Ballina | Botime | Prozë | Mbyllur në ashensor (Hata)

Mbyllur në ashensor (Hata)

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Mbyllur në ashensor (Hata)

 

Tamam përgatitem të dal nga ky ashensor, ku jam mbyllur, përtej dritareve të qelqta, të mbështjella me grila hekuri, vështroj vijën hapësinore të ajrit, që nga shpejtësia e rrugëtimit, krijon një si re rrugore, ku pos ajrit, ashensorit, dhe unë, s’gjallon dot, tjetërçka, një forcë e padukshme, por ama e pa pritshme, më shtyn mbrapa, më shqelmon dhe më turfullon në skajin tjetër të ashensorit. Sa më shumë që ky ashensor i udhëtimit nëpër kohë i largohet rrafshit, e i ngjitet malit, tërheqja dhe zmbrapsja nga kjo forcë e padukshme bëhet edhe më e fuqishme. Provoj t’i afrohem derës, ta hap, e të kërcej pa parashutë, për të puthur koren e tokës, apo të zhytem në thellësi të liqenit, e të përfundoj këtë udhëtim, ose të ndal rrugëtimin e ashensorit nëpër kohë, kur, hop, sërish tërhiqem nga ajo forcë, që jo vetëm më tërheq, por edhe më mban për mënge, e nuk më lejon të lëviz. Më shtyn edhe më në brendi të ashensorit, dhe më përplas për muri të qelqtë. Për çudi, anekënd ashensorit s’dëgjohet rrapëllimë, as jehonë e tingullit. 

Heshtje.

S’ka oshtimë. As dhembje të shpinës. Sikur ajo forcë të mos kishte ekzistuar fare, dhe sikur të mos jem shtyrë a mbështetur për muri të qelqtë të ashensorit. Oshtima dhe dhembja duket që kishin bërë fole në vetminë time. 

Sa keq!

S’ka kush të dëgjojë. Apo s’ka çka të dëgjohet. E kur nuk dëgjon njeri, apo nuk ka çfarë të dëgjohet, nuk kam pse pres ndihmë. E mira e të mirës është të mos ulërij, por të qëndroj burrërisht dhe të pres çfarë më sjell fati i jetës, sepse, në këto çaste, kur forca më shtyn me tërë fuqinë në skajin tjetër të ashensorit, as ofshamën që më del nga shpirti, s’ma merr mendja ta ketë dëgjuar njeri. 

I rraskapitur i tëri, e i shtrënguar nga vetmia e kujtimeve, seç më del para Xheladini, ai mesoburri i mbyllur në ahur, me kërcënimin e tij: “Ah sa të dal nga ky burg i zi, ke për të parë ti, që më mbylle këtu?” Këto fjalë të tij, sikur më japin zemër, dhe më disponojnë për një çast. Vetvetiu buzët më mbushen gaz. Jo, kërcënimi, por, dalja e Xheladinit nga ahuri, më jep shpresë, që nuk do të vonojë, dhe unë do të jem në maje të hapësirës dhe do të zbres shëndosh në kohë. Ndërsa, kërcënim i Xheladinit, mu si forca që më tërheq mua, duket që nuk kishte për efekt pasojën, por shkakun, shkasin apo nxitjen, për t’i hapur derën, dhe ai të dilte nga ai ahur, ku ishte mbyllur pa dashjen e tij. Me të dalë nga ahuri, apo siç kishte thënë ai “nga burgu i zi”, kishte lënë kërcënimin brenda, dhe e kishte mbyllur derën e ahurit me një tojë. Toja ishte ajo që e kishte larguar Xheladinin nga tërbimi edhe nga kërcënimi. Pasi kishte mbyllur tërbimin dhe kërcënimin në ahur, ishte nisur drejt shehrit, për të pirë kafenë e paradites. 

.................................................... 

 

Kafja! 

Ah kafja! 

Kafja e ka teraqillëkun kur pihet së bashku me një cigare duhan. Pa thithjen e tymit të zi të duhanit, dhe ngjizjen e katranit në vena, s’e ka lezetin, e sidomos në mëngjes. E ashensori më bart larg në fëmijërinë time, kur mbi mangall, nëna piqte kafenë, të mbushur në një filxhan. E kafja rrallë përdorej. Rrallë, sepse thoshin “është qesat i madh”. Ishte e shtrenjtë, të hyra familjare ishin shumë të pakta, e mbase edhe nuk kishte të hyra të tjera pos shitjes së duhanit në monopol që bëhej kryesisht dy muajt e fundit të vitit. Prandaj, kafja mbahej mbyllur nëpër kavanoza, dhe u shërbehej vetëm më pleqve, e neve fëmijëve nuk na lejohej me arsyetimin se “do të na nxiheshin dhëmbët”. E shikonim ne filxhanin të futur nderi në gjysmë në hirin e prushit të mangallit, e nuk bëzanim fare. Na dukej e çuditshme, por edhe shumë e shijshme, kur filxhani i nxehtë prekte buzët e pleqve. E ata, me një “ohooo” e lëshonin ngadalë filxhanin afër shiltes ku uleshin dhe përgatitnin një cigare duhan kaçak. Ajo kafe u zgjaste për nja gjysmë ore, e më pas pasi llafosnin edhe pak, ngriheshin dhe ia mësynin xhamisë. 

E lezetshme! ...por, ashensori nuk ka mëshirë, më kthen sërish të përplasur për murin e qelqtë të saj, dhe më ikin momentet e fundit të përcjelljes së pleqve për në xhami... 

Tymi i duhanit, thonë që u turbullon rrugën mikroorganizmave, e ato të hutuara tubohen të gjitha së bashku për të bërë forcën, e kur kafja e nxehtë bie mbi to, i shkatërron të gjitha. E fyti mbetet i pastër. Fyti, ndoshta, por mushkëritë dhe bronket mbushen plot tym dhe nxihen të tërat. Të vetëdijshëm për këtë, duhanpirësit, nuk e lënë se s’e lënë duhanin. E thithin tymin së bashku me kafe... 

........................................................................................................

 

E tani kur qëndroj i mbyllur në ashensor, jargët më shkojnë për një esspreso. 

Hahahaaaa! 

Esspreso... edhe atë të paguar nga ndonjë “sponsor...” 

Hahhaaaaaaa! 

Si të mos qesh, me këtë shprehje: “sponsor për kafe...” 

Hahahaaaaaa! 

Të qeshem e të plas nga gazi. 

E pse? 

Ja pse - po e pive një kafe nga dikush, menjëherë, del një i tretë, që mbase kurrë nuk të ka paguar kafe, e thotë: “Ka shëtit kafet derisa ka gjet një sponsor për të pirë një kafe... s’ka fituar as për një kafe...” 

Hahahaaaaaaa! 

Qesharake! 

Njëkohësisht, edhe komike edhe tragjike, që së bashku bëjnë një tragjikomedi. 

Po, edhe sikur të mos kishe fituar për një kafe, po edhe sikur të të kishte paguar dikush ndonjë kafe, po, edhe sikur të të kishte ushqyer dikush, po edhe sikur të t’i kishte dhënë vitrat një i tretë, a do të duhej që, i katërti a i pesti të kënaqeshin me këtë gjendje? 

Këtu vjen në shprehje relacioni shkak-pasojë. Shkaku-nuk punon, pasoja-nuk fiton. Relacioni tjetër: shkaku-nuk fiton, pasoja-nuk ka me çka të paguaj. Shumë e qartë. Kjo duket i gëzon smirëzinjtë. Nuk tmerrohen, por gëzohen dhe kënaqen me vuajtjet e tjetrit.

Mos o Zot! 

Paska edhe të tillë njerëz, që po jetuakan me kënaqësi, duke shijuar pamundësinë e tjetrit, për të jetuar një jetë të dinjitetshme.

Kënaqen njerëzit, kënaqen. E ndër ta, edhe Hata.

Hata, ai “intelektuali i madh” i të gjitha kohërave, e edhe i kësaj sonës, që llomotit e llomotit, e nuk di për çfarë llomotit. Flet e flet, e, jo vetëm që nuk i jep kuptimin fjalive të thëna, por as nxjerr përfundim, e as hap rrugë. Thes i shqyer fare.

Pirolla i qoftë për “zotësinë” që ka, dhe për fjalët që flet!.. 

Aferim!.. 

.......................................................................

 

Tani, kur jam i mbyllur në ashensor, kërkoj kohën, rrugën dhe mjetin me të cilin jam përcjellë. Mendja s’ma kap dot atë kohë. S’e gjej dot atë rrugë. S’e shoh dot mjetin... 

E para më del e vetmja kafene, ku pija kafenë e mëngjesit: Piceria “Furra”. 

Piceria, që më së shumti është vizituar, nuk është më. Është mbyllur kaherë. 

E unë, ulur në verandën e asaj picerie, duke pirë kafe. 

Po, Hata, jo që nuk është aty, por nuk është dukur ndonjëherë. Nuk ka pirë të paktën një kafe. Nuk e di, bile as ku e ka pirë, e as ku pi kafe. Jo vetëm në picerinë “Furra”, por, edhe në rrugë jemi takuar shumë rrallë. S’e kam parë... as tash s’e shoh,.. Çuditem si më paska parë ai!.. Më paska përcjellë?!! Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që ka bërë punën e detektivit!? Po mbase më paska ndjekur hap pas hapi, ku shkoj, ku ulem, me kë rri, kush më jep kafe...

I mjeri unë, e i lumi ai për vete! 

Shyqyr Zotit, që ai paska pasur pare për kafe. Shyqyr Zotit s’paska qenë i varur nga të tjerët!.. 

I mjeri unë, i mjeri,.. as për kafe “s’paskam” fituar”. 

Sa lezet për Hatën, e sa keq për mua! 

Ja që paskam mbijetuar dhe po mbijetoj ende. Ky fakt, duket që nuk i pëlqen Hatës, po ja që, unë jam edhe më tutje, edhe pse i mbyllur në ashensor... po... megjithatë ekzistoj.

...................................................... 

 

I mbështetur me forcë për muri të qelqtë të ashensorit, ku jam i mbyllur, udhëtoj lart e më lart kohës e hapësirës dhe vrojtoj poshtë e më poshtë kohës e hapësirës. Por, ama nuk kërcënoj askënd. 

Nuk kërcënoj kohën, nuk kërcënoj ashensorin, nuk kërcënoj forcën që më mban për mënge, nuk kërcënoj hapësirën, nuk kërcënoj as Hatën, atë “intelektualin e madh”.

Ani se, koha më bart tejpërtej, ani se hapësira më është ngushtuar, ani se ajo forcë që më mban për mënge e nuk më lejon të dal jashtë këtij ashensori, i cili ngjitet lart e më lart majave të malit, duke lënë poshtë njerëzit-buburreca, e më të madhin, atë, Hatën, është shumë agresive. Ani se Hata, s’e ndal turrin, e gjoks hapur marshon mbi të tjerët, pa vrarë mendjen që shtyp ndonjërin. Nuk prish punë kjo, jo.

E pse të vras mendjen kur koha ka ligjet e veta, kur hapësira nuk më pyet dot në kam mundësi të frymoj, e kur Hata është më i “madh”, më i “fuqishëm”, më “pasanik”, më “i drejtë”, më “kombëtar”, e më “luftëtar” se unë, e se të tjerët. 

Po, po, për të, të tjerët, duken buburreca të vegjël, që me këmbët e tyre fshinë tokën, duke bredhur poshtë e lartë, për të nxjerrë idaren, e idarja e tyre nuk “del” as për një kafe, ndërsa gallagan mbi ta, Hata. 

S’ec Hata, jooooo, dot me ta! 

S’janë të sojit të tij. 

Janë më të vegjël, më të pafuqishëm, më të pa drejtë, më fukara, më të pambrojtur, më pak trima, më pak kombëtarë, mbase edhe hiç kombëtarë. 

Tek e fundit kush u ka faj për vegjëlinë e tyre, për “fukarallëkun” e tyre, për “pabesinë” e tyre, për “tradhtinë” e tyre, për “frikën” e tyre, për “mospunën” e tyre, për “pamundësinë” e tyre për të paguar një kafe. Hata të mendojë për ta, a? 

Mos e bën o Zot! 

Ai s’ka kohë të merret me këto gjëra. Ka punë më të madhe: të më ndjek mua dhe të kuptojë si i gjej dhe ku i gjej “sponsorët” për të më paguar kafe. Këtë punë parësore ka ai. Ai s’e ka gajlen e idares së vet, sepse ka bërë aq mall, sa për tu ushqyer edhe nipat e stërnipat e tij. 

E kush më ka faj, apo kush më ka pasur faj, që, unë nuk paskam “fituar” as për një kafe, edhe pse kam punuar mbi njëzet vite... 

Haahahaaaaaa! 

Si të mos qesh. Të qesh e të gajasem derisa të plas. I lumi Hata për vete, s’gjen dot justifikim tjetër, pos që, të tjerëve t’u thotë: “...nuk ka fituar as për një kafe... ka bredh kafeneve për një sponsor...” 

Hahahaaaaaaa! 

E lezetshme kjo a? E lezetshme dhe qesharake, njëkohësisht. 

Luaja, Hatë, luaja! 

E unë, ashtu i mbyllur në ashensor, shëtis nëpër kohë e hapësirë, mbase pak i lodhur, por ama, kjo forcë që më shtyn e më mban për mënge, sikur më trimëron të qëndroj edhe më tutje, dhe t’i jap zemër vetes, sepse kam ende rrugë për të bërë, dhe si Xheladini, do të dal, do të flaki kërcënimin brenda në ashensor, e mbase të pi një kafe, diku, pasi t’i kem shëtitur të gjitha kafenetë, e të jem lodhur së kërkuari “sponsor”...

 

Ferid Selimi

 

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (0 Publikuar)

Total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin që shikoni në imazh:

Captcha
  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

0
Presheva Web Portal