Ballina | Botime | Prozë | Nefertiti

Nefertiti

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Nefertiti

Atëbotë – e kjo ka ndodhur nja njëmijë e katërqind vjet para lindjes së Jezu Krishtit – unë lahesha tërë ditën në gjolet e Lumit të Shenjtë. Im atë s’ ishte ndonjë dinjitar i lartë, por kishte zënë punë si kopshtar në pallatin e t’ Ynëzot,Amon Hotepi të Tretë, që sapo kishte marrë një rrugë, të cilën ne, egjipjanët, e quajmë Kordelja e rilindjes. Ça të them më tepër? Iku dielli ynë zemërartë dhe i biri, Amon Hotepi i Katërt, ballafaqohej me shumë halle.

Vdekja e t’ Ynëzot ishte ngjarje fatale.Ai s’ ishte vetëm mbret, por më i madh se mbreti, sepse pa dritën e tij s’ jetohej dot. Aq të mjerë e aq të përvëluar e ndjenim veten saqë na dukej sejeta ynë s’ kishte më kuptim. S’ kishte më domethënie. Të gjithë, gra e burra, shtriheshim nëpër rrugë, qanim, çirreshim dhe e mbulonim fytyrën me baltë. Pastaj filluan ritet fetare, ata rite të mallkuar, që s’i bënte kush pos priftërinjëve të zotit Osiris. Pas t’ Ynëzot, faraonit të ndritshëm si dielli, ata ishin njerëzit më të fuqishëm të Mbretërisë. Pa lejen e tyre s’ bëhej gjë.

Ashtu siç bënin me të gjithë ata që merrnin rrugën e gjatë, priftërinjtë bënë edhe me t’ Ynëzot, Amon Hotepin e Tretë. Pikësëpari e vunë në një ”ibu” të madh dhe filluan ta lyejnë me sodë kristali. Kështu bënin me të gjithë faraonët dhe ushtarakët e mëdhenj. Pastaj, pasi e thanë mirë e mirë në diell, priftërinjtë e dyndën në një ”uabt” të pastër dhe ia çanë barkun me thika të mprefta. Edhe ju që s’ jeni egjiptjanë e dini se zorrët janë ato që prishen më sëpari. Mjerisht, kjo s’ guxonte të ndodhte me zorrët e t’ Ynëzoti, sepse ato i duheshin pastaj, kur do ta kalonte Lumin e Madh dhe do të ngjitej në qiell. Mu për këtë arsye, priftërinjtë ia nxorën të gjitha zorrët përjashta dhe pasi ia njomën me vajra aromatike, i lanë edhe ato të thahen në rrezet mirëbërëse të diellit… Pastaj, pasi ia lyrësuan trupin me vajra dhe ia mbushën barkun me lecka, rërë dhe cifla të sharrës, filluan ta balsamosnin sipas një tradite që praktikohej vetëm te ne.Tani Ynëzot ishte gati për rrugë dhe ne do të kalbeshim n’ errësirë. Çuditërisht, ndodhi e kundërta. Edhepse zoti Diell kishte mallë për djalin e tij, Amon Hotepin e Tretë, ai përsëri doli në lindje dhe të gjithë ne, të vegjël e të mëdhenj, konstatuam se në vend të Amon Hotepit të Tretë kishim fituar një Amon Hotep të Katërt.

Amon Hotepi i Katërt ishte një zot i çuditshëm. Ai ishte një çun shtatgjatë dhe gjithnjë i pikëlluar. Sytë e tij ishin verë e dimër të zinj, të mentuar. Ku ta dijsh se ç’ ndodhte në shpirtin e tij? Ai mbase kishte mallë për të jatin dhe – edhe vetë – donte të nisej n’ ate që ne, njerëzit e thjeshtë, Kordele të rilindjes. Im atë, që e njihte Amon Hotepin e Katërt nga vegjëlia, thonte se ai ishte poet i madh dhe shkruante vjersha të bukura për zotat tjerë. Ai sapo ishte martuar me princeshën Nefertiti dhe tërë kohën e shkonte me të.

Me sa duket, kjo natyrë e faraonit të ri, s’ u pëlqente aspak zotërinjëve priftër. Të gjithë zotat tjerë, që nga ata të Mbretërisë së Epërme e deri te kjo e Poshtmja, kishin qënë pushtues të mëdhenj. Me të hipur në fronin e perëndive ata e mblidhnin ushtrinë dhe turreshin drejt Veriut apo Jugut për të pushtuar mbretëri tjera dhe për ta mbushur thesarin me plaçkë më të madhe. Ky, pra, s’ kishte punë tjetër brengë pos të thurrte vjersha dhe të eglendisej me një grua që ishte vërtet e bukur, por edhe e thatë si kallami që rritet në brigjet e Lumit të Shenjtë.

Ç’ është e drejta, Nefertiti ishte një bukuroshe e vërtetë. Kushdo që e ka parë siç e kam parë unë, mund të dëshmojë se ajo ishte gazela më e bukur që ka ecur mbi faqen e Egjiptit.Princesha vinte e gjatë nga shtati, ishte e hedhur dhe kishte një fytyrë që s’ matej me asnjë qenie tjetër pos me perëndeshënIsis. Në këtë kohë im atë fitoi gradën e kryekopshtarit dhe unë, si djalë tij, fitova të drejtën ta ndjek në çdo qoshe të pallatit faraonak.Rrjedhimisht, duke e ndjekur tim atë, unë kisha mundësi ta shihja e ta adhuroja Lartmadhërinë e Saj sa herë që ulej nën hijen e një pavijoni të madh, të cilin im atë ia kishte ndërtuar para pallatit të saj. 

Ajo kishte një kafkë të rrumbullakët. Ashtu si dhe fisniket tjera, Lartmadhëria ishte shumë e pastër dhe, kur e ftonin nëpër darka, fillonte të përgaditej që nga orët e hershme të pasditës. Ajo ulej në një fron të mermertë dhe sherbëtorja ia rruante flokët. Pastaj lahej dhe lyhej me vajra aromatike, të cilët ia sillnin nga Mbretëria e Poshtme, ku kishte lloj lloj bimësh afrozidiake. Të parët tonë kanë qënë merakllinj të mëdhenj dhe mund të duronin gjithçka tjetër por jo dhe rën e djersës e llumit. Shi për ate përdornin barna egzotike, maska dhe parfume aromatikë. Pasi kthehej edhe Ynëzot,Amon Hotepi i Katërt, nga puna, ata bënin makijazh dhe i rregullonin sytë, vetullat, buzët dhe thonjët e trupit. Kurora e tërë asaj veprimtarie ishte kur ata e lagnin kokën me myrra dhe e mbulonin kokën me paruke të zeza. Ashtu si dhe shoqet e saj, Lartmadhëria duhej të hante sheqerka mjalti, se kish rrezik t’ i vinte erë e keqe nga goja.

Pak para se Ynëzot të bëhej tridhjetëvjeç, Mbretërinë e preku një përmbytje të madhe. Mua s’ më janë të njohura arsyet e atij ndryshimi të madh, por pas asaj ngjarje Ynëzot vendosi t’ i falej vetëm Zotit Diell dhe mori emrin Akna Ton... Kjo ngjarje e papritur shkaktoi trazira të mëdha… Jo sepse populli s’ e donte Akna Tonin e ri, por sepse priftëria s’ e pëlqyen vendimin e tij. Unë e kam cekur edhe më parë se priftërinjtë ishin shumë të fuqishëm… N’ ato rrethana Ynëzot s’ kishte rrugëdalje tjetër pos t’ i rrëzontetë gjithë tempujt e Zotit Amon, madje edhe ata që i kishte ngritur i jati, Amon Hotepi i Tretë… Kësisoji u bë një rrëmujë e madhe, me vrasje e dënime të rrebta, dhe Ynëzot – për t’ i shpëtuar ndonjë komploti të papritur – ndërroi kryeqytet e u shpërngul në qytetin Amarna.

Duke shfrytëzuar autoritetin e tim ati, unë vendosa të bëhem ushtarakdhe me rrjedhën e kohëshipa lart në hierarkinë shoqërore. Sëpari më çuan si qeveritar në Zonën e Gjarpijve; pastaj, pas një sulmi të papandehur nga Zallacakët, Ynëzot më dërgoi në Zonën e Sakarnës. Ato treva më pëlqenin shumë, se gjendeshin afër Zonës së Sqyfterit të Balsamosur dhe ujrat ishin të shëndetshme dhe deti shumë i pastër. Mjerisht, karriera ime mori fund para kohe.Papandehur, kur askush s’ e priste atë mjerim, në veri ia behën hetitët, një popull që ishte më i madh e më gjakpirës se hyenat. Pak më vonë çoi kokë edhe Haziri, mbreti i popujve të Amoresë. Ky i fundit s’ i vriste ushtarët tonë, por piqte si pulat në hell. Ditë për ditë na vinin lajme të ngjethshëm por Ynëzot, Akna Toni,s’ e kishte hallin e mbretërisë. Kësisoji ne e humbëm Libanin, Samarinë, Galilenë, Shebën dhe krejt Azinë Perendimore... Më në fund, ne e humbëm edhe mbështetjen e popullit tonë, që kishte rënë në mjerim të madh. Priftërinjtë e zotit Amon, të mbushur me urrejtje kundër t’ Ynëzot, e zgjodhën për mbret Tutanin, dhëndrrin e tij, që s’ ishte vetëm guximtar, por edhe gjakpirës. Ky i shkoi në shpatë të gjithë ata që i faleshin Diellit.Çdo aaltar, skulpturë, obelisk apo faltore e t’Ynëzot u zhfuk nga faqaja eDheut. Edhe ushtria ynë e lavdishme u prish: Armata e Perendimit u dërmua nga Zallacakët, ndërsa Armata e Veriut kapitulloi para hetitëve. Kështu kish qënë fati im, se më zunë rob dhe më shitën si skllav në një anije që iu takonte kretasve…

Kishin kaluan vitet dhe unë s’ e pashë më vendlindjen time. Një ditë, deri sa po e lexoja një gazetë, rastisa të mësoj se Lartmadhëria e Saj, zonja Nefertiti, ishte bërë qytetare gjermane. Merreni me mend: edhe ajo, mbretëresha ynë e bukur, ishte katandisur në një vend të huaj dhe jetonte larg vendlindjes, jo më si bashkëshorte e një zoti, por si një shtetase e rëndomtë e një populli barbar. Kjo më dha shkas t’ i leja të gjitha obligimet që kisha deri n’ atë çast dhe, bashk me një tufë gjimnazistësh të paedukuar, të shkoj e ta vizitoj Lartmadhërinë, qoftë edhe për një kohë shumë të shkurtër. 

Atë natë që duhej t’ palosja rrobat s’ i bëra as dy orë gjumë. Ishim në ag të qershorit dhe qielli ishte i ndritshëm, me hënë. Të nesërmen u gdhiva para se të agonte, piva një espresso të forte italiane dhe dola në Stacionin Qendror për t’ i pritur gjimnazistët që do t’ i shoqëroja deri në Berlin. Ata erdhën grupe – grupe, bashk me zonjën Kristina, kujdestaren e tyre.

S’ ka nevojë t’ ua kujtoj se rruga ishte e mundimshme. Policia e Zonës Lindore, që në gjuhën barbare quhej De – De – Er, uniformat e tyre të gjelbra dhe rigoroziteti me të cilin na përcillnin në çdo hap, ma dyndi vrerin e barkut. Në vagonin tonë ishte edhe një prift i ri, që për pak s’ i shqyente sytë duke i shikuar ato bejkat tona flokëgjata. Në meskohë rrotat e administratës së rëndë ecnin me vrap të ngadalsuar, tamam si rrotat e ushtrisë tonë perandorake, tërë kohën duke na përcjellë me lloj lloj pyetjesh që mua, një shtetasi të vjetër oriental, më dukeshin shumë qesharake. Fundja, ç’ lidhje kishte se kush isha, ku po shkoja, a kisha të holla me vedi, ku do të rrija, sa do të rrija dhe kur do të ikja nga Zona Lindore e mbretërisë së tyre?

Pas kushedi sa peripecish dhe vuajtjesh mbërritëm në kryqytetin e atij vendi dhe dolëm në një vend që quhej Kur Furster Dam. Kjo do të thotë se unë kisha mbërritur në të njejtin qytet ku gjendej edhe Lartmadhëria e Saj dhe unë fluturoja nga ngazëllimi.Vërtet kisha një varg obligimesh,se kisha nja tridhjetë bukuroshe me vedi, por isha i qetë dhe shumë i lumtur, ngaqë kisha një parandjenjë telepatike se edhe ajo, njësoj si unë, kishte mallë të bisedonte me një njeri në gjuhën e saj amtare. Mjerisht, koha kishte shumë shpejt dhe unë, i lodhur nga rruga e gjatë, hëngra një darkë të thjeshtë dhe u shtriva në krevat.

Të nesërmen duhej t’ i nxirrja gjimnazistët në Kur Furster Dam. Kështu quhej një boulevard i gjërë e i gjatë, të cilin po e shihja për here të parë. Dikur, para luftës së tyre vëllavrasëse, bulevardi paska qenë edhe më i gjatë dhe paska shkuar deri te shkallët e Parlamentit gjerman, por tani që lufta kishte mbaruar, ai ishte ndarë në dysh: njëra pjesë iu takonte atyre që kishin zgjedhur të jenë ” të kuq”, ndërsa pjesa tjetër iu takonte atyre që ishin ” të kaltër”.Njëra pjesë e bulevardit i përngjante deles së qethur deri n’ asht,ndërsa pjesa tjetër e bulevardit ishte veshur me dyqane, kafene, gjelltore e salltanet të madh. Askujt – dhe mua më së paku – s’ i shkonte ndër mend se ai dekor ishte bërë për qëllime të caktuar. Duke parë vitrinat e bulevardit të veshur me mallëra, “të kuqët” duhej të zgjoheshin nga gjumi dhe ta kuptonin se sikur t’ ishin me Amonin do të hanin si mbretër të vërtetë, por duke qenë se kishin gabuar dhe ishin lidhur me Ekna Tonin, duhej të jetoninsi qenë. Kaq e thjeshtë ishte puna.

Aty nga mbrëmja e asaj dite u shprishëm për darkë. Unë e Kristina, sipas një rekomandimi që na kishte bërë Ministria e Arsimit, hëngrëm darkë në një restorant të shquar dhe pastaj, pasi paguam secili për vete, u ndamë para hotelit që kishim rezervuar me kohë. Ajo shkoi në një vend që quhej“ Disko”, ndërsa vetë u ngjita lart për të shkruar ca kartolina. Mos qofsha gabim, shkrova nja njëzet e ca prej atyre që kisha blerë dhe ca ua nisa miqëve që punonin nëpër lundrat e skllavopronarëve romakë, ca të tjera miqëve që jetonin në Zonën Jugore të Mbretërisë Hetite, ndërsa një të fundit ia nisa gjeneralit Bardank Amon, për ta njoftuar se Lartmadhëria e Saj, mbretëresha Nefertiti, ishte katandisur gabimisht në Zonën Lindore të Mbretërisë Gjermane, edhepse sipas rregullit, duhej të gjendej në Zonën e Mrekullirave. 

Të nesërmen bëra provën e parë që ta kaloja kufirin,  por ata të zonës De – De – Er më urdhëruan të prisja. Sado që më dukej qesharake, ata thirreshin në një rregull që s’e kisha përjetuar kurrë në jetën time: ne kishim “vizë” të përbashkët dhe unë s’ mundesha të ndahesha nga Kristina dhe gjimnazistët e saj.Në mungesë të ndonjë gëzimi më të madh, shkova ta shihja Kopshtin Zoologjik. Kështu e quanin një lagje ku kishim mbledhur majmuna, strucër, zhirafa dhe hipopotamë të sjellë nga vendi ynë. Kishte aty edhe ndonjë zog të rrallë, ndonjë kobër mbretërore, ndonjë egërsirë, por ato s’ më bënë asnjë përshtypje të madhe. 

Po atë ditë që isha në Kopësht u hap qielli dhe ra një shi i madh. Për të shpëtuar nga litarët e ujit që binte nga qielli, u rrasëm në një dyqan të cilin e quanin “supermarket”.Dikur, kur isha më i ri, mblidhja fakte dhe mbaja shënime për gjithçka, por tani e kam humbur interesin dhe s’ dua të kthehem prapa.Fundja, për kend djallin të shënoj kur këta popuj s’ e njohin sekretin e balsamimit dhe kurrë s’ kanë dëgjuar për Kordelen e ringjalljes? Dhe jo vetëm kaq. Këta popuj e hanë njëri tjetrin si mickonjat. 

Sidoqoftë, ditën e tretë shkuam në Ashenbah. Ky shesh është shumë i vogël, por paska fituar nam nga fjalët e një faraoni amerikan me emrin Xhon Fic Gerald Kenedi. Ky Xhoni, të cilin e kam parë edhe në fotografi, e paska mbajtur një fjalim të shkurtër dhe paska thënë: Ish bin berliner. Me kaq paska fituar famë të madhe. Sipas atyre që kisha rreth e përqark, të jesh berlinas qenka punë e madhe, po për mua ishte shumë e vogël. Kryesorja, pasi na dëftoi edhe pllakën e nënshkruar nga ai burrë i shquar, shoferi i dha gaz makinës dhe na çoi te një murë i trashë. Ai mur e ndante mbretërinë e tyre në dy pjesë: n’ ate që i falej zotit Diell kur ringjallej në mëngjes, dhe ate që i falej zotit Diell kur vdiste në mbrëmje. Edhe kjo dukuri më bëri përshtypje të madhe. Ndonëse e urrenin atë skulpturë me gjithë shpirt,me mijra veta shkonin për ta parë me sytë e tyre. Ngjiteshin të shkretët nëpër ballkone, shikonin arat e livadhet përtej murit,dhe kujtonin kohërat kur ata, të veshur me uniforma gri, defilonin anës parlamentit të tyre të shquar dhe e përshëndetnin faraonin e  tyre me dorë.

Tek ditën e katërt, pas shamatës që bëra me një grua që kundërmonte si nevojtore, fitova lejen të dal në pjesën tjetër të qytetit. Sipas informatave që kisha nxjerrë nga revistat shkencore, atje gjendej një pallat i lartë trekatësh dhe, brenda n’ atë pallat trekatësh, punonte Lartmadhëria e Saj, mbretëresha Nefertiti. Vlen të cekë se gjimnazistët ia lash zonjës Kristina pasiqë atyre, njësoj si neve dikur, s’ ju interesonte aspak historia e popujve të vjetër.

Me pak fjalë, caktuam vendin ku do të shiheshim në mbrëmje dhe unë mora taksinë e parë që do më çonte n’ adresën e caktuar. Dorën në zemër, pallati pranë të cilit më la taksia s’ më pëlqeu aspak. Ai njëmend ishte godinë e lartë, por varfëria dhe injoranca e atyre që jetonin n’ atë pjesë të mbretërisë e kishin veshur me një nur mjerimi të parakohshëm. Që nga kati i parë, ku rrinte një zonjë plakë, njeriu mund të shquante thika, varka, skica, shpata dhe veshmbathje që ne e kishim zakon t’ ua jepnim njerëzve që niseshin për në rrugë të gjatë. Papandehur dhe – pa e ditur psehin e asaj ndjenje që më pushtoi n’ atë çast – e ndjeva veten shumë të ofenduar. Të gjitha ato gjëra që ishin vënë nëpër vitrinat dhe qoshet e atij pallati ishin peshqeshe që ne ua kishim dhënë faraonëve dhe ushtarakëve tonë. Qysh ishte e mundur që ato vegla, ata ushqime, ato skica që ua paluar në rroba, ishin nxjerrë nga varrezat e tyre dhe ishin shndërruar n’ ekspozitë? A kishin ata njerëz zemër, a kishin ata njerëz shpirt? Pas asaj që po shihja në shkallët e pallatit, mu duk krej normale që unë, edhe pse kishin kaluar tremijë e sa vjet, ende s’ isha parë me familjarët e mi… Krejt normale që shumë princër e gjeneralë tanë s’ kishin arritur ta kalonin Lumin e Madh, sepse këta njerëz i kishin fëlliqur lutjet e tyre dhe ua kishin ndërprerë udhëtimin e gjatë… Mbase mu për këte zoti Diell i kishte dënuar me dy luftëra vëllavrasëse?... 

Dikur, pasi e mblodha veten dhe fshiva lotët që më kishin pëllcitur në sy, e pyeta atë zonjën që priste në hyrje se në cilin kat dhe në cilën pjesë të pallatit gjendej Lartmadhëria? Në katin e tretë, më tha ajo. Salla numër dy, nga e djathta. 

O, sa turp i madh! Sa dhëmbje e padëftuar!Në vend se ta ulnin në një fron të florinjtë, siç e ulnim ne kur ishte e re dhe e bukur, këta e kishin mbyllur të gjorën në një kafaz xhami dhe aty e mbanin sikur t’ ishte ndonjë mace e shenjtë apo krokodil që mund ta kafshonte ndonjërin nga vizitorët e pakët. Kishin frikë se do ta vidhte ndonjë hajn e do ta shiste në një mbretëri tjetër. A mund ta merrni me mend këtë pacipësi? Këta i shisnin edhe të vdekurit me florinj, ndërsa ne tërë jetën përpiqemi t’ i respektojmë dhe t’ i nisim m enderimet më të mëdha. Turp, o Zoti Amon – Ra!

Kur e pashë ashtu të zbehtë, më mbërtheu një pikëllim i madh. Kishin kaluar shumë vjet por ajo kish mbetur ashtu siç e mbaja mend: fytyrbardhë, e zbehtë dhe e veshur për një darkë që kishte organizuar zoti Ashtar Hotep, skulptori i oborrit mbretëror. Dhe ndonëse rashë në gjunj e u përpoqa ta nxjerr një fjalë, një gjysmë fjale, një – si  jeni Lartmadhëri, si është Zoti ynë dhe kur do të vemi atje ku jemi nisur – mbretëresha Nefertiti, e prekur nga robëria e gjatë, s’ pranoi të shikonte në drejtimin tim. Sytë e saj ishin gapërruar diku larg, përtej mureve të asaj godine të vlagët, thua se ishin shndërruar në brumbuj të thëngjilltë për vendin e saj.

Nuk më kujtohet sa kam ndenjur ashtu, me ballë e me sy e me faqe të njomura, por më kujtohen sytë e kaltër të një gruaje që ma fshinte ballin me një facoletë të lagur në ujë. Më sa duket, edhe ajo ishte e huaj si unë, dhe duke më marrë për epileptik, kishte vendosur të më ndihmonte. Pasi erdha në vete dhe e falenderova me përzemërsi,deshta të shkoj ke pronari i asaj godine dhe ta pyes pse e mbanin Lartmadhërinë n’ atë kafaz, por s’ ia vlente barra qirasë. Papandehur m’ u kujtua se Evropa s’ e ka për turp të marrë, qoftë edhe kufomat e tyre që kemi nisur në rrugë, por të vetat s’ i jep.

Duke zbritur shkallëve teposhtë, edhe një herë më mbërtheu një vaj dhe unë fillova të qajë. Ka shumë gjasa që vizitorët e atij pallati të më kenë marrë për të çmendur, por unë e di se çmenduria ime ishte tejet normale para çmendurisë që kisha përjetuar më parë. Sa i prapë qenka fati i njeriut të gjallë. Edhe sikur ta kish gjuajtur zotin Diell me gurë, ai s’ duhej ta dënonte Lartmadhërinë me një mërgim aq të gjatë.

Shkruan: Ramdan Rexhepi

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (0 Publikuar)

Total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin që shikoni në imazh:

Captcha
  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

0
Presheva Web Portal