër shoqata, sepse mjalti që është mjalt, ani i mërzitet ndonjëherë njeriut. Ka shumë gjasa të më lidhni me njerëz të poshtër, por ajo është çereku i së keqes. Madje, për ta arsyetur veten, do t’ ua shtroj një pyetje: Mos jam unë i poshtër, që po ua dëftoj të vërtetën apo ata tjerët, që po shtiren më erzellinj se Papa?!

Përndryshe, ka gjëra që janë jasak… Dhe ka gjëra që nuk janë jasak. Fjala vjen, s’ është jasak që në shoqatat shqiptare vijnë ca motra që flasin shkenisht dhe kanë fjetur me lloj lloj abdalli. Suedia është një mbretëri demokratike dhe ato shoqet munden të bredhin kut ë donë e kur të donë. Dua të them se s’ është jasak të endesh nga shoqata në shoqatë, të pijsh ca birra daneze dhe të dëgjosh lloj lloj fjalësh nga goja e të rinjëve e të rejave shqiptare.Fundja, shoqatat shqiptare janë si pazari i Pejës: dikush shet celularë të vjedhur, dikush shet euro, dikush shet miell të bardhë, ndërsa ata tjerët shesin e blejnë kënaqësi trupore. Paçka se çdo gjë në këtë botë është e sankcionur. Dua të them jasak. Fjala vjen, nëse doni të ngjiteni në katin e dytë të shoqatave dhe të pickohi pak me ato shoqet, duhet të nxirrni leje speciale nga drejtori i Katit të Dytë, sepse ka mundësi të vijë zoti Taraku, ministri i shoqatës për import e eksport të motrave serbe e shqiptare, dhe të ju kapë me presh për dore. Ka dhe një jasak tjetër: askush s’ guxon të hyjë në shoqata me birra në xhep, sepse shoqatat do të shkonin me humbje. Për veten time, mentoj se ky jasak është i domosdoshëm, pasiqë këtu lokalet merren me qira dhe qiraxhiu  s’ guxon të dalë me humbje.

Dorën në zemër: ka shumë shqiptarë që po e shkelin jasakun. Kjo dëshmon se ata s’ janë shqiptarë të vërtetë. Shqiptarët e vërtetë, veçanërisht ata që jetojnë jasht Malmes, duhet të derdhin pak më shumë euro në arkat e shoqatave. Atë kontribut duhet ta bëjnë për dy arsye. E para, sepse ata vijnë në shoqata për ta shitur ndonjë celular apo televizor të vjedhur, ndonjë unazë të grave të tyre apo ndonjë pallto që e kanë blerë nga shokët e tyre serbë. E dyta është se ata, si mysafirë të largët që janë, duhet ta gjejnë ndonjë boshnjake për ta kaluar natën. E këto të fundit, qebesa, janë të shtrenjta dhe donë euro. Kaq thjeshtë është puna.

Të merremi vesh: ajo që vlen për mysafirët, nuk vlen për neve të Malmes. Mos tjetër, ne kemi paguar nga dy tremijë euro për t’ u vendosur në kët metropolë. Ky është shkaku që jo të gjithë, por goxha shumë prej nesh, e kemi shkelur rregullin e jasakut. Njëri prej tyre jam edhe unë, Limoni.

Siç e ceka më lart, jasak është të shkosh në shoqatë dhe të dehesh me birrat tua. Kush do të dehet, ai mundet me u dehë me birrat e shoqatës. Ç’ ti bëjsh që unë e kam zakon të dehem me birrat e mia. Birrat e mia janë edhe më të lira, edhe më të mira. Andajza, sapo shkeli në lokalin e ndonjërës nga shoqatat, e zë një qoshe të sallës dhe porosity dy birra daneze. Njërën e pi kadalë dale, pastaj atë tjetrën si më shpejt. Kur ze ze fill çyçeku e gjurulldia, dal gjoja për të marrë diçka nga makina dhe i mbushi xhepat me po të njejtin mall. Zotit shyqyr, këto volvot sudeze s’ janë të bukura, por bagazhet i kanë të mëdhenj.Aty mund t’ i palosh jo tridhjetë birra, por njëqind e tridhjetë.

Herë pas here, ndonjëri nga shokët e mi më quan llapatan, sepse e nxjerr llapën dhe flas si shumë. Ata janë llapatana vetë, se unë, Limon Llogragja, i bëj punët me stil të lartë. Fjala vjen, sa herë që e shohin bagazhin tim, ata më thonë: 

” Oj, lopë, çka po të duhen gjithato birra në bagazh, kur ja ku e ke shoqatën dhe mundesh me pi e me u ba ma xurxull dhe, prapseprap, me mbetë patriot?!”

Për Zotin, kanë të drejtë. Por po harrojnë derrat se diskotekat tona patriotike mbyllen më katër të mëngjesit. Madje, edhe pasi mbyllën formalisht, ministritë e tyre vazhdojnë punën, sepse duhen numëruar parat e fituara. Shi n’ atë çast i teket ndonjërit për birrë dhe kamarjeri duhet ta njoftojë që të gjitha birrat e mira kanë marrë fund.

Atherë fillon një xhidavi e gjatë dhe e mërzitshme. Haj, bre, nanën e nanës…Pse, bre, s’ ka birra kur duhet me pasë? A janë ata ministra të shoqatave apo çka?

Sa për dijeninë tuaj, dua t’ i hapi kllapat dhe t’ u njoftoj sa vijon: Birra ka sa të duash, por kush dreqin ka mallë të vishet e të blejë nëpër shoqatat serbe, kroate apo boshnjake? Aq më tepër që njëri nga synimet kryesore të shoqatave është t’ i mbajë kryesitë me birra falas. Shi në çastin kur shokët kryetarë apo sekretarë i mbërthen  një siklet i madh, unë e hap gojën dhe shtirem si llapatan.

” O, mos u mërzitni, shokë, se shkoj unë deri te shoqata ”Vuk Karaxhiq” dhe ua sjell një gajbe me birra. Veç mos harroni se ata s’ ma japin gajben nën 50 euro.”

” More, le të kushtojë edhe 60 euro, se s’ ka gajle,” thonë ata. ” Shko merre një dhe bëju të fala prej nesh. "

Atëherë del baci Limon dhe ua shpi një gajbe nga ato të tijat.

” Sa kushtoi kjo gajbe, o Limon.” më pyesin ata.

” Paj, nja gjashtëqind e ca kruna, o vëllezër. Po ju mos e prishni qejfin, se nuk shkova për qar por për hatër”.

Ashtu iu them dhe ata më falenderojnë. 

Meqë ra fjala për qarin, do t’ ua dëftoj edhe një mesele. Unë gjithmonë kam qënë me qar, por atë më të madhin e kam nxjerrë atë natë që erdhi Baci Cima.

Se ç’ i kishte gjetur ata të shoqatës ”Liria” s’ e di, por në vend se ta mblidhnin popullin në sallën e tyre, që është goxha e vogël, ata e kishin marrë me qira një sallë tjetër, që gjendet në Lagjen e maxhupëve.” Një sallë e ngushtë, me drita të zbehta… Kurse shqiptaria e Malmes si bubrrecat. Secili - vetë i gjashti, vetë i teti, vetë i dhjeti… Pse i jepnin nga gjashtëqind kruna, tetëqind kruna, s’ ju bëhej vonë. Dekën e kemi, të gjithë – përpos meje – donin ta shohin Cimën, sepse Cima është artist i madh. Unë, pra, me ta parë atë kallaballëk, qëndrova përjashta. Le të hyjnë ata që janë më të largët, mendova.

Nuk shkoi gjatë dhe shqiptarët, pasi i rrasën fëmijët brenda, ia msynë përjashta.

” Ça ndodhi, o shokë?” po i pyes.“ A hiç s’ ju pëlqeu ai miku a?”

“ Jo, more, po salla ish e vogël dhe ata qenat s’ na lejshin me pi duhan,” më thane.

Atbotë më vjen një engjull ke veshi dhe më pëshpëritë diçka.

“ Anis’ ka gjë,” iu them. “ mos ju lënçin me pi duhan, s’ ua ndalon kush me pi birra. Birrat, qofshin daneze apo suedeze, nuk qesin tym.”

“ Qebesa, s’ e ke keq,” më thotë njëri. “ Po ku t’ i gjejmë ato të shkreta që jemi me gra e me fëmijë?”

“ Birrat ua gjej unë, po ju qitni paret…”

Ashtu, o vëllezër të dashur, unë shit e ata blej. Deri sa mbaroi çfaqja dhe unë i mbusha xhepat me kruna. N’ daç besoni, n’ daç mos besoni, por atë natë kam fituar më shumë se Cima. Bile më erdhi keq për te, se duke i parë shqiptarët tek hynë e tek dalin me pallto të gjata, ai kishte marrë frikë se do t’ i bëjnë atentat. Hallbuqi, çe dreq atentati, që shqiptarët po i frigohen hijes së tyre.

Kur mbaroi çfaqja, Cima shkoi ke ata të shoqatës ”Kosova”, se edhe ai pat filluar të mbahej medrenicakët, ndërsa unë shkova të ata të ”Lirisë.” Që t’ ua them të drejtën, mekëta e kisha muhabetin më të ngrohtë, se edhe boshnjaket i kishin më të mira, edhe mastrafin më të madh.

Sa vij ke dera, rastisi Arif Vladin. You know: Enver Hoxha, tungjatjeta… Sa t’ jet moti, sa t’ jetë jeta.

” Arif,” I drejtohem unë. “ Vetë paske dalë të shesësh bileta?”

” Qebesa, vet,” më thotë ai. ” Këta të Shoqatës po më vjedhin sa po munden.”

” Ani, sa është hyrja sonte?”

” Dyqind kruna,” më thotë.

Dyqind kruna m’ i kërkoi, dyqind kruna ia dhash. Fundja, e kisha nxjerrë ditën time, andaj pagova dhe hyra brenda. 

Dhe kisha ç’ të shihja.Për zotin, burra, kënga shkonte si Drini kurr turret në drejtim të detit. Sa birra pihej, sa gota thehej, sa fëmia qante, s’ dëftohet me fjalë. Të shkonte mendja se je katandisur në ndonjë dasëm greke, se ata e kanë zakon të thejnë pjata në llogari të Francës. Edhe me të drejtë, se Arifi kreshnik djalë: i gjatë, i madh, me do zylyfe që i vijshin deri në qafë. Tamam si Zdravko Çulliqi, një kangtar i vjetër jugosllav…

Atë natë iu rashë birrave me të madhe. Ku ta dija se birrat janë jasak, kur vetë kryesia e shoqatës na thonte se birrat janë pjesë e domosdoshme e veprimtarisë patriotike. Me birra do ta çlirojmë Kosovën, me birra do ta çlirojmë Çamerinë, me birra do ta çlirojmë Luginën e Preshevës, me birra do ta çirojmë Maqedoninë..

Mjerisht, birra qënka jasak nëpër shoqata. Kjo do të thotë se ajo, sipas ligjit, s’ guxoka të pihet, veçse në rastin e ndonjë të kremte siç është Dita e Flamurit,  Dita e Çlirimit të Tiranës apo Dita Ndërkombtare e Gruas, edhe ate, me kusht që të nxirret leje speciale. Këtë gjë do ta mësoja atë natë, kur çirrmat patriotike të popullit  kishin kaluar në një eksces dhe unë, si rëndomt, po dilja t’ i mbushi xhepat me birra të mia private.

Papandehur më mbërthen një burrë i fortë dhe ma mbyll gojën si me darë.Këtë herë mbarova, i them vetvetes, dhe shikoj për anash.Kisha çka të shihja: policia e kishte rrethuar shoqatën nga të gjitha anët. Me qen, makina të urgjencës e zjarrfikës.Tamam siç bënte Shkau kur hyri në Drenicë.

“ Mos gabo ta hapësh gojën,” më thotë polici.

” Qebesa s’ po bëj as fiu,” i them.“ Por çka dreqin doni prej meje, që jam nisur te shtëpia. A s’ e shihni që është vonë?”

“ Nee kemi pare qëmotit. Ju a po e shihni?” më thotë polici dhe me heq zhagas në drejtim të xhadesë.Atje rrinë edhe dy policë të tjerë, secili me nga i’ qen për anash. Ai tjetri më le pranë dhe zhduket në errsirë.

Vërtetë situatë e ngjethshme. Atje brenda këndohej me të madhe, kurse këtu mbretëronte një heshtje polare.

“ Ku vete kështu,” më thotë njëri prej tyre, goxha i plotë për të qenë polic. Atij sikur s’ i hante palla për mua, sepse tërë kohën vrojton në drejtim të lokalit.

“ Paj, ku vete njeriu në këtë kohë, pos te shtëpia?” i them.

“ Mos ke celular me vedi?” më pyet.

“ S’ kam,” i them pa të keq.

“ Atëherë, pjerdhu sa më shpejt,” më thotë ai. “ Pak që po ju mbajmë me bukë, veçse duhet të na torturoni me festa a?! Pjerdhu ke shtëpia, mor qen!..”

Kësisoji, o vëllezër, unë dola nga ai rrethim pa asnjë ferrë në këmbë, por ata të shoqatës ranë viktima të patriotizmit të tepruar.Pak pasi ika unë, policia kishte hyrë në lokalin e shoqatës dhe kishte gjetur gjashtë mijë birra daneze dhe njëqind okë raki të fortë.Me këtë rast, duke verifikuar identitetin e mysafirve, ata kishin gjetur edhe goxha shumë euro të falsifikuar në Gjermani.

Që nga ajo ditë s’ kam shkelur në lokalin e shoqatës.Paçka se fqinjët e mi po shkojnë e po pinë, thua se nesër do të kthehen në Kosovë. Policia mund t’ i arrestojë, t’ i marrë në pyetje, t’ u vë ndonjë gjobë, por s’ ua merr shpirtin. Andajza, o vëllezër, mos rrini kot nasikot, po hani e pini e bëni qejf, sepse me ndihmën e Natos dhe Kforit me birra e çliruam Kosovën dhe me birra do t’ i çlirojmë të gjitha trevat e popullit shqiptar. Kuptohet, me përjashtim të Mitrovicës. Sepse Mitrovica është jasak dhe me atë punë merret vetëm Qeveria e Kosovës së Lirë. 

 

Shkruan: Ramdan REXHEPI

 

 

 

 

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (0 Publikuar)

Total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin që shikoni në imazh:

Captcha
  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

0
Presheva Web Portal