Ballina | Botime | Prozë | Gate number Six /2/

Gate number Six /2/

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Gate number Six /2/

Momentalisht po flenë.Ata kanë pirë deri në mëngjes dhe truri i tyre, i lagur me flluska alkoholi, ka rënë në kllapi.Megjithate, kjo heshtje që pushon nën tisin e vesës është kryekëput provizore. Sa të kthjellohen nga pijet e ditës së djeshme, kush më këmbë e kush me biçikletë, kush me trastë e kush me thes, kush me grua e kush me prindër – por të gjithë sëbashku – do të turren në drejtim të lëndinave. Atje diku, përtej kodrave të Holmës apo nën flladin e ahishtës së Lundit, ata do t’ i hapin trastat, do ta nxjerrin mishin e konservuar në erëza dhe, pasi t’ i kthejnë nga tri – katër gota raki, përsëri do ta vazhdojnë ahengun e ditës së djeshme.Copë mbi copë u bëftë Dita e Argatëve.Ata s’ janë argatë, por drejtorë të kompanive ndërkombtare.Janë profesorë të klinikave universitare.Janë kirurgë të shquar.Janë regjisorë me famë botërore.

Kështu ka qënë gjithmonë. Edhe sot, si pesëdhjetë vjet më parë, suedezët do ta presin 1 Majin me zjarre të ndezur. Duke kënduar e duke vallëzuar. Dhe kanë arsye të këndojnë? Duke e mbushur barkun me vodka apo viski ata kujtojnë stërgjyshët e tyre të patrembur që me lundrat e tyre të lehta ishin tmerri i Perandorisë Bizantine. Ç’ kemi ne që s’ kanë ata?Suedezët kanë një vendlindje të lulëzuar.Kanë rrugë të asfaltuara deri ke dera. Kanë oborre të planifikuar për mrekulli. Që nga lulet e deri ke skulpturat e stilit abstrakt. Me bimë kacavarëse, drunj orientalë dhe pemë të krasitura bukur. Kanë banjo me ujt të ngrohtë. Kanë dhoma për mysafirë. Kanë krevate të butë. Kryesorja: kanë Asistencë sociale dhe punë për ata që duan të punojnë. Në krahasim me lagjet e kryeqytetit të Dardanisë, lagjet e këtij qyteti janë ndërtuar sipas librit të botanikës. Lagjja e luleshqerrave. Lagjja e kasolles me gjethe bliri. Lagjja e lulëradhiqeve. Dhe Lagjja e Mollës së krasitur. Kjo e fundit është pak më e gjërë se tjerat. Pastaj suedezët s’ janë si ne, xhuxha të dalë nga përrallat, por të gjatë e të pashëm si artistët amerikanë. Ndonëse i flasin nga dy tri gjuhë të huaja, ata s’ e vrasin kokën për Alfabetin Qirilik, sepse më shumë u intereson vlera e pasurisë së patundur, kamata e parave që kanë në bankë dhe kur është më mirë të bëjnë transakcione ekonomike; kur papunësia është e madhe apo kur është e vogël. Kjo mbase na duket qesharake, por unë jam i bindur se ata janë më të ndershëm se Selver Staradrani, që tërë ditën e lume mbledh lekë për varfanjakët por kurrë s’ e lëshon një kvito të hajrit. Çuditërisht, ai rrugaç i Dardanisë perendimore funkcionon si ministër i ardhshëm i një vendi të lirë.

Zoti Bufi thotë se suedezët po punojnë për ne. Ai ka të drejtë, se çdo njeri që e konsideron veten si zot shtëpie kujdeset për robët e tij. Kjo vlen edhe për pronarët tonë. Padronët suedezë, pa na pyetur fare se ku duam dhe si duam ta shkojmë motin, na kanë vendosur në pikat më strategjike të qytetit; donë të na gjejnë kur iu duhemi dhe të mos na gjejnë kur s’ iu duhemi. Kjo, sipas tyre, është distancë e përshtatshme për të komunikuar meardhacakët. Ne duhet të jetojmë në Holma, Botkyrka apo Sundsvall dhe t’ i falenderojmë për bujarinë e tyre, ndërsa ata, si vendës që janë, duhet të jetojnë larg shamive të zeza dhe erës së hudhrës. Dhe çuditemi pastaj që tezja Hamdie e baci Haziz jetojnë pranë Pallatit të Kulturës. Kushdo që ndalet ku jam ndalur unë dhe merret me kapriçe sintaksore do ta kuptojë se zotërinjtë janë zotërinj, pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës. Dallimi qëndron n’ ate se zotrinjtë tonë janë të zgjedhur me vota ligjora, ndërsa teta Hamdie dhe baci Haziz, edhe pse të lindur e të rritur si shqiptarë, e kanë zaptuar pushstetin me dhunë.

Ka dhe diçka tjetër: sudezët janë si shkiet e Cërna Gorës dhe, atë çast që bota nuk rrokulliset sipas konceptit të tyre, xhindosen më keq se Misini i tetës Rrushe. Këtë zakon e kanë trashëguar nga stërgjyshërit e tyre të lashtë, që ishin barngrënës dhe muskujt e përtypjes i kishin të ngjitur me tepen e kokës. Edhe ata vinin të gjatë dhe jetonin në xhunglat e Mitroviucës së soçme. Rrjedhimisht, edhe suedezët e donë pasurinë e madhe dhe, për ta ruajtur ate gjymtyrë të domosdoshme, ata, me ndihmën e një libri që quhet “Ligji i Suedisë”, kanë siguruar nga tri shtëpi; nga dy copa i kanë në territorin e Suedisë, kurse të tretën e kanë në brigjet e Detit Adriatik, Jon apo Detit të Zi.  

Ndryshe qëndron puna me ne. Ne jemi më të gjallë, më të gëzuar dhe më pak të prirun për prona private. Kjo vjen ngaqë ne, me përjashtim të hamhamëve, jemi pasardhës të llojit  “staradranis”, që një kohë e një vakt jetonte në Afrikën Qendrore dhe ushqehej me hardhje, krimba, zhapina e kafshë të moshës jomadhore. Stërgjyshërit tonë ishin endacakë të vërtetë dhe kënaqeshin duke u ngjitur me raca tjera.Për fat të keq, ne, si nga shtati, ashtu dhe nga trupi, vijmë më të vegjël se të parët tonë dhe këtë mungesë duhet ta kompenzojmë duke paguar banesat ku presim miq, kuzhinat ku përgadisim gjellë, krevatet ku bëjmë gjumë, tregjet ku blejmë banane, nevojtoret ku e zbrazim barkun dhe, kuptohet vetvetiu, truallin që e përdorim për të shkelur gjatë jetës tone të përditshme. S’ jemi sorra që të fluturojmë nëpër kaltrinë e qiellit.

Ku ishin, vallë, këto aguliçe, këto çallamare dhe lulëzonja që s’ i kam parë më parë?

Tani që m’ u dha rasti të kaloj nëpër tehun e kësaj gostie të fshehur prapa gardheve dhe qershiave japoneze, po e shoh se suedezët s’ janë të mençur, po shumë të mençur. Këta s’ e njohin profesor Shemën, por e dinë se ekuacionet politike, qofshin ata me një apo me dy të panjohura, duhet të shtrohen drejt. Përse të dalin në plazh e të përzihen me neve, kur vilat mund t’ i bëjnë në bythë të detit dhe të lahen e shplahen kur ua do qejfi?! Ne punojmë nga dhjetë, dymbëdhjetë orë, ndërsa këta punojnë sa gjysma jonë dhe, prapëseprapë, e gëzojnë jo vetëm distancën por dhe këndvështrimin: edhe piqen në diell, edhe e kundrojnë Kopenhagën. Të ishte e kundërta, gjegjësisht, të ishin të mençur si ne, të gjitha këto mrekulli do t’ ua lenin arixhinjëve të Sllovakisë dhe do të shpërnguleshin në Bangla Desh.

Zoti Selver po thotë se suedezët janë të këqinj.Çudi, pra, si ai, ashtu dhe zoti Bufi, e dinë se suedezët po nambajnë me banane. Kështu s’ veprojnë burrat e këqinj, por atdhetarët e vërtetë, të cilët, me aq samunden, përpiqen ta bëjnë vendlindjen e tyre edhe më të bukur se parajsën e të Madhit Zot. Dhe kend e kanë vendosur në atë parajsë? Na kanë vendosur neve.Pa na pyetur faresa gjak kemi derdhur për vendlindjen e tyre. Ne njëmend jemi ardhacakë por pastaj, pasi t’ i bëjmë edhe nja pesëmbëdhjetë vjet tjera në kët vend, do na gjejnë punë, do na ndërtojnë vila dhe do na furnizojnë me truproje. Kuptohet, punët më të mira do t’ i ruajnë për vete, po kjo s’ duhet të na dëshprojë, sepse jemi këpucëlëpirës të vjetër dhe dimë t’ ia puthim këmbët secilit njeri që ka mësuar dy fjalë serbishte. Nemas problemas. Ne, sado që hiqemi të ditur, s’ i plotsojmë kushtet për drejtues të fabrikave, spitaleve dhe enteve shtetërore. Po s’ ka gjë, se jemi të shkëlqyeshëm për pjatalarës dhe pastrues të banjove.

Aty këtu, ndonjë shqiptari të qytetëruar, si Iljaz Lumbabës, po i mbetet hatri që suedezët as po na vinë, as po na ftojnë. Kjo, për mentimin tim, është normale. Lazi po harron se  shokëte tij janë goxha të prirun për t’ i dhunuar bjondet nordike. Atëherë, pse të na furnizojnë me gjysmat e tyre, kur egziston tregu i begatë polak?!

Nejse, Lazi është një djalë i rrallë. Qielli i ditës soçme është edhe më i rrallë. I rimtë përtej flamujve të shprishur në erë. Midis meje dhe detit shpaloset një copë lëndine. Duke kaluar nëpër atë mrekulli, unë, mysafir i ardhur nga Gjithësia, konstatoj se jeta egziston mbi këtë pikë të rruzullit, por shenja të gëzimit s’ ka. Këtu s’ dëgjohen kokrizmat e fshatarkave që vijnë për ujë. Këtu s’ dëgjohet oshtimat e çekanave të Mile Kovaçit. Këtu dëgjohet vetëm cërcërrima e xhivxhanave, e cila, pa mëdyshjen më të vogël, ka qenë gjallë edhe dikur, kur njerëzit lëngonin nëpër kampet e përqëndrimit. Si erdha, vallë, këtu? Çka fshihet nën kapakun e kësaj kanistre misterioze: e drejta t’ i shikoj portretet e qenëve apo e drejta të transformohem në milingonë? Çfarë më cyti ta lë vendlindjen dhe të vi në këtë botë që as ka asht, as ka domethënie? Përse e zgjodha këtë geto të Evropës Perendimore? Përse dogja vite me radhë? Me sa duket, vetëm e vetëm për t’ u shëndrruar në një vrojtues të kësaj flore që ka shpërthyer në njëqind e njëmbdhjetmijë ngjyrna të palloit. Me nyanca që s’ gjenden në asnjë fjalor të gjuhës shqipe…

Rrofsh, o biçikleta ime, rrofsh! Ti je vetura më e sigurtë në botë. S’ të ndërroj as me kadilakun e prezidentit amerikan, se jo më me “mercedesin” e shokut Selver. Ik të ikim nga kemi ardhur, se s’ jemi ne për këtë parajsë.Parajsa jonë është një shtëpi e vogël dardane, të cilën s’ e kemi parë qe njëzet e pesë shekuj me radhë.Parajsa jonë është e mbuluar me gurë e me qeramidhe e varfëri të markës hinduse.Ajo është një pritje e gjatë dhe e pakuptimtë që duhej të vinte nga Harbanistani.Me vulën e kuqe të hazreti Aliut të madh.Mjerisht, ajo shkoi e u rrëzua në Bjeshkët e Rugovës dhe aty ka mbetur si kërmë e vrarë nga harmia.Si qenje e dërmuar nga vdekja.

E këtillë është natyra e gjërave.Një herë është lindja.Pastaj vjen vdekja.Shprishja organike e materies.Shkrirja totale e ëndrrave të kuqe.Kështu është shkruar në fletoren e trashë të të Madhit Zot: ai të gjallërojë, Hami të shkretojë. Zoti e falë një popull, ia ndriçon mendjen, e begaton, e shumëzon dhe e shpie në lartësi marramendëse, ndërsa Hami, nga ana tjetër, e bënë të kundërtën. Ai iufutet popujve në kokë dhe, qatej, e nis shprishjen e tyre e përgjithshme. Ajo shprishje, që është më mizore se lindja, ka një qëllim të caktuar: ta mbajë urën mbi lumë dhe ta përcjellë njerëzimin në një dimenzion tjetër, të cilin s’ e kanë përjetuar as picerastët e zotit Bufi, as picirucët e zotit Lumbaba.

Një ditë, tek po shëtisja me Maksut Sallapatën nëpër Parkun Mbretëror, më afrohet zoti Bashbakan dhe, me pozën e Moisiut në mal, më drejtohet me këto fjalë:

“ Ti, zoti Emrush, (m) je armik i popullit. Ka tre muaj që (m) ke hyrë në pyjet e foljes Jam dhe, nga sa po duket, s’ e ke ndër mend të dalësh prej tyre deri në ditën e Kiametit. More vëlla! A ke sy për të parë apo edhe ata të kanë lënë? A po e sheh që kemi probleme të ndërlikuara shpirtërore?

Edhe pse duhej ta bëj horr, s’ i thash gjëdhe e përcolla me buzëqeshje të ëmbël. Fundja, pse ta prishi lezetin e muhabetit kur unë e di, dhe Maksut Sallapata e di, seBashbakani është harbut dhe cilëndo ditë mund të katandiset në vallen e të sëmurve mentalë? Vendosa të rri nën flladin e foljes Jam, sepse kjo folje është si ato balenat e kaltra që, herë pas here, duke i përtypur fonemat dhe morfemat e gjuhëve të huaja, shkon dhe e kafshon ndonjë lëmyshk me gjenezë shqiptare dhe, në vend se ta pështyjë përjashta, siç do bënte me hithërat e detit, ajo e përzien me lëngun e fonemës “ë” dhe, papandehur, e fërfëllon në plehrat e Gjithësisë siç bëjnë rampat automatike të anijeve kozmike. 

Ata që s’ merren me gramatikë bëjnë mirë të dinë se prapa nofullave të foljes Jam gjendet një sitë, e cila, para se t’ i dyzojë rrokjet në fjalë dhe fjalët në fjali, instinktivisht i klasifikon degët në nëndegë dhe llojet në nënlloje. Këtë aftësi të saj, që aty për aty t’ i ndajë burrat nga gratë, të mirët nga të këqinjtë dhe të pasurit nga të varfërit, e patën observuar edhe grekët e lashtë. Me orvatjet e tyre të pandërprera për ta bërë greqishten gjuhë universale, ata shpikën lloj lloj simbolesh, teoremash e hipotenuzash, pa të cilat as gramatika, as sintaksa, nuk do të kuptoheshin mirë. Veçanërisht sintaksa, që merret me prirjet e saj erotike. Kështu, për shembull, kur themi se amerikanët janë amerikanë, ne s’ e kemi fjalën për amerikanët e infektuar nga S.I.D.A. por për amerikanët e gjatë si zoti Clinton apo Bush, të cilët, falë intervisatve kryeneçe, na bënë peshqesh një kanton të vogël shqiptar dhe një strofkë të grenzave që gjendet në veri të tij.

Sikur helenët e lashtë të rrinin duarkryq, shumë dukuri të diasporës shqiptare do pushonin në terr dhe s’ do ta dinim se a janë apo s’ janë këpucëlëpirës miqët e zotit Bufi.Kjo tezë s’ është imja po e hazreti Aliut të Gjirokastrës.Në njërën nga veprat e tij të fundit, ideologu i madh shqiptar dhe fanari i Evropës Juglindore konstaton se Jami ka origjinë interplanetare dhe herëdo kurëdo ka për ta shpëtuar rruzullin tokësor nga një përmbytje kolosale.

Për ta kuptuar më mirë Shenjtërinë e tij, do të nisem nga vetvetja. Ne themi: Unë jam, ti je, ai është. Dhe besa fort mirë që jam, se atë punë e dinë të gjithë fqinjët e mi. Edhe pak më mirë e dinë arapkat e Magrebit, me të cilat dal nëpër klubet e natës dhe argëtohem deri në mëngjes. Përse të gënjej, kur gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra?Leshrat e tyre krrela krrela, aroma e parfumit françez dhe buzëqeshjet e tyre të sinqerta ma kujtojnë faktin se unë, Emrush Dokua i gjallë, jam në bisht të universës. Mua s’ më ha palla për opinionin e ca iskariotëve dardanë, të cilët, jo vetëm Rudi Stagovën, por edhe gjysmat e veta i shesin për euro. Unë jam i kënaqur me të drejtat e mia qytetare dhe, sa herë që ndiej nevojë, vete e bëj pallën në Kopenhagë. Kuptohet, pasi vishem mirë, i laj dhëmbët me kollodont dhe qullem me Oscar de la Renta.

Këtë tabiat nuk e kanë picerastë. Ata edhe (m) janë edhe s’ (m) janë. Sipas fjalëve të Aliut, ata janë si mickonjat e uritura për gjak dhe përkatësinë e tyre kombëtare e shënojnë nëpërmjet mënyrës se si e shqiptojnë rrokjen e parë të foljes Jam. Edhe pse janë poetë të njohur, shkrimtarë, hartues të tekseteve pedagogjike, bashëkpunëtorë të mesëm të Akademisë se Shkencave dhe përfaqsues të qeverisë Provizore, ata për veten e tyre thonë se – (m) janë. Ata (m)  janë ajka... Ata (m)  janë baballarët e kombit... Ata (m) janë shpresa e vetme e popullit të robëruar dardan. Po rivalët e tyre politikë? A, ata (m) janë diçka tjetër. Ata (m) janë hajna. Ata (m) janë dhunues të plakave suedeze. Ata (m) janë paraspuça të fshatit Varosh. Ata (m) janë furnizues të tregut polakme miell të bardhë. Ata (m) janë gjithçka tjetër, por assesi të denjë për t’ u matur me picerastë. Pak më ndryshe qëndron puna mevëllezërit hamhamë. Hamhamët (m) janë njerëz të rrallë. S’ përzihen as me të parët, as me të dytët, ngaqë fonetika e tyre s’ njeh zanore e bashktingllore të markës evropjane dhe çdo gjë që del nga gurmazi i tyre bie erë lufte. Ata (h) janë të fortë. Ata hanë çelik. Ata hanë mish pule, por fare pak armiq. Dhe pse të hanë armiq, kur ja tek e kanë Musli Didën, që iu bën pizzaitaljane,musaka greke dhe lakrorë Struge?!..

Hamhamët janë të çuditshëm. Ata, sipas urdhërave të shokut Kemal, natë e ditë i glorifikojnë stanet e Harbanistanit por kurrë s’ e thonë një fjalë të mirë për Suedinë. Çudi, pra, duke prekur vellon e këtij mëngjesi, më mbërthen një fresk i çuditshëm hidhërimi. Përse, vallë, jemi kaq të egër dhe s’ e shohim të vërtetën në bebëz të syrit? A kemi ardhur vetë në Suedi apo Suedia na ka marrë me dhunë? Dhe nëse na paska marrë me dhunë, përse s’ kthehemi prapa dhe të matemi me Shkaun në log të mejdanit?

Diell, qiell dhe firma industriale. A jam unë në lëvizje apo objektet që gjenden rreth e përqark meje? Tani po e shoh se e kam lënë prapa Lagjen e pleqëve dhe, pa dëshirën time, kam hyrë në një pjesë tjetër të rruzullit tokësor. Këtu s’ ka kopshtije të lulëzuara, s’ ka portrete të qenëve – ”kujdes, mos e kërce gardhin”, se ata që banojnë në këtë kompleks janë drejtorë të firmave, njerëz të rëndësishëm. Janë “vipa” me fjalë tjera. Këtu është kati i dytë i piramidës Ham, prapa së cilës fshihen zyrat e shtruara me qilima orientalë, abazhuret e llampave çeke, perdet norvegjeze, arkat e mbushura me gurë të shtrenjtë, kompjuterët më të rinj dhe sekretareshat kolumbiane. Ne, ardhacakët, kemi të drejtë të kalojmë nëpër këtë lagje, por jo të hyjmë në ndonjerën nga këto godina. Jo, ne s’ guxojnë ta prekim botën e ëndrrave, sepse përtej tyre fshihen alarmi, kamerat digitale dhe burgjet specialë. Më mirë të ikim, se bën vaki rrëzohem nga biçikleta dhe e thej qafën.

Jam i mllefosur me vëllezërit e mi. Si me picerastët e zotit Bufi, ashtu dhe me picirucët e zotit Lumbaba. Ka kohë që përpiqem të depërtoj në trurin e tyre, por më kot; andaj më duket se ata, ndonëse kanë dalë nga e njëjta farë e bukës, nuk flasin si unë, nuk mentojnë si unë dhe nuk e zbrazin barkun si unë. Ajo që e ka paralizuar trurin e tyre është çeshtja se – a (m) janë apo nuk (m) janë? 

Unë them se janë, por ata më kundërvihen me një kryeneçi që nuk është parë në faqet e historisë kombëtare dhe, për ta dëftuar veten si ithtarë të demokracisë, e kanë thirrë një kuvend të madh, në të cilin, përpos dimenzioneve të foljes Jam, e paskan ndërmend ta diskutojnë edhe çeshtjen e Luftës Nacionalçlirimtare. Ishalla merren vesh me njëri tjetrin, por ka rrezik të ndodhë e kundërta.

Deri tani heshtja ka qënë kompakte. Po flitet se n’ atë kuvend janë ftuar disa nga fytyrat më të ndritshme të kulturës dardane. Janë ftuar edhe disa fytyra më pak të ndritura të kulturës dardane, si Kemal Taraku, Iljaz Lumbaba, Nezir Kakiçka, Sherif Çampalla, Abdirrahman Kola, e ku di unë, por prania e tyre s’ çon shumë kandar, sepse shumica janë bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja. Madje njëri prej tyre, Mirlind Daka – Dardani, ka studjuar në Beograd dhe e flet sërbishten më mirë se Kërlezha.

Kryesorja, n’ atë kuvend do të ketë më shumë të huaj se vendës dhe në mesin e tyre do të figurojë zoti Bufi, si dhe nja tre katërqind anëtarë të Lëvizjes për Exportin e Çallgixhinjëve Shqiptarë në Evropën Perendimore. Kuvendi do të mbahet në Blentarp –kjo është e sigurtë – dhe për atë qëllim Komisioni përgaditor ka porositur nja shtat qëngja të pjekur, katërqind pula që do piqen në zgarë dhe pesqind shishe verë. Duke qënë se disa nga mysafirët janë miq të Daut efendi Batallit, Iljaz Lumbaba i paska lutur picirucka të mos vishen shumë trashë, se ka rrezik që pjesëmarrësit e kuvendit të bien në gjumë.

Sidoqoftë, mënyra më e lehtë për të mësuar se a (m) janë apo nuk (m) janë picerastët shqiptarë është  - duke e kthyer foljen Jam në kokërr të shpinës. Unë, si pedagog, do të nisesha nga një strukturë e thjeshtë gramatikore të cilën e kuptojnë edhe nxënësit e klasës së dytë. Ata janë. Kur them se janë, nuk e kam fjalën për kinezët e ishullit Taiwan, por për picerastët e zotit Bufi, që herë (m) janë, herë nuk (m) janë.

Iljaz Lumbaba, që konsiderohet si njohës i mirë i asaj sekte, thotë se një kohë e një vakt, ata ishin. Ata ishin ithtarë të flakët të Shokut Kiço dhe banonin në pjesët më atraktive të Prishtinës. Atëbotë shkenca ishte në zenit dhe picerastët, për ta shënuar vendin e tyre, nuk e quanin veten picerastë por skojevca të Shokut Kiço. Duke qënë se ca prej tyre ishin shumë të mençur, dhe ca të tjerë më pak të mençur, ata u ndanë në dy grupe: në skojevca të mëdhenj dhe skojevca të vegjël. Të tjerët, që s’ i takonin as grupit të parë, as grupit të dytë, quheshin reakcionarë, armiq të popullit, nacionalistë, irredentistë, separatistë dhe bashibozukë të Shaban Polluzhës. Rrjedhimisht, të gjithë ata që kishin pretendime të bëhen policë, rojtarë, zadrugarë, korrektorë dhe arsimtarë të shkollave fillore bënin pjesë në grupin e skojevcave të vegjël. Të tjerët, që kishin pretendime për poste më të larta, gjykatës, redaktorë, kryeredaktorë, drejtorë të televizionit, ambasadorë, ministra dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave, bënin pjesë në degën e skojevcave, gjegjësisht, bythacakëve, të mëdhenj.

Pa marrë para sysh kompetencat e zotit Iljaz, jam i detyruar t’ i kundërvihem në një pikë shumë qenësore. Ai thotë se gjatë epokës së lartpërmendur, kur Daut efendi Batalli e ndiqte etikën e përkuljes së kurrizit, të gjithë picerastët ia lëpinin këmbët Shokut Kiço. E me që i lartpërmenduri kishte vetëm dy këmbë, ato s’ mund t’ia puthnin të gjithë përnjëherë, por sipas një rendi hierarqik që hartohej në ish Këshillin Krahinor. Në pamundësi t’ ia puthin të gjithë, picerastët patën hartuar një listë tjetër, sipas të cilës ua puthnin këmbët edhe eprorëve më pak të lartë dhe, n’ atë mënyrë, i siguronin vetes bursa, banesë shoqërore, katedra apo kolltuqe të pamerituar të Akademisë së Shkencave.

Derisa shoku Kiço ishte gjallë, picerastët s’ iu larguan prapanicës së tij. Paçka se një ditë, të cilën as shoku Kiço s’ e kishte paraparë, ai iku në parajsë dhe Kiçovinën e mbuluan grevat, trazirat, fushatat dhe gjykimet e njëpasnjëshme. Pak a shumë si bretkosat e Egjiptit të Lashtë. Gjatë asaj kohe, që është më tragjike se dalja e çifutëve nga Egjipti, picerastët s’ e luajtën asnjë gur për çeshtjen kombëtare dhe vazhduan t’ ua puthin këmbët kiçoistëve tjerë, gjithnjë me shpresa se duke vepruar ashtu, do t’ i ruanin rrogat,  banesat dhe dëftesat që dëshmonin se kur dhe në ç’ mënyrë ua kishin puthur këmbët eprorëve të tyre. 

Kur i dëgjoj tani të flasin për veprimtarinë e tyre patriotike, më ngjethen leshërat e trupit. Ah, maskarenj, maskarenj! S’ jeni ju atdhetarë, por dilinxhinj. Gjatë ngjitjes dhe rënies tuaj s’ keni parë tjetër bythë pos asaj të Dyl Tahirit, Xhavit Selmanit dhe Daut agë Batallit. Tani ju paska marrë malli edhe për bythën e bacit Hetem. Puthjani Rudit, mor të shkretë, se prapanicën e bacit e kanë rezervuar vëllezërit hamhamë!..

Një çeshtje që, përpos meje, i ka preokupuar edhe shkencërtarët e huaj është kjo: po shtohet apo po zvogëlohet numëri i picerastëve shqiptarë? Sociologu danez, Hans Dietrich Rasmussen thotë se po zvogëlohet. Çuditërisht, përkundër të dhënave të të lartpërmendurit, sociologët suedez e thonë të kundërtën dhe e paralajmërojnë qeverinë e tyre për ca lëvizje suspekte nëpër pyjet e Smolandës Jugore. Dhe frika e tyre s’ është e paarsyeshme nëse shihet në dritën e disa ngjarjeve misterioze. Papandehur, nëpër pyjet e dendura të asaj krahine, nëpër të cilat dikur endej stërgjyshi ynë Nils Dacke,  kanë pikuar nja dy ish milicë nga Pollogu, dy eprorë të Lëvizjes për Mbrojtjen e Macave të Pashtëpia, një veterinar i shkencave filozofike dhe nja tridhjetë picirucë të Kemal tarakut. Këta partizanë të vendlindjes tonë hallemadhe,me përkrahjen e zonjës Plluqka, jo vetëm që janë shtuar, por edhe janë shplarë nga krimet e epokës kiçoiste. Që nga nëntori i vitit të kaluar, ata po merren seriozisht me përgaditjen e një kryengritjeje të madhe dhe në aradhën e tyre kanë ngatrruar shumë dashallakë të racës boshnjake. Ata kanë krijuar gjoja një Shtab lufte, kanë caktuar njerëzit për mbledhjen e mjeteve financiare, kanë zgjedhur një komandant të forcave të armatosura dhe, në pritje të sinjalit, po i pastrojnë atletet, me të cilat do ta shkelin truallin e Dardanidës Hallemadhe. 

Dhe jo vetëm kaq. Me sakrificat e mëdha të profesor Shemës, ata kanë rekrutuar edhe një numër të madh të politikanësh joshqiptarë, të cilët, pas shumë propozimesh e kundërpropozimesh, e kanë quajtur veten ” Lloby i Krushës madhe”. Duke qënë se Dardanidën e presin kohëra të arta, detyra e atij ”llomi” është të mbledhë të dhëna të rëndësishme për informimin e opinionit botëror. Në meskohë, nën udhëheqjen e urtë të zotit Bufi, ata po i ndajnë edhe postet e ardhshme qeveritare. Zotin Bufi e kanë emërtuar “ il kapo di tutti kapi” gjegjësisht “ kapuç të të gjithë kapuçave “; Abdirrahman Kolën e kanë emërtuar ministër të mbrojtjes; Profesor Shemën e kanë emërtuar ambasador fuqiplotë të Dardanidës në Pakistan; ndërsa Selverit ia kanë rezervuar postin e ministrit të financave. Për ta ruajtur pozitën e tyre, si të parët, ashtu dhe të dytët, janë betuar solemnisht se nuk do të zihen me picirucët e Iljaz Lumbabës, sepse këta të fundit, për shkaqe praktike, janë më të interesuar për kurva polake, se për atentate, mjete eksplozive dhe lufta nacionalçlirimtare.

Ardhja e picerastëve në këtë vend është pritur me emocione të përziera. Iljaz Lumbaba, për shembull, është gëzuar shumë. Ai njihet me ca prej tyre dhe e di se ata janë konsumues të mëdhenj të videokasetave pornografike, unazave të arta dhe të konjakut shqiptar. Maksut Sallapata, nga ana tjetër, është pikëlluar për vdekje. Duke i parë ditë për ditë me Shën Pjetrin e Drenicës, ka ardhur në përfundim se mushkat e Sedllarit janë njëqind herë më krenare se myxhahedinët e zotit Bufi. Si kompenzim që e tradhëtuan vendlindjen, ata kapsamuna të sapodalë nga duart e ish kolegëve të tyre, nuk kanë gjetur ngushllim tjetër veçse të hanë, të pinë e të dehen nëpër kulubet e diasporës. Maksuti s’ është në gjendje të kuptojë si ata shqiptarë, që deklarojnë se janë pasardhës të Gjergj Kastriotit, vullnetarisht ua çojnë gratë dhe bijat e tyre nëpunësve të Drejtoratit Shtetëror dhe i lusin – merre me mend! – i lusin për një strehim, qoftë ai ekonomik apo humanitar. 

Mua, pra, s’ po më çuditë asgjë.Sipas informative që kam, ata shtetas të ardhur nga Ilirida janë poaq shqiptarë sa dhe vjehrra ime suedeze. Ata kanë qënë mbiemra pronorë dhe kurrë s’ e kanë quajtur veten shqiptarë, por shqiptarë të Kamenicës, shqiptarë të Gollobërdës, shqiptarë të Velesit, shqiptarë të Ulqinit, shqiptarë të Zarës dhe shqiptarë të rrethinës së Manastirit.Gjithmonë pronë e armiqëve shekullore por asnjëherë sherbëtorë të Shqipërisë Etnike.Pa marrë parasysh se sa e donin prijësin e tyre, ata që sot po shiten atdhetarë, ndërsa dje t’ i nxirrnin sytë për mustaqet e shokut Kiço.

Dhe ne ishim tolerantë.Endeshim si zangoçë të uritur, shpesh here me kokë në thes, dhe i ledhatonim si vëllezër të gjakut, u blenim kafe dhe dhe i mbanim në krye të vendit.Vetëm e vetëm për hir të unitetit.Edhe atëherë kur ata, tezakët e Selman Morinës, ngarkoheshin me trasta, baskia, ndenjëse të nevojtoreve, llampa kristali e kamera televizive dhe shkonin në vendlindjen e “tyre”.Këtu me shtëpia, atje me shtëpia. Këtu nën hije, atje nën hije... Por një ditë u lëkund toka nën këmbët e tyre dhe ata mbetën pa kotece të pulave. Kur e panë tmerrin me sy, iu ra ndër mend për neve.Ndihmë, se mbaruam. Ndihmë se na dogjën shkiet. Ndihmë, se do na rjepin të gjallë. Do t’ ju rjepin, o miq, se kishit hyrë në gropë të qenefit.A ka përkulje më të poshtër se përkulja juaj? Ata ju rrifnin, ju vrisnin, ju torturonin, ndërsa ju,ndjekësit e Jezu Krishtit, na rekomandonit t’ ua kthejmë serbëve edhe faqen tjetër!!!..

Edhe unë, si Maksut Sallapata, kam filluar të flas me vetveten. Flas unë me diellin, me hënën, me terrin e natës, me mëngjesin, me erën.Më së shumti flas mepemët, se babën e kam patur kopshtar. S’ kam nevojë për tinguj, rrokje dhe fjalë për ta përshkruar kaltrinë e qiellit apo gjelbrimin e tokës. Mjafton të shikoj rreth  e përqark dhe të kuptoj se jam duke e dëshmuar ringjalljen e vdekjes. Ne jemi, ju jeni. Ato janë. Janë të bardha lulet e qershiave. Janë të kuqrremta lulet e mollave. Janë të rralla puplat e reve që e kanë mbuluar pasqyrën e qiellit. Janë të përfjetura daullet e erës. Janë të fortë grushtat e pezmit që po më godasin në qendrën e sistemit nervor dhe po më detyrojnë të ndalem nën hijen e ndonjë gardhi dhe të pështyj me sa fuqi që kam. Shporru jetë e poshtër mërgimtare.

Jo, kronika ynë s’ do të shkruhet kurrë. Jo kronika e shkruar me rreshta të rrallë, e kallaisur me fije të sermit rus, por kronika e vërtetë, kronika e ardhacakëve dardanë. Është e vërtetë se s’ mungojnë shkrimtarët apo vullneti krijues, por mungon gjinia e përshtatshme letrare. S’ di njeriu se çka do të delte nga ajo vepër ruso-anadollake: novelë, roman apo komedi e tipit shekspirian. Armend Gjata, që merret me gjithçka nga pak, është i mendimit se ajo vepër, sipas yrnekut më të ri të fjalëformimit shqiptar, duhet të quhet “ Picerastida”. 

Sa për fillim, ajo vepër duhet të hapet me bisedën apokaliptike që zhvillon Haqif Neza me shpiunin e tij Kajan Papërdhoku, kur e cakton si emisar politik në Suedi dhe e urdhëron ta informojë rregullisht mbi veprimtarinë irredentiste të mërgimtarëve shqiptarë. Deri n’ atë çast Kajani ka qënë një askush, një zallangur dhe skojevc i ngarkuar me morra. Thash: ka qenë. Tani ai ka hipur në grada, se është martuar me boshnjake të Kashtanjevës, grua e vejë dhe e vendosur në njërën nga zonat më të pasura të Suedisë Jugore. Vëllimi i parë i asaj vepre do të duhej, sipas Armendit,të mbaronte me ardhjen e Kajanit në Ystad dhe punësimin e tij në Zyrën e ardhacakëve sllavë nga Kiçovina.

Pastaj vjen ” Kulub Namja”, vëllimi i dytë. Kjo pjesë duhet t’ i trajtojë përpjekjet e pareshtura të axhaminjëve dardanë për ta ngritur një shoqatë “kulturoartistike”. Që ta japësh një pasqyrë të vërtetë, autentike, të asaj periudhe është njësoj si ta marrësh Tomorrin në shpinë dhe ta vendosësh në midis të Prishtinës. Ditën ndërtonim, natën gërmonin. Ne ndërtonim, ata gërmonin. Hyzmeqarët e Legatës Jugosllave. Kjo veprimtari zgjatë deri sa vjen një serb me mbiemrin Zurovac. Pas ardhjes së atij qeni dhe me punën vetmohuese të Kajan Papërdhokut, njëfarë Kismet Kerimit dhe Shën Pjetrit nga Drenica, shoqata e ardhacakëve dardanë shëndrrohet në banjo të Legatës Jugosllave. Sa është e vërtetë, nuk e di, por kam dëgjuar se Mirlind Daka, për t’ i shpëtuar ndonjë thike të mprehur për te, shpesh herë kamuflohej prapa llagapeve që huazonte nga gazetat dhe romanet e huaj. Mirlindi s’ është shqiptari i vetëm që aplikonte këtë metodë konspiracioni. Ka dhe të tjerë, por ata po pushojnë nëpër varrezat e ftohta të Evropës Perendimore.

Vëllimi i tretë, ”Byrek Namja”, duhet të jetë i ngjeshur me mbledhje e konsultime të gjata në Legatën jugosllave. Herë pas here, mbi tavolinën e shokut Zyrovac katandiset edhe ndonjë byrek me mish i zonjës Hilmie, ndonjë raki e fortë nga Lumthati, ndonjë groshë me mish nga Tetova dhe ndonjë kabuni e përgaditur sipas recetës së Gostivarit. Kjo periudhë duhet t’ i përfshijë edhe orvatjet e njëpasnjëshme të zonjës Shadie, nënës së Kismetit, që ta ndajë djalin e saj nga një vejushë daneze dhe ta martojë me një myslimane të kombësisë turke. Kjo dëshira e fundit është pak e ngatrruar, se Kismeti, djali i zonjës Shadie, ishte i lindur për bigami. Ai donte të jetonte me dy gra: njëra të ishte myslimane dhe e mbyllur ke shtëpia, ndërsa tjetra të ishte e krishterë dhe e punësuar në tragetet që shkonin e vinin nga Danimarka. Njëra duhej të gatuante byrek e shishkebab, tjetra t’ ia mbushte kuletën me pare. Ky vëllim duhet përfunduar me ndarjen e Kismetit nga Stina dhe ikjen e tij në Stamboll, ku do ta takonte gruan e tij të ardhshme, zonjën Hanko.

Vëllimi i katërt, ”Kafiq Namja”, duhet ta trajtojë epokën kur shoqatat e ardhacakëve dardanë, me urdhër të Haqif Nezës dhe Qerim Broshajt, njëra pas tjetrës shëndrrohen në kafiqa të Legatës Jugosllave dhe shtalla një drenicaku, të cilin shqiptarët e dinë me emrin Shën Pjetri nga Drenica. Tani nëpër lokalet e tyre kultivohet bilardoja, bixhozi dhe striptizi ilegal. Jo më sipas sugjerimeve të Kajan Papërdhokut, por sipas skenografisë së Kismet Kerimbabës dhe dyzet hajnave të tij. Kësaj periudhe i takon edhe ajo letra e gjatë e Shën Pjetrit, përmes të cilës i Lartpërmenduri, duke ua kujtuar lidhjet e tijame Sinan Hasanin, i thërret shqiptarët e Dardanidës ta ndjekin rrugën e Shokut Kiço dhe të mos bien në grackat e ballistëve dhe irredentistëve shqiptarë. 

O, po ku ta gjesh atë pendë që do t’ i përjetësonte përpjekjet e picirucëve shqiptarë për t’ i ruajtur pashaportat jugosllavë dhe për t’ u thekur në plazhin e Beçiqit? Si sot më kujtohen videokasetat e gjata, thuajse të pafund, të Kajan Papërdhokut, që na i sillte nga bregdeti i Cërna Gorës për të na bindur që ai s’ ishte dokushdo por shpiuni dhe bythacaku më i kotë që ka ecur mbi faqen e Dardanidës Hallemadhe. 

Një vëllim i pestë, ”Aheng Name”, mund t’ iu kushtohej festave serbo-shqiptare që bëheshin në lagjen Persborg, si dhe përpjekjeve kolosale Kajanit që natën, kur qyteti bënte kokrrën e gjumit, bashk meBekajt e Varoshit, t’ i likuidonte parullat e rrezikshme të irredentistëve shqiptarë nga ndërtesat e Rosengårdit. Aty duhet të përfshihen edhe mbledhjet e gjata që u mbajtën në shtëpinë e Hasan-Ali Haqifit, nënkryetarit të “shoqatës”, për ta distancuar diasporën nga kërkesat legjitime të popullit dardan për një republikë të lirë shqiptare, si dhe orvatjet e njëpasnjëshme të Legatës Jugosllave për t’ i likuiduar azilantët politikë Mirlind Dakën, Bahri Bytyqin dhe Emrush Dokon. Ajo, që të lartpërmendurit Daka, Bytyqi e Doko duhej të qëroheshin nga faqja e dheut, dihej vetvetiu; problem ishte vetëm mënyra e vrasjes. Sipas instrukcioneve të konsullit Zurovac, vrasja duhej të ishte e lehtë dhe e sofistikuar, por sherbëtorët e tij ishin tepër të leshtë për t’ i kuptuar urdhërat e shkaut të Bosnës. Ca prej tyre, si Naim Beqa e Hasan-Ali Haqifi, propozonin vrasja duhej bërë me makinë. Thjesht, duke i shkelur në rrugë; të tjerët, si Kismet Kerimbaba dhe Shën Pjetri nga Drenica, ishin të mendimit që vrasja duhej bërë me helm. Vetëm Kajani kishte një sugjerim të tretë. Ai, pas një konsultimi të gjatë me Haqif Nezën, propozoi që atë vrasje t’ ua lenin djemve të tetës Hamdie, sepse ata ishin edhe më trima, edhe më të regjur në vrasje politike. ( vazhdon)

/Ramadan Rexhepi/

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (0 Publikuar)

Total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin që shikoni në imazh:

Captcha
  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

0
Presheva Web Portal