Ballina | Botime | Prozë | Gate number six /3/

Gate number six /3/

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Gate number six /3/

 

Shyqyr Zotit, shpëtuam. S’ u kualifikuam për ato këngët e gjata epike, të cilat po këndohen nëpër diskotekat e hamhamëve shqiptarë.Por nëse ne, tre katër nopranë, shpëtuam nga thonjtë e kiçoistëve shqiptarë, autoriteti i picirucëve ra si kulla e letrave.Papandehur, kur të rinjtë e të rejat dardane u katandisën nëpër burgjet e Kiçovinës së Federuar,në limanet e Suedisë zbarkuan picerastët e parë, të ngarkuar me marka gjermane, valixhe turke dhe vërtetime të vulosur nga vetë funkcionarët e Udbës.Nëse dukja e hamhamëve ishte e kripur me përralla të letërsisë fantastiko – shkencore, ardhja e profesor Shemës, Bashbakan Bufit e picerastëve tjerë ishte e planifikuar deri në përsosmëri.Misioni i tyre ishte që ta shplajnë Selimin Kroshajn, Haqif Nezën dhe Nasuf Kurkushin nga parfumi i bajgave kiçoiste.

Gëzimi ka të drejtë: do të duhej edhe një vëllim i gjashtë, një Hamam Name, për ta përshkruar ardhjen e vëllezërve picerastë në truallin  e bekuar skandinav. Këta patriot të rinj të Kiçovinës, të cilët zoti Bendo i ka quajtur “pleshta të atij farë sendit”, shkruan edhe një faqe të ndritshme të histories Kombëtare duke i lënë gratë e para “te shtëpia” – se dikush duhej ta ruante Dardaninë nga Shkau – ndërsa gratë e dyta, të veshura me minifunde e hallka të florinjta, na i prezantuan si sekretaresha të ambasadave të ardhshme. Me t’ u vendosur nëpër kampe, sipas marrëveshjes që kishin bërë me njëri tjetrin, i morën me telefon baxhanakët, baxhanakët e baxhanakëve, djemt e tezeve, djemt e hallave si dhe vjehrrat e grave të para, për t’ i sinjalizuar që të iknin sa më pare dhe fajet t’ ia lenin Rudi Stagovës… Se Rudi është ngucakeq... Rudi themeloi Lëdëkënpër ta shembur Kiçovinën… Rudi po e nxjerr popullin në Evropë…Rudi po kërkon marka… Rudi po kërkon Dardani të pavarur… Rudi po na thërret në luftë… Dhe ne do vemi prapa… Ishallah  mefyshekë e kallashë mbi supe... Sa të vishet mali me gjethe…

Duke marrë para sysh birrat që po pihen nëpër shoqata, jam i sigurtë se gjashtë vëllimet e asaj kronike të madhe nuk do të shkruhen as në mijëvjeçarin tjetër. Dhe ç’ djallin po na duhen kronikat, kur i kemi të gjitha të tjerat?! Kemi disko, kemi piceri, kemi banesa të rehatshme, kemi ujë të ngrohtë dhe kemi banane. Letërsia të shkojë atje ku s’ shkruhet me laps, se fundi i fundit, ata pak shkrimtarë që kanë një grimë krenarie, janë katandisur nëpër klinika psikiatrike dhe po flasin me veten si Maksut Sallapata. Po flasin për dasma, për pastërmë, për ahengje, por më së shumti për ato katër republikat shqiptare që do të krijohen para agut të pranverës.

Nejse. Nëse shkruhet ndonjëherë kronika e ardhacakëve shqiptarë, autorët e saj s’ guxojnë t’ i harrojnë as motrat picirucka, që janë pjesa më vitale e diasporës skandinave. Atojanë qenie të gjata, të hirshme dhe shumë elegante. Po flitet se kur arritën në Ystad dhe i panë makinat suedeze nëpër “autobahn”, ato desh u tranuan nga gëzimi. Diçka ndodhi në trurin e tyre, sepse nga ajo kohë, shtretërit e fjetjes – që rëndomt janë lëndina të puthjeve e dashurisë – papandehur u shëndrruan në arkivole të të vdekjes. Që nga ajo kohë ato s’ donë dashuri të thjeshtë dardane, por videokaseta, minifunde dhe bylyzykë të veshur me gurë të shtrenjtë.Ca prej tyre, si Neslihan Kerimbaba, Filja e Haxhi Zenelit dhe Mevludja e Papazëve, desh u tranuan për të shkuar në Stamboll dhe për të blerë hallka e peslira të epokës së Sulltan Reshatit. O, Stamboll i bardhë – si borë, po t’ vinë motrat mepare– në dorë…

Të gjitha këto mrekulli s’ do të ndodhnin sikur fryma patriotike e vëllezërve dardanë t’ ishte më e zbehtë. Fatlumnisht, ata janë të sigurtë se fitorja është afër dhe ndonjë punë më të madhe s’ kanë nevojë ta bëjnë. Mjafton t’ i çojnë fëmijët në shkollë, të organizojnë aty këtu ndonjë mbledhje vjetore në shoqatat e tyredhe  të marrin ca vendime të natyrës pompoze. Me izë të Zotit, ata vetë do të kthehen në Dardani për të punuar si këshilltarë të qeverisë,po fëmijët e tyre do të rrinë këtu. Fëmijët e tyre s’ kanë nevojë për vendlindje, se janë lindur larg atdheut,por duhet të shtiren shqiptarë për hatrin e nënave dhe baballarëve. Sa janë shtëpia, ata veten e quajnë dardanë, por me të dalë n’ oborrin e Zllatanit, menjëherë shndërrohen në arabë, suedezë, anglezë, gjermanë, qebesa dhe hindus. Duke qënë se një ditë do të bëhen avokatë, mjekë, mikrobiologë, deputetë e juristë të shquar, ata s’ ndiejnë nevojë për gjuhën e tyre amëtare, sepse me prindërit mund të komunikojnë edhe në gjuhën anglishte.

Kjo është arsyeja që po i nxitë picerastët të rrinë kokulur. Ata sikur s’ janë krenarë sa duhet dhe turpin e tyre donë ta mbulojnë me dëngla. Sa herë që ulen në ndonjë lokal, bisedën e fillojnë me një ton të ëmbël, vëllazëror. – A vërtet u vendos a? – Po, qebesa, u vendos. – Po çka u vendos, bre vëlla? – U vendos të likvidohet Izet Stagova. – Po pse bash Izeti,t’ kisha me ditë? Fjala ishte të likvidohej Emrushi.  – Jo, jo,  Emrushis’ vjen në pyetje, se e ka krahun të fortë. Por ka mundësi që ta hajë Armendi. Armend Gjata. – Ashtu, a? – Hajde, hajrli qoftë, se bën Dardania edhe pa atë hu gardhi.

Dhe ndonëse është vendosur që vrasja të mbetet sekrete, ata e nxjerrin shpejt e shpejt në treg, sepse të gjithë, veçanërisht hamhamët e Haradin Gjambazit, duhet ta ndiejnë efektin e tyre. Ku ta dish, nesër – pasnesër shlirohet Dardania dhe papandehur çfaqen parregullsira në ndarjen e posteve.

Vlen të ceket se të gjitha mbledhjet e vëllezërve picerastë mbahen pa proçesverbale. Ato gjithmonë fillojnë me këngën korçare “ Vemi, o vemi” dhe pastaj vazhdojnë me fjalën e Bashbakan Bufit, i cili, si kapuç i të gjithë kapuçave,i këshillon ushtarët e tij të mos mërziten shumë, se shpejt, mbase për pa dalë gjethi në mal, ata do t’ i veshin “atletet” e bardha dhe do të zbarkojnë në kodrat e Drenicës. Shyqyr Zotit, shtabi ka siguruar ca pushkë bullgare dhe ato mjaftojnë për ta çliruar Pejën e Gjakovën, pa sa i përket asaj pjesës tjetër, që njihet si Drenica, Gollaku, Karadaku, Gjilani e Tetova, atole të shlirohen vet, sepse shqiptarët e atjeshëm janë biznismenë të fortë dhe narkotrafikanë të shquar. Kryesorja, le të shlirohet Peja Gjakova e Istogu, se ato tjerat çlirohen vetë…

Çuditërisht, doli gjethi e ka filluar të zverdhet, por picerastia s’ po luan nga vendi. Me sa duket, Haqifi i ka njoftuar se atje poshtë s’ ka asistencë sociale dhe këta, në pritje të gjethit tjetër, po majmen me suxhuk dhe banane të kualitetit arab. Më ka rënë në sy se, derisa janë duke rekrutuar ushtarë, picerastët e çojnë ”shtabin” e tyre në qiell, por sa kalon muaji i parë, nisin ta luftojnë keq e më keq, thua se s’ e kanë zgjedhur vetë, por ua ka dërguar Mlladiqi nga Serbia.

Herë herë njeriu ka përshtypje se picerastët janë bashibozukë, por kjo s’ është e vërtetë. Në dorë të parë, ata janë anëtarë të rregulltë të një partie demokratike dhe kanë një program të avansuar për formacionin e ardhshëm shtetëror; në dorë të dytë, ata kanë shtabin e luftës, mbledhjet e shtabit dhe parullat me të cilat komunikojnë midis vedi. Fjala vjen, kur ulen të pinë kafe, ata shëndrrohen në mumje. Këtë pamje s’ e veshin se janë të vdekur, por sepse janë të lidhur me njëri tjetrin. Me fjalë tjera, ata janë dhe kushdo që e thotë të kundërtën, duhet të shënohet në librin e të mallkuarve. Ky libër, që ka vlera të mëdha historike, ruhet në arkivin e “shtabit” dhe do t’ i dorëzohet ministrit Kurkushi pas çlirimit të atdheut. Kjo është arsyeja pse më kanë shpalluar “ armik” dhe donë të më likvidojnë me çdo kusht. Ata, që nga kapuçi i të gjithë kapuçave, e deri ke Shaqiri i tetës Xhezide, janë betuar të më luftojnë deri në vdekje. 

Akuza më e rëndë që mund ta kurdisin picerastët është se – Zotrote (m) je shpiun. Unë, për shembull, shoqërohem me ca arapka të Magrebit. Rri edhe me tjera, por më së shumti me ato motra që punojnë në fabrikën e çorapave. Kjo u paska dhënë shkas të më shpallin si shpiun të Lartmadhërisë së Tij, Hasanit të Katërt, nga Maroku. Rudi, nga ana tjetër, është admirues i artisteve amerikane. Dhe pse të mos jetë? Artistet amerikane janë gra të bukura. I tërë populli amerikan është i bukur. Mos tjetër, nga mëndja e tij ka dalë kinematografia, Holivudi, bomba atomike, artistja Merylin Monroe, shkrimtari Ernest Hemmingway, shkencëtari Emerson, prezidenti Kennedy dhe, kuptohet vetvetiu, miku i madh i popullit shqiptar, Bili Klinton. Mirëpo kjo s’ qenka në rregull dhe picerastët, ndonëse shtiren tifozë të Rudit, e kanë shpallur shpiun të prezidentit Bush. Xho DioGuardi, nga ana tjetër, që është më amerikan se amerikanët, sipas tyre, është shpiun i Aziz Fazliut, nipit të tetës Hamdie… Ec e merri vesh ata majmuna!..

Figura më e spikatur e vëllezërve picerastë është zoti Bufi. Bashbakani është gjithnjë i mentuar, sepse në dorë të parë është shkencëtar dhe në dorë të dytë është lider politik. Si i tillë, ai prore vazhdon ta studjojë prejardhjen e fisit të tij dhe ka ardhur në përfundim se të parët e tij janë gjithsesi pasardhës të llojit “Staradranis”.  Po dihet që tani se një ditë, kur Bashbakani do të dalë para opinionit shqiptarme zbulimet e tij, bota shqiptare do ta kryqëzojë si Jezu Krishtin. Kjo, me sa duket, e ka trembur Selverin, por ai po e mba veten.  Fundja, Selveri është Selver dhe s’ ka prirje tjera pos për të mbledhur krona dhe për të blerë rrota të makinave. Shkenca, nga ana tjetër, është shkencë dhe pushon mbi tabanin e argumenteve shkencore.

Sa për ta ilustruar këtë çeshtje, propozoj të vemi ke majmunat. Fakt është se majmunat janë të ngjashëm me ne. Ata kanë po aq dhëmbë sa dhe ne, po aq muskuj sa dhe ne, dhe po aq gëzof sa dhe ne. Madje kanë edhe më shumë gëzof se ne. Truri i majmunave është po aq i madh sa dhe truri ynë. Treqind e pesëdhjetë centimetra kub. Megjithate, në një fazë të caktuar historike, truri i tyre fillon të rrudhet, kurse ai  yni të rritet, të zmadhohet. Kjo varet nga afërsia apo distanca ynë nga dega e llojit “ Homo Sapiens”. 

Kjo dukuri i ka rënë në sy edhe zotit Bufi dhe ai ka ardhur në përfundim se profesor Shema ka lidhje të largëta me llojin “ Shimpansis”, sepse truri i tij është më i vogël se truri i dacit të tetës Sherife. Nga ana tjetër, ai ka konstatuar si truri i tij është më i madh, më voluminoz, dhe kjo dëshmon seai, si të gjithë pite-rrastët, ka lidhje të afërta me llojin  “Neandertalis”. Nga kjo mund të konstatohet se të parët tonë nuk dallonin shumë nga njëri tjetri. Skeletet e tipave “ staradranis” dhe “ neandertalis” ishin mjaft të ngjashëm. Kjo vlen edhe për përbërjen e gjakut. Plazma e llojit të parë është shumë e ngjashme me plazmën e llojit të dytë. Megjithate, dallimet anatomike janë të dukshme si në aspektin e nofullave, ashtu dhe në qëndrimin e trupit. Pasardhësit e llojit “staradranis”, fjala vjen, kanë mbetur me nofulla të kyçura, ndërsa pasardhësit e llojit “neandertalis” dinë edhe të flasin, edhe të mentojnë, edhe të dalin në ballë të kopesë. Të ishte e kundërta, zoti Budi s’ do t’ ishte sot kapo por një majmun i rëndomtë.

Për ta shpënë tezën e tij deri në fund, ai ka bërë ca krahasime të ngjethshme midis të parëve të tij dhe babianëve që jetojnë në pyjet e Afrikës Ekuatoriale dhe ka ardhur në përfundim se egziston një dallim margjinal midis llojeve të lartpërmendur. Ai dallim ka të bëjë – përsëri – mezhvillimin e trurit. Shkaqet që truri i babianëve ka mbetur i vogël s’ duhet kërkuar në sasinë e kalorive që konzumojnë gjätë ditës, por në ambientin e tyre jetësor. Atje egzistenca ka ngelur në vend dhe të gjitha qeniet, qofshin ato dykëmbëshe apo katërkëmbëshe, janë të lidhura meegzistencën e bananeve. Truri i babianëve, me fjalë tjera, është zhvilluar aq shumë sa ka qënë e nevojshme. Ata s’ndiejnë nevojë për ushqime tjera dhe evolucioni i tyre ka ngecur në vend, gjegjësisht në baltë. 

Ndryshe qëndron puna me të parët e zotit Bufi. Ata, që nga agu i epokës neolitike e dëshmojnë veten si tifozë të frutave egzotike dhe, për ta shijuar tulin e tyre, jo vetëm që ngjiten nëpër pemë, por nisin të prodhojnë edhe dalta, çekanë, vëthë e gjerdane të ndryshëm. Dashuria e tyre për dhëmbë ka qënë e jashtzakonshme. Këtë gjë s’ e dinte zoti Bufi, por e zbuloi vitin e kaluar, edhe ate, në vlugun e një mbledhjejetë fshehtë, kur po diskutohej likuidimi i pseudoshkrimtarit plak, Mirlind Daka, dhe njëri nga anëtarët e ”shtabit” propozoi që i lartpërmenduri të vritej me shat. Kjo s’ i pëlqeu aspak komandantit Bufi dhe ai tha se një vdekje e tillë do t’ ishte shumë humane. Vrasja, nëse do të quhej vrasje, duhej bërë mendonjë vegël më primitive.                                                                

Ky ishte mentimi i tij. Sipas të dhënave që kam mbledhur deri tani, del se evolucioni i klanit “Buf” fillon në epokën e Shkumësit, kur bufët e parë, ndryshe nga sisorët tjerë, ngjiten nëpër palme dhe fillojnë një egzistencë frutore, që i pajis jo vetëm me vigjilencë të madhe, por dhe me duar të gjata e të përshtatshme për t’ u hedhur nga dega në degë. Ndërrimi i ambientit jetësor ndikon edhe në fizionominë e tyre. Dalëngadalë bufët bëhen më të trashë, më korpulentë dhe më trima se të parët e tyre. Ata madje trimorëhen aq shumë, saqë fillojnë të hynë edhe nëpër fshatrat e banorëve zezakë dhe t’ ua vjedhin pitet, gjegjësisht kuleçët, që ata i thanin në rrezet e diellit. Kjo gjë ua çoi namin aq lartë, saqë historianët egjiptianë, me admirim të madh, i quajtën ”pite – rast”, sepse të lartpërmendurit, kur i shihnin kuleçët e mbushur me groshë apo me gjizë, lëshonin çirrma të ngjashme me ulurimat e ujqërve në mesnatë.

Dukja e piterastëve në Egjipte ka vënë zotin Bufi në hall të madh. Jo se është i paditur në lëndën e tij, por sepse s’ është tifoz i gjuhëve moderne dhe gërmimet shkencore i bën me ndihmën e literaturës sërbo-kroate. Kjo s’ e ka gëzuar shumë, edhe pse ai – me ndihmën e një lingvisti boshnjak – ka arritur ta lexojë gjysmën e Historisë Ruse në origjinal dhe ka gjasa që një ditë, pasi të bëhet ministër i arsimit, ta gjejë rrugën e “pite-rastëve” në drejtim të Dardanisë.E rëndësishme është kjo: falë kryeneçisë legjendare, ai ka ardhur në përfundim se “bufët” kanë qënë gjithmonë bajraktarë. Edhe sot, ndonëse kanë kaluar pesëdhjetë e sa mijë vjet, kushërinjt e tij janë tifozë të bredhjeve të gjatadhe, sa herë që pleqërojnë ndonjë çeshtje serioze,  gjithmonë konsultohen me orakullin e Zhilivodës.Kjo vlen posaçërisht për bufët e Dardanisë, të cilët, sapo i kalojnë Dardanelet, shprishen në tre drejtime: grupi i parë shkonnë drejtim të Karambollit, grupi i dytë në drejtim të Radavcit dhe grupi i tretë, ai më i madhi, turret drejt Mulletit. Ky i fundit, pas Luftës së Dytë Botërore, zhduket nga faqja e dheut. Sipas mentimit të arkeologut Leakey, pasardhësit e tij gjuanin në grupe, si ujqit, dhe kjo dukuri vërehet edhe sot ke partizanët e zotit Bufi. Ata kurrë s’ ecin vetëm, por në radhë, sipas rangut që gëzojnë në grup. Një fjalë e moçme dardane thotë: nga radha, aradha; nga aradha – ushtria.

Dalja e zotit Bufi në ballë të Lëvizjes si dhe përpjekjet e tij për likuidimin e disidentëve shqiptarë e kanë forcuar autoritetin e piterrastëve dardanë dhe s’ përjashtohet mundësia që nga radhët e asaj hampe të dalin edhe shumë bajraktarë tjerë.

Kjo gjë e ka brengosur Iljaz Lumbabën. Si ish bashkpunëtor i Haqif Nezës, Lazi e ka nuhatur rënien e vlerave humane. Të dalësh sot dhe ta blesh lëkurën e një të burgosuri politik, siç është Hetem Kozmaqi, për njëqind e njëzet krona suedeze s’ është në rregull. Mjerisht kjo rënie është e dukshme dhe vjen nga përçarja që ka hyrë midis rrymave politike shqiptare. Zihen bajraktarët midis vedi dhe askush s’ e kupton shkakun e zënkave të tyre. Kjo sëmundje mund t’ i infektojë edhe shqiptarët e Gjermanisë, Zvicrës, Norvegjisë e Danimarkës dhe t’ i ngatrrojë në një luftë të dytë qytetare. Duke u nisur nga ky shkas, Lazi paska dalë para shtabit të luftës dhe paska kërkuar të mbahet një kuvend mbarëkombëtar. Qoftë në në Suedi apo në Finlandë. Çuditërisht, zoti Bufi e paska pritur me këmbë të para dhe i paska thënë se një ndërmarrje e tillë është e panevojshme. Në dorë të parë, sepse shqiptarët e Suedisë, me përjashtim të Marash Gjonit, janë myslimanë. Në dorë të dytë, sepse shqiptarët e Suedisë janë ziliqarë dhe kritikojnë vend e pa vend. Dhe në dorë të tretë, sepse shqiptarët e Suedisë, qofshin rrugeçër apo intelektualë, s’ e kanë të qartë se picerastët janë burra dhe i takojnë gjinisë mashkullore.

Rrjedhimisht, nisjativa e Iljaz Lumbabës dështoi njësoj si përpjekja e gjyshës Azize për ta ngrënë një mollëme dhëmbin e saj të vetëm. Por nisjativën e tij e aktualizuan edhe dy tri vrasje të reja, të cilat dhanë shkas për ngritjen e këtij problemi në nivel edhe më të lartë seç e kishte mentuar biznismeni i shquar dardan.

Se si e ka ndier veten Iljazi, nuk e di, por vetëkam qënë shumë i pikëlluar. Fundja, edhe nëse jam i keq, kam bërë shkollë me goxha do burra që sot janë redaktorë të emisioneve televizive, doktorë të shkencave, ish deputetë të Këshillit Krahinor dhe anëtarë të nderuar të Akademisë së Shkencave. Nëse s’ pata fatin të punoj si imam në xhaminë e mulla Nevzatit, e di të paktën qëi Madhi Zot, për shkaqe thjesht praktike, disa burra i ka falë si gra dhe disa gra i ka falë si burra. A mundej ta bënte të kundërtën? Gjithsesi që mundej. Por sikur ta bënte një të tillë punë, sot s’ do të kishim as picerastë, as picirucë, as hamhamë, as marrëveshje me Serbinë.Bota do t’ ishte poaq sterile sa dhe duqka e zonjës Fefi, që konsiderohet poaq e thatë sa dhe shkretirat e Magrebit të Poshtëm. 

Unë rrëshqas me vrapin e dallandyshes dhe jam thellësisht i bindur se ky mëngjes është tepër i pastër për ta prekur me gishtat e fjalës. Po flas në mënyrë të tërthortë, sepse ende posedoj nja dy gishta fytyrë dhe s’ e dua djersën e askujt. Ky qytet, këto ndërtesa, ky bulevard, të gjitha janë djersë e popullit suedez. Kjo tokë, të cilën të parët e mi s’ e kanë lagur me asnjë pikë djerse, më ka trajtuar më mirë se vendlindja ime. Por kjo s’ është ”atdhé” dhe banorët e saj s’ i quaj bashkatdhetarë, andaj i sjell pedalet me rrëmbim dhe kam përshtypjen se po kaloj përskaj gjërave që kurrë s’ i kam parë më parë. 

Në këtë pjesë të qytetit çiklostrada është e pjerrët dhe mua më zihet fryma. Lodhem pak. Megjithate, vazhdoj t’ i luaj këmbët dhe ndiej se nëpër gjakun tim ende përpëlitet helmi i sedrës së prekur. Larg jam nga rënkimet e DardanisëNënë. Nëse vazhdoj me këtë tempo, mund të vete në fund të botës, por rënkimet e saj do t’ i kem me vedi.Mu për ate qëndroj  pak, e shtrij biçikletën në bar dhe orvatem ta mbledh vetëveten.

Unë jam… Vetja e parë njëjës, gjinia mashkullore… Midis meje dhe motrave picirucka janë dallgët e një deti të panjohur. Me që ende gjendem në portën e gjashtë, po duhet të konstatoj se edhe piciruckat janë. Ato janë me dy pika mbi zanoren e fundit. Në krahasim meburrat e tyre, që janë të thatë si stupcat e qerreve, ato janë joshëse dhe të sofistikuara. Se si kanë qënë dikur, kur kanë qenë fare të reja, nuk e di, por kam vënë re se nga ardhja e tyre në këtë vend, ato kanë shkelur në një fazë të re jetësore dhe, kur bisedojnë me njëra tjetrën, merren vesh me kode, jo me fjalë.

Picirucka më e shquar e lagjes tonë është Irfetja. Fefi është një grua e thatë dhe gjithnjë e uritur për diçka. Sa herë që Irfani i saj del në picerí, ajo e ka zakon t’ ia shtrojë këtë pyetje: ” Si thua, xhan, a ta qes një pite për darkë apo do hash përjashta?” Kjo pyetje ka këtë kuptim: ” Si thua, xhan, a do të përkdhelemi sonte bashkë apo të dal në qytet e të përkëdhelemme atë arapin tim nga Sudani?” Nëse përgjegjja e tij është pohuese, Fifi qetësohet pak, e përmban veten. Por nëse përgjegjia e tij është mohuese, ajo shpejt e shpejt e merr një taksi dhe turret në drejtim të jaranit të saj.

Të merremi vesh: kështu s’ veprojnë të gjitha piciruckat, por vetëm ato që janë më të reja, më vitale. Se çfarë kërkojnë në ato vrima të nëntokës dhe përse janë infektuar me këtë virus të mallkuar arab, s’ e kam të qartë, por jam i sigurtë se Irfan efendiu, sa herë që kthehet nga piceria e tij, sofrën e gjen të thatë dhe gjumin e bën syhapur.

Përndryshe, piciruckat janë edhe leshatuke.Gjeneza e kësaj bukurie s’ duhet kërkuar në gjenet e humbura të racës arbërore, por në gjenet e përzierë të racave orientale. Fatlumnisht, të gjitha kanë qejf të martohen me shqiptarë, sepse shqiptarët janë të urtë dhe për hatrin e tyre e shesin Poloninë me Çeki. Që kështu qëndron puna e kanë dëshmuar edhe sociologët e njohur skandinav. Rrjedhimisht, duke i studjuar vesveset e ardhacakëve dardanë, sociologu danez, Hans Slangerup, ka ardhur në përfundim se piciruckat kanë huqe të njejta me mikun tim, Armend Gjatën: Armendi mbledh libra, ato mbledhin brekë. Armendi mbledh të dhëna, ato mbledhin gjimbajtëse. Sa për ta ilustruar këtë anomali, do ta marr si shembull Hankon. Se ashtu e quajnë Neslihanin.

Neslihani është një zonjë e vërtetë. Edhe pse ende s’ i ka mbushur të dyzetat, ajo posedon nja shtatdhjetegjashtë fustane, gjashtëdhjetedy palë këpuca, nëntëdhjetedy palë brekë dhe një zot e di sa kilo me hallka, bylyzykë, vathë e gjerdane të artë. Çuditërisht, ndën atë kodër të lartë rrobash e floriri s’ gjendet asnjë revistë kulturore, sepse gjenet e saj janë të hapur vetëm për euro dhe vezullima. 

Neslihani është torbeshe, por me përjashtim të burrit të parë, të cilin e ka patur turk, ajo gjithnjë është martuar me shqiptarë dhe këta e kanë trajtuar më mirë se mbretëreshën. Dhe pse të mos e trajtonin? Ajo është e bukur, elegante dhe shumë e pastër. Sipas fjalëve të tetës Rukie, Hankua është e para ardhacake joshqiptare që ka shpikur maninë e pastrimit total dhe, me këtë shpikje, i ka infektuar të gjitha piciruckat dardane. Si ndodhi që bash ajo, mbesa e gjyshës Azize, ta shpikë një epidemi aq serioze, nuk e di, por socilologu i lartpërmendur danez thotë se mania e pastrimit total është rezultat i nepsit të tepruar të grave të përdala për ta pastruar ndërgjegjen e tyre.Sido të jetë kjo puna e ndërgjegjes, fakt është se sëmundjen e lartpërmendur e kanë përvehtësuar edhe piciruckat shqiptare dhe ditë për ditë janë duke zhvilluar gara për ruajtjen e saj cilësore. Si pasojë e kësaj olimpiade, që fillon çdo të premte në mëngjes dhe vazhdon deri të dielën në mbrëmje, motrat  picirucka kanë arritur të bëhen ardhacaket më të shquara të Evropës Veriore.

Ashtu si dhe rivalet e saj, zonja Neslihan e rregullon frizurën e saj javë për javë, i ndukë vetullat e trasha, e qëron trupin nga qimet e tepërta dhe gjysmën e ditës e kalon duke u lyer e duke u parfymosur si laviret polake. Kujdesi i saj për higjienën personale dëfton se ajo s’ është indiferente ndaj hireve të jashtëme. Përkundrazi, i do të gjithë meshkujt nga pak, ndërsa veten e do më shumë se tjerët. Kjo dëshmon se çdo gjë, duke filluar nga brekët e saj të mëndafshta e deri te burrat që i ndërron çdo muaj, në trurin e saj e kanë një vlerë të caktuar. Atë çast që objektet s’ janë në nivelin e dëshirave të saj, ajo ndërron mentim edhe për burrin që ia shpie.

Vetë Neslihani thotë se është martuar dy herë, por plakat e Shkupit, që e njohin me dhëmbë e dhëmballë, vazhdojnë ta përsërisin të kundërtën, gjegjësisht se është martuar nja shtatë a tetë herë, dhe n’ atë shifër s’ janë përfshirë dashnorët e saj nga Pakistani, të pasynetët nga Uganda, evgjitët nga Finlanda dhe ca të tjerë nga Gjermania. Kjo s’ ka dhe aq rëndësi, sepse ajo duqka e saj ngjyrë trëndafili është si gropat e Gjithësisë. Kryesorja është se duke i qethur burrat e saj, e lartpërmendura e mashtron veten që i ka plaçkitur deri n’ asht, kurse ata, rrugeçërit e saj, e mendojnë të kundërtën. Pa marrë parasysh se cila palë ka dalë më e plaçkitur, Hankua e pangopur mexhingla mingla, apo varfanjakët e uritur për erotikë, të dyja palët janë hallka të pandashme të Lëvizjes tonë Kombëtare.

Dorën në zemër, as piciruckat tonas’ i mbeten prapa. Ato, ku mebrekë e ku me byrekë, kanë arritur ta dëshmojnë veten si partizane të denja të demokracisë së re shqiptare. Duke u nisur nga demonstratat e fuqishme që herë pas here po organizohen në Kopenhagë, si dhe  dëshira e flakët e zotit Bufi që të qëndrojë në ballë të tyre, ato, me propozimin e Iljaz Lumbabës, e kanë urdhëruar Shtabin e luftës që, sa herë ta kërkojë nevoja, t’ i dërgojnë zotit Bufi gullash shqiptar, videokaseta patriotike dhe byrekë të trashë e të mbushur me thela mishi.Kështu, për shembull, në grevën e azilantëve uzbekë, që u mbajt në Halmstad, zoti Bufi ishte i pari lider evropjan që e mallkoi bukën suedeze. Këtë gjest ai e bëri në bindje të plotë se do ta detyronte jo vetëm qeverinë suedeze, por edhe mbarë opinionin ndërkombtar, që t’ i binte pas çeshtjes së minoritetit uzbek në Afganistan. Megjithate, ai kërkoi që ta vendosnin në një dhomë anësore, ku mundej të meditonte për hallet e Dardanisë dhe t’ i jepte intervista shtypit ndërkombtar. Me sa duket, mu n’ atë shtëpi të vogël fshatare, ku zotëria e tij kaloi katër ditë e katër net me radhë, pa sakrifikuar asnjë byrek nga ata që i vinin nëpër dritare, lindi edhe ideja e “fondit” të luftës, që pjesërisht do të shkonte për blerjen e ndonjë vile të moçme suedeze, dhe pjesërisht për blerjen e ndonjë pushke automatike bullgare.

Jam i sigurtë se si Bufi, ashtu dhe shtabi i tij, më urrejnë me tërë qenien e tyre dhe një ditë do më qërojnë nga faqja e dheut. Fatlumnisht, nuk e ndiej veten fajtor dhe do ta përsëris ate që e kam thënë gjithmonë: se motrat picirucka janë të pastra. Pse, do më pyesin ata të trupit gjykues.Për shumë arsye, do t’ u them.Kryesorja është se janë punësuar në klinikat e njohura universitare dhe ditë për ditë merren me ruajtjen e ambientit jetësor.Kjo, për mua, është punë e madhe.Shumë punë e lehtë është të shkosh nëpër ca fshatra të Zhurit, t’ i dëgjosh ca këngë popullore dhe të dalësh me teza shkencore, por t’ i pastrosh nga shtatë a tetë banjo në ditë dhe t’ i ngatrrosh këmbët me lloj lloj zezaku – është përvojë e madhe.Dua të them se për t’ u punësuar në qendrat univerzitare duhet, të paktën, ta zotërosh suedishten, edhe ate, goxha mirë, përndryshe bota të marrin për guhak. Paçka se vëllezërit picerastë, edhe pse e quajnë veten doktorë e profesorë,ende s’ po dinë ta lidhin një fjali të hajrit në gjuhën suedeze.Shyqyr Zotit, ata s’ kanë nevojë për gjuhë të huaja, se do të punësohen si ambasadorë dhe punët e tyre do t’ i bëjnë motrat sekretaresha.Ku ta dish, ka gjasa që Iljaz Lumbaba të bëhet ambassadori i parë  i Dardanisë në Stockholm.

Prirja e motrave piciruckave që ta profilojnë veten në kuadrin e shoqërisë suedeze i ka mahnitur edhe ekspertët e kriminalistikës. Hynë ato syshqiponja nëpër shitore dhe vjedhin ndonjë unazë, ndonjë bylyzyk, ndonjë gjerdan apo ndonjë lëkurë, por jo për ta kënaqur veten, por për t’ i furnizuar motrat polake. A janë shqiptare, më pyesin miqët arabë.Ku ta di, u them unë.S’ i kam çika të hallaveqë ta di. Sipas të dhënave që kam nga zoti Lumbaba, ato figurojnë si anëtare të Haradin Gjambazit dhe kontributi i tyre për Lëvizjen e Macave të Pashtëpia është shumë i madh. Ato s’ kanë nevojë ta dinë gjuhën e tyre amtare, por duhet ta njohin mirë gjeografinë e qytetit, të dinë si komunikohet në tregun evropjan dhe, kryesorja, të dinë si shplahen kronat e pista suedeze në euro gjermanë. Me sa duket, s’ do të shkojë gjatë dhe zoti Lumbaba, në bashkpunim mezotin Gjambazi, do ta themelojë një institut për ledhatimin e organeve gjenitale. Edhe kjo – një dëshmi e fortë se raca ynë, me punëvetmohuese, e karingjallur Suedinëe përgjumur.

Shtypi lokal e ka cekur shpesh herë se piciruckat tona, në bashkpunim me ato polake, kanë dhënë një kontribut të madh në nxjerrjen e beqarëve nordik nga vetmija e tepruar. Eksperte të mëdha shqiptare, serbe e boshnjake kanë zbarkuar në këtë vend që t’ i mësojnë analfabetët suedezë prej çkafit varet prirja e gruas për seks, ku gjinden pikat gudulitëse të mashkullit dhe ku mund të blihen videokaseta të përshtashme për punë që s’ artikullohen me gojë.Ato janë të gatshme për gjithçka dhe, si sherbëtore besnike të zotit Lumbaba, kanë mirëkuptim për secilin mashkull, qoftë ai suedez, kilian apo argjentinas.Për pesë korona e gjashtjetë öre në minutë janë në gjendje t’ i shesin edhe fantazitë më të egra që janë dëgjuar në një kufje të telefonit, prirjet e tyre erotike dhe mënyrën si duhet të kontaktohen në adresa private. Se çfarë fshihet prapa kësaj plage të shoqërisë shqiptare, s’ guxoj ta marr me mend, por e di unë – e dinë dhe të tjerët – se këto janë përpëlitje të një populli të shushatur, i cili, duke e lënë vendlindjen e tij nën hyqmin e Shkaut, përpiqet ta lajë fajin e vet me heroizma të epokës skanderbegiane.

Për dallim nga motrat e tyre shqiptare, që s’ kanë bukë për fëmijët e uritur, piciruckat janë dama të vërteta: vishen mirë dhe shkojnë rregullisht nëpër festat kombëtare. Festat janë, si të thuash, okazione të përshtatshëm për të defiluar si manekinet suedeze kur dalin në korzo me pantollonte të shqyera dhe këmisha të hapura.Festat janë, si të thuash, raste të mirë për t’ u parë me dashnorët e vjetër, të cilët, për shkaqe thjesht personale, janë martuar me gra më të pasura.Mos tjetër, duan të paktën edhe një herë ta freskojnë memorjen e tyre me sytë dhe buzët e atyre që dikur ishin më të rinj e më të freskët se tani.

Ajo që askush s’ e ka të qartë, madje as vetë Iljaz Lumbaba, është sa vijon: ç’ është ajo gjë që i lidhë ato gra me burrat e tyre?!..Unë mentoj se ajo është interesi.Para se të bëhen zonja të rënda, ato kanë qënë goxha të lehta dhe e kanë shfletuar çdo klub nate nëpër Kopenhagë. Duke parë se nesër pasnesër mund të bëhen ministresha, drejtoresha e gra të pronarëve të mëdhenj shqiptarë, ato janë mobilizuar me gjithë shpirt në çeshtjen kombëtare, edhepse hallet e popullit të tyre, posaçërisht të fikanakëve, vijnë në radhë të fundit. 

Ushtria ynë është njëmend nacional – çlirimtare.Disa nga ushtarët e saj janë shqiptarë, të tjerët janë torbeshë dhe boshnjakë të rënë nga Sanxhaku.Si shqiptarët, ashtu dhe joshqiptarët, më tepër rëndësi i japin barkut se fytyrës.Surrati i njeriut është një hartë e ndërlikuar e organeve trupore.Kështu, të paktën, mentoj unë.Miku im, Armend Gjata, menton ndryshe.Ai ka ardhur në përfundim se vëllezërit e lartpërmendur janë butakë.Kjo s’ ka nevojë të jetë krejt e vërtetë, sepse në mezin e tyre ka dhe ish ministra, ish deputetë, ish gjeneralë dhe ish fshatarë të pafajshëm. Pa marrë para sysh të shkuarën individuale, s’ guxojmë ta përbuzim gatishmërinë e tyre për çlirimin e Dardanisë dhe, sa herë që e do nevoja, duhet t’ i qerasim me kafe e ëmbëlsira.

Ajo që më shqetëson tej mase është sadizmi i tyre kundrejt kafshëve. Dalin, fjala vjen, lopët e ngrata suedeze për të ngrënë barë dhe për të prodhuar pak qumësht, kur ia behin janiçarët e shokut Gjambazi dhe, pasi i zënë për brirësh, i çojnë në pyjet më të afërta dhe ua presin kokat. Sa herë që më shkon mendja ke viçat e ngratë,më mbërthen një vaj  aq i madh, sa dua të ngjitem në një mal të lartë dhe ta vras vetveten. Po pse, o vëllezër, kështu?Pse dilni dita më drekë dhe i vrisni lopët e botës?Të ishte që fëmijët tuaj s’ kanë bukë për të ngrënë, do t’ ju arsyetoja me gjithë zemër.Po ju, shyqyr Zotit, barkun e keni plot.Përse, atherë, vrisni prindët e tjerëve? S’ do mend që Suedia është shëndrruar në Argjentinë dhe ju, gauçot shqiptarë, po lodroni rrafshirave të saj si nëpër ara të pazot.

Ani ça po bën ai shtabi i luftës, xhanëm? – më pyet teta Rrushe, nëna e Gëzimit. Ai po merret me shqiptimin e foljes Jam. Kjo ndodhë sepse shumica e picerastëve janë shqiptarë të larmë dhe fonemën e parë të foljes Jam e shqiptojnë si një “mj” të theksuar. Ata kanë qejf të shtiren poetë, profesorë, inxhinjerë, doktorë, arkitektë dhe autorë të gramatikave bashkëkohore, por për fatin tonë të keq, deri sot s’ e kanë luajtur asnjë gurë për vendlindjen e tyre.Ata, edhe kur e shqiptojnë Jamin me një “j” të pastër, nuk e shqiptojnë si malsorët e Idriz Seferit apo Zef Kosharës, por me një “mj” të shokut Kiço.Mjemi shqipëtarë të Kiçovinës, thonë.Mjemi profesorë dhe intelektual të Dardanisë së Kuqe.

Ka ca kohë që  ata të Radio Muçibabës, në mungesë të teksteve më të të shëndosha patriotike, po e emitojnë një mevlud të kohës së baba Qemos.Ai e ka titullin, “ Bën gajret, o milet”. 

Duke i dëgjuar fjalët dhe meloditë e atij himni, edhe unë, njësoj si labët e Shqipërisë Jugore, u shkoj prapa me një iso të lehtë ngushllimi. Bëj gajret, o milet, se me gajret e shkove motin. Nuk po më dhimbesh, që pranë atdheut, ke dalën’ Evropë, se Evropa po të  mbanë si qëngjin e përkëdhelur me bukë.Nuk po më dhimben as djemt e Armendit, që s’ po bëjnë kabull të flasin shqip, se do të vijë një ditë kur do ta kuptojnë çmendurinë e tyre.Po më dhimset ai mileti tjetër, që pranë dy parlamenteve e dy qeverive që ka mbi kokë, ende ka mbetur as në qiell as në tokë... I përçarë ei përbuzur e i pambrojtur si në kohën e Ismail Qemalit. Ai po më dhimbset…

 

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi

 

 

 

 

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (0 Publikuar)

Total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin që shikoni në imazh:

Captcha
  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

0
Presheva Web Portal