Ballina | Botime | Prozë | Rrëfim në vetën e dytë /pj.II/

Rrëfim në vetën e dytë /pj.II/

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Rrëfim në vetën e dytë /pj.II/

S’jam më ai që kam qenë, Anamira. Është e vërtetë se edhe këtu, ku më ka katandisur fati, ka vila të rrethuara me gjerdhe, ka lëndina ngjyrë smeraldi, ka zambakë ngjyrë floriri, ka kodra të veshura me kullota e boronica, ka të bardhë  e të zinj, por të gjitha këto mrekulli s’ kanë ndonjë përmbajtje të rëndësishme për mua. Këto s’ krahasohen me parajsën ku jam lindur e kam luajtur në rininë e hershme. Për hatrin tënd, unë iu buzëqesh të gjithë kalimtarëve, u them mirëmengjesi, mirëdita, si jeni, por me një përtesë që n’ vendlindjen time do të konsiderohej e panjerëzishme. Këtu mungojnë ca atome të ylbertë drite, të cilët – në rrethana tjera – do më falnin vaktësi, ngazllim e dëshirë për të jetuar. Ky fshat i panjohur për abën Fetë e abën Ramize, i cili për ty është vendlindje, nuk është atdheu im. Unë këtu s’ kam mëm’ e atë, s’ kam motra e vëllezër, andaj s’ më njeh as gur’ i njomë, jo më ndonjë gur’ i thatë. Mu për ate, sa herë që shikohem në kaltrinë e syve tu, i them vetvetes: Ka kohë që ke vdekur. Po çfarë do të ndodhë me gjakun tënd?
Askush s’ e njeh ankthin tim. As ti, Anamira, që para se të nisesh  në vendtakimin tonë, me shekuj je përpëlitur nëpër indet e fisit tim. S’ ka mëdyshje se të kam pritur gjatë kohë, mbase me qindra vjet para se të lindesha, andaj jam ulur në dhomën tënde e po t’ i shkruaj këto fjalë me dridhmat e gjethit në erë. Jo dhe aq nga frika se një ditë do të ndahemi prej njëri tjetrit, por nga dëshira që ta mbërthesh kujtimin tim ashtu si jam e jo si ta dëftojnë të tjerët.
Kjo mbretëri, zemra ime, s’ ka ngrënë darkë me Skitët. Se t’ ishte e kundërta, unë do të bridhja me ty shpatijeve të Norçës dhe do t’ i admironim prej sëlargu Gerajt, Çukarkën, Zhunicën, Bushtranin dhe fshatrat tjera shqiptare. Mjerisht, edhe në vendlindjen tënde ka ardhur vjedhja, dyfaqësia,  mashtrimi, fodullëkudhe shthurrja. Vetë fakti që e kam zënë lapsin me dorë dhe po ndiej ankth për ardhmërinë tënde, dëshmon se egziston një dukuri që është e ngjashme me ate që po rritet në Palestinë, Vietnam, Shqipëri, Jugosllavi e vendet e kontinentit afrikan. Shtypja e njeriut nga njeriu.
Ti tani je një qenie e virgjër, e padjallëzuar. Deri sa s’ ke zotësi të ecësh me këmbët tua dhe gjithnjë kërkon të të zë për dore, s’ ke kurrfarë brengash në kokë. Dhe duhet të jesh e lumtur, se përjashta, përtej dritares së veshur me borë, çirren shumë bisha që s’ kan respekt për lotët dhe varfërinë tonë. 
Unë s’jam si gjyshi yt që punon si drejtor dhe e konsideron veten të pasur. Se t’ isha si ai, do kisha dy vila – njërën në midis t’ Uppsalës dhe tjetrën në bjeshkët e Norvegjisë – dhe kurrë s’ do të haja drekë te shtëpia. Fundja, pse të harxhoj kohë e elektricitet duke gatuar, kur mundem të ngjishem në “Ringbaren”, “Sheraton” apo Kaza Mia”? Mjerisht, kam një punë që paguhet pak dhe jam i ndërgjegjshëm se atë çast që “punëtorët e inkuadruar jasht vendit” do të kthehen në vendlindje, edhe unë do të kthehem në fshat. Legata Jugosllave, ajo që gjendet në qytetin e madh, s’ po le gur pa luajtur kundër meje dhe një xhaxhi tjetër që quhet Kosovë Rexha. Pak ditë para se të vija te ti dëgjova se konzulli i ri jugosllav, një çetnik i qelbur nga Zenica, veç i kishte ftuar Dallanguzët, Gashët, Tasharabajt, Karagjozët dhe shqiptarët tjerë në një mbledhje “informative” dhe u kishte bërë thirrje të mos i lëshojnë fëmijët e tyre në orët e gjuhës shqipe. Përndryshe – kishte thënë ai – mos hajdeni te unë t’ i zgjatni pashaportat.Kaq thjesht është puna.
Kjo është histori e trishtë, Anamira. Unë s’ e kam të qartë pse duhet të ndiqen varfanjakët shqiptarë edhe atëherë kur arnohen me ndihmat e Asistencës Sociale?! Pak që po i nxjerr me qindra e mijëra jasht atdheut të tyre por Jugosllavia Titiste, me direktivat që po merr nga Akademia e Shkencave të Serbisë, po i shpërdorë të drejtat e tyre deri n’ atë gradë, sa të mos kthehen fare atje ku kanë vëllezërit e motrat e tyre.
Mjerisht, kjo ndodhë  sepse vetëdija e vëllezërve të mi është aq e ligshtë, sa më mbushet trupi me mornica. Është një shqiptar atje, baba i gjashtë fëmijve. Burrë i mirë sa të duash. E quajnë Demir. Demir Ali Dallanguzi. Ai është nga një fshat i Maqedonisë, me gruan flet shqip, por fëmijët i ka regjistruar për gjuhën turqishte.Një tjetër shqiptar, poashtu nga Maqedonia, ka pesë fëmijë dhe të gjithë shkojnë e mësojnë turqisht.Ashtu bën edhe Çeliku, Çelik Reshidovski. Çeliku e flet një shqipe aq të pastër, aq të dlirë e aq të kulluar, sa edhe vetë ia kam zilinë, por për hatër të atij çetnikut nga Zenica, të gjithë fëmijët i ka regjistruar në turqishte. Një fqinje e tij, gruaja e Xheladin Tasharabës është shqiptare nga Veleshta, po me Xheladinin flet maqedonisht, sepse ai është mysliman nga Llabunishta.Si ajo, ashtu dhe burri saj, përpiqen të flasin maqedonisht me fëmijët, por ata s’ e donë as njërën as tjetrën.Ashtu bën edhe Shabani.Shabani është puro shqiptar, po gruan e ka kroate.Rrjedhimisht, katër fëmijët e tij flasin vetëm suedisht. S’ donë të flasin shqip, se ashtu u kanë thënë prindët. Duke i regjistruar si jo-shqiptarë, ata, me një gurë donë t’ i vrasin dy zogj: edhe të mos prishen me shokun Konzull, edhe t’ i hyjnë në hatër zotit Torsten, drejtorit suedez, që javë për javë vete në Legatën jugosllave dhe furnizohet me ”shlivovicë”.


2. Treni

Ti kurrë s’ ke hipur në tren, Anamira. Një ditë, kur të bëhesh më e madhe, do të dalim në Stacionin Qendror dhe do ta marrim trenin lokal. Ate që shkon e vjen nga Stockholmi.
Treni është një mjet udhëtimi – si ”volvoja” e gjyshin tënd – dhe  përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë, ajo që është e madhe dhe e lartë dhe tërë kohën bën tuf-tuf, tuf-tuf, është koka e trenit. Aty rri xhaxhi Drejtues dhe s’ ka tjetër punë pos ta urdhërojë kur duhet të ecë e kur duhet të ndalet ai mik i palodhur i njerëzimit. Pjesa e dytë, ajo ku rrinë udhëtarët, përbëhet nga një varg vagonash, që janë pakë a shumë të ngjashëm me dhomën tënde. Ata janë të veshur me stola e kolltuqe të butë dhe njerëzit, sapo ulen pranë njëri tjetrit, munden ta ndjekin vrapin e tij nëpër fushë.  Ai është shumë më i shpejtë se ”volvoja” e gjyshit tënd, se rend mbi dy binarë të rrafshtë hekuri dhe të shpie kudo që kapunë zotrote. Po deshte, ai të çon edhe deri në Preshevë, ku mund të hash qershia mekushërirat që s’ i ke takuar kurrë.
Ah, sa qejf është të udhëtosh me tren! S’ ka me qejf se të ngjitesh në ndonjërin nga ata vagonat e mëdhenj, që janë të shtruar me kolltuqe ngjyrë kenguri dhe, pasi ta zaptosh një vend pranë dritares, ta ndjekësh vrapin e tij. Është njësoj si të ngjitesh në qiell dhe të hidhesh teposhtë me vrapin e vetëtimës.Pak a shumë ashtu e ndiej veten kur dal në Stacionin Qendror dhe turrem drejt Stockholmit, vetëm e vetëm për të ardhur te ti.
Ashtu bëra dhe pardje mbrëma, kur mora trenin e mëngjesit dhe, pasi gjeta një vend të zbrazët, e mbështeta kokën në dritare dhe e luta trenin të vraponte sa më shpejt, më shpejt se “volvoja” e gjyshit tënd, më shpejt se anijet që shkojnë në Kopenhagë, më shpejt se vetëtima, që të vija në fshat e të përqafoja ty. Isha i sëmurë, hundët më ridhnin gjak, i gjith trupi më dhimbte, po cila dhembje mund ta zbraps prindin që ka mallë për fëmijën e tij?!
Ora e parë iku shpejt, se isha shumë i lodhur dhe rrafshira nëpër të cilën rendte treni ishte e zymtë, e veshur me mjegull, dhe retë – të zeza e të ngarkuara me pika shiu – më joshnin në gjumë. Aq më tepër që isha i vetëm dhe s’ kisha me kend të kuvendoja pak, t’ i dëftoja kush jam, ku vete dhe kur duhet të mbërrij atje ku jam nisur. Ajo që dua të them është se udhëtimi ishte monoton, i njëllojshëm po dhe i hareshëm, se do vija në fshat për të parë sa ishe rritur ti dhe sa kishe mësuar nga jeta. Se ku e kisha marrë atë dreq gripi që më torturonte në të gjitha gjymtyrët e trupit.
Fatlumnisht, me të hyrë në Smolandë, retë u shprishën  dhepejsazhi veshi ngjyrnat e një çarçafi të bardhë dhe m’ i kujtoi pulëbardhat që kemi në fshat. Këtej kishte rënë borë e madhe dhe Suedia, nën atë kostum të trashë kristalesh, dukej si një plakë e vjetër skandinave, kokëzbardhur dhe e pakapshme nga distance. Bënte ftohtë përjashta, ajri ishte i thatë dhe njerëzia ishin veshur trashë.Për herë të parë po dridhesha nga ankthi dhe u pendova që s’ kisha marrë pallto. Si djallin do të vija deri në fshat?
Eh, moj njerkë, thash vetë më vete. S’ kam të drejtë të qahem se këtu jam martua, kam gjetur një punë dhe kam një vajzë vërtet të vogël e të paaftë për të ecur me këmbët e saj, por gjithnjë jam i ftohur në shpirt. Kush jam këtu, në këtë këtë mbretëri që zgjohet e ngryset duke ligjëruar në një gjuhë të huaj?
Ndërkohë ai ecte, Anamira, turfullonte, thua se udhëtarët që ishin ngjitur në vagonat e tij me trasta, çanta, valixhe e qerre të fëmijve ishin tepër të rëndë për t’ i shpënë atje ku ishin nisur. Herë pas here treni ndalej, pushonte në ndonjë stacion, por në vend se shlirohej nga barra që kishte, duhej të merte edhe më shumë.Kishte në mesin e tyre lloj lloj njerëzish, por më së shumti bjonde me flokë të gjatë dhe ushtarë që shkonin te shtëpia për ta kaluar fundjavën.
Ora ishte përafërsisht dy pasdite kur e kaluam ”Pendën” – ate që e lidhë liqenin Mélare me Detin Baltik dhe treni, që tani kishte hyrë në zemër të Stockholmit, e ngadalsoi vrapin. Deri këtu mundeshim të vinim sëbashku, por tani duhej të zbrisnim në Stacionin qendror dhe të shprisheshim si delet në kullotë.
Edhe këtu bënte ftohtë. Sa për ta vrarë urinë e çastit, hyra në ”Norrland”, kështu quhet restoranti që gjendet në krahun e djathtë të stacionit, dhe porosita një kafe të madhe. Ti s’ e di, Anamira, sa e madhe është salla e Stacionit Qendror. Që nga mëngjesi e deri në mesnatë ajo vlon nga udhëtarët që shkojne e vinë nga të gjitha anët e vendit. Lloj lloj racash, ngjyrash e profesionesh. Dikush, sipas kushteve metereologjike që mbretërojnë përjashta, duhet të presë dy tri orë, dikush edhe më shumë, por shumica ikin sipas një orari që gjendet përballë restorantit në fjalë dhe t’ i çpon sytë me shkronjat e mëdha.
Më në fund erdhi edhe treni që prisja unë. Tani s’ mbeteshin veçse edhe tri katër orë deri sa të ballafaqohesha me sytë e tutë buzëqeshur. Që ta them të drejtën, s’ isha i sigurtë që do të gjeja të zgjuar, por e ngushlloja veten se, atë çast që do ta hiqja xhupin nga supet, mundesha të përvidhem në dhomën tënde, qetë – qetë, si hajdutët e maleve, vetëm për ta parë atë flokun e trashë, ngjyrë kullumbrie, që tani të ka hipur mbi qafë.
Tani s’ kanë mbetur veçse dyqind e gjashtdhjetë kilometra. Treni turfullon herë pas here, le dhe merr udhëtarë, pastaj çanë rrafshin e Upplandës, duke flakur anash shtëpitë e mbuluara me borë, urat, kopshtijet, fabrikat dhe autostradën që kemi anash. Çfarë s’ mendoja gjatë asaj kohe?! Shumë herët jam plandosur nën thundrrat e kësaj njerke të urrejtur. Kjo shoqëri thotë se është e butë, njerëzore, por ta merr bukën nga goja. Kjo shoqëri thotë se ështe e begatë dhe ka punë sa të duash, por të degdisë me qindra kilometra larg familjes dhe të detyron të mbash dy shtëpi, dy sofra buke, dy televizorë, dy llogari të rrymës elektrike dhe dy stile jetësor. Si punove, si s’ punove, kur i përmbush detyrimet, s’ të kanë mbetur veçse cigaret në xhep.Kjo shoqëri e mashtron veten se është ideale. Unë, pra, dua të shtoj: vërtet ideale, por për politikanët, deputetët, drejtorët e bankave, prostitutat dhe narkotrafikantët. Jo për njerëzit e ndershëm.
A mund ta marrësh me mend sa ftohtë që bënte? Binte borë, Anamira, dhe memzi që e kapa autobusin lokal.Frynte një erë e fortë përjashta dhe shoferi i ngratë ishte në hall. Megjithate, sikur ta dinte hallin tim, ai e ndoqi një rrugë që këtu quhet ”bregdetare” dhe pas shumë përpjekjesh mbinjerzore, më solli qendër të fshatit. Kur e hapa derën e shtëpisë, dëgjova zërin e nënës sate.
”Kujdes,” tha, ”se Anamirën sapo e ka zënë gjumi.”


3. Frika

Mbrëmë kam fjetur si lepuri nën dëllënja.Ti s’ e di sa shqetësohen prindët për fëminë e tyre, Anamira. Edhe pse s’ kisha ndonjë shkas të caktuar, thuajse çdo orë më dilte gjumi, kërceja nga krevati dhe, pa një pa dy, turresha në dhomën tënde. Më dukej sikur qaje dhe unë duhej të shihja që isha gabim. Mendoja: ku ta dish si i ka hallet. Fëmija qanë se s’ di ta çfaqë dhembjen e saj. Mbase ka ethe dhe po sheh ëndrra të këqia. Gjithça është e mundur.
Dikur u qetësove, lagjja ra në gjumë, por unë s’ kisha zemër të ikja nga dhoma yte. Rrija pranë teje, n’ atë kolltukun që ka sjellë gjyshi nga Uppsala, dhe dëgjoja frymëmarrjet e tua. Jeta, Anamira.  Jeta është një vezullimë çasti, gjatë së cilës ne lindemi, piqemi dhe fillojmë të bëhemi gati. Tërë kohën duke marrë frymë. Atë çast që ndërpriten frymëmarrjet, fillon anti-jeta. Të gërmosh në shtatin e jetës është gjë e hatashme, se tërë kohën, duke e shprishur brumin e saj, ne konstatojmë që pak më poshtë, nën dhjamin e sajtë shkrifët, fillon anti-jeta.
Edhe sot më kujtohet mbrëmja kur erdhe në jetë. Zotrote ishe tmerrësisht e vogël, sa një klysh majmuni, dhe tërë kohën qaje nga dhembjet e një koliti që ta prishte gjumin. Tani që ke mbushur dhjetë muaj, ti je bërë si bejka lozonjare; flokët i ke gjata, faqet të kuqe, dhe tërë kohën do të të mbaj me duar, se do të ecësh. Ecja është art i madh, Anamira. Sa e sa vetë kanë provuar të ecin, por para se ta zotërojnë atë art, shpesh herë janë rrëzuar nëpër gurë, kanë lënduar këmbët, kanë lënduar duart dhe janë përgjakur si ata që rrëzohen nga thanat apo vodhëzat shtatgjata.
Edhe pse nëna yte më merr inatë, unë kam qejf të loz me ty dhe s’ mundem të rri i qetë. Ti je shumë e gjallë dhe tërë kohën më ndjek rreth e përqark kolltukut, prapa dyerve të shtëpisë, në krevat dhe, atë çast që më gjen të strukur prapa dere, ia thua një të qeshure që është poaq e dlirë sa dhe përroskat e Kebnekajses. Mua më pëlqen gazi yt, sytë e tu të shkruar dhe – veçanërisht – ai vrapi i përngutur, që gjithmonë ma kujton arën e xha Sergizit.
Kllap - kllup, kllap - kllup, kërcasin bërrylat e zotrote, thua se ke veshur samarin e një breshke të madhe dhe patjetër duhet të vish te këmbët e mia.
Kush e mendonte që do jesh kaq energjike dhe do zvarritesh me kaq vendosmëri drejt duarve të mia? Pastaj e bën të kundërtën. Shqitesh nga duart e mia dhe ikën e ikën nëpër dysheme, thua se duhet të të ndjek deri në fund të botës dhe, sapo ballafaqohemi me njëri tjetrin, ti pra ua thua të qeshurave.
Ashtu kemi bërë edhe sot. Sa hapa sytë dhe konstatova që isha te shtëpia, të gjitha brengat e mia u zhdavaritën si vesa në diell. Përjashta binte borë, një borë e bardhë dhe e butë si retë që ishtangur në vend, por unë pak mërzitesha për atë punë. Me ta dëgjuar zërin tënd, erdha e të mora në krevat dhe ta zgjata shishen me qumësht të ngrohtë. Pive sa pive, si të gjithë fëmijët që sapo janë zgjuar, pastaj i hape sytë dhe e kuptove që isha unë.Sikur të pëlqeu që isha unë, se aty për aty kërceve nga krevati dhe më hoqe drejt kushinës. Piva atë kafen e rëndomtë dhe dolëm përjashta.
Ah, sa shumë që jemi kënaqur përjashta! Tani s’ je shumë e vogël, Anamira, se di të thuash ”ma-mi”, ”ba-bi”, “hum-hum”, ”kra-kra” dhe ”kuak-kuak”.  Atje ku jam rritur unë kishim një oborr të madh po s’ kishim as çerekun e lojnave që ke ti dhe unë s’ e mbaj mend si kam qenë si fëmijë. Kurse ti qesh, qanë, proteston, do të luash me sapun dhe unë, si të gjithë prindët e botës, fotografoj çdo marrëzi që bën zotrote… Ti, ç’ është e drejta, s’ je aq e urtë dhe aq e mirë sa dua unë, se do të shtrihesh në vaskën e ujit, më gjuan me biberon, do të notosh, dhe – mjer ai që të nxjerrë nga uji, së vaji shkon deri në kupë të qiellit. Nëse ty, Anamira, këto të duken cikrrima, dita ime do ketë qenë e pakuptim. Paçka se unë kam përjetuar ditë edhe më të trishta se kjo paradite dhe pasdite.


4. Xhaxhi Ulmar

Dje pasdite, sa po luanim përjashta me borë, xhaxhi Postjer më solli shumë letra, gazeta dhe revista. Njëra prej tyre – shumë e gjatë dhe me rreshta të dendur – ishte letra e xhaxhit Ulmar.
Ti, Anamira, ende s’ e ke takuar atë burrë të gjatë e të thatë si plepi, sylarmë e flokëzbardhur nga hallet e jetës. Ai banon në një fshat më të madh se Jysna dhe punon si unë. Me xhaxhin Ulmar dhe xhaxhin Bo na lidh një miqësi më e vjetër. Për të qenë suedez nga nëna e baba, të dytë janë më shqiptar se do ”shkipetarë” të Byrosë Politike, të cilët ka vite që po e kurvërojnë vendlindjen e tyre.
Xhaxhi Ulmar është mësues. Ai, njësoj si nëna yte, i mëson fëmijët të shkruajnë, të lexojnë, të vizatojnë dhe të këndojnë në gjuhën suedishte. Por ai është edhe albanolog, se – përpos tjerash – shqipen e flet më mirë se shumë shqiptarë dhe, që nga dita kur është themeluar ”Shoqata e Miqësisë Suedi – Shqipëri”, merr pjesë në veprimtarinë e saj si nënkryetar.
Kjo nuk është punë e lehtë. Xhaxhi Ulmar është burrë i ndershëm dhe të gjithë shqiptarëve – pa marrë parasysh moshën, gjininën, vendlindjen apo përkatsinë fetare – ua do të mirën. Ashtu kam bërë edhe unë me popujt skandinavë. Paçka se ky tip dashurie është i ndaluar në Shqipërinë e xhaxhit Mehmet. Ai që do të jetë anëtar i ” Shoqatës së Miqësisë Suedi – Shqipëri” duhet t’ i admirojë vetëm kuqaloshët dhe dropullitët e Toskërisë, sepse shqiptarët tjerë, ata që quhen ”çamë”, ”arbëreshë”, ”kosovarë”, ”gollobërdas” e ”cërnagorë” – sipas tyre – s’ janë shqiptarë. Me pak fjalë, asnjëri nga anëtarët e Shoqatës së Miqësisë, nëse vërtet është mik i popullit shqiptar, s’ guxon të shoqërohet me shqiptarët tjerë. Ata tjerët janë agjentë të policisë jugosllave, greke apo italianë. Ka gjasa të jenë edhe më shumë, se policitë e lartpërmendura janë degë të KGB-s ruse dhe CIA-s  amerikane.  
Xhaxhi Ulmar ka rënë në hall, Anamira. Në mbledhjen e fundit të Kryesisë ai – krejt rastësisht – ua paska kujtuar anëtarve tjerë të kryesisë se Shqipëria e shokut Mehmet nuk i përfaqson të gjithë shqiptarët e botës, gjë që paska dhënë shkas për një debat mjaft të gjatë midis tij dhe funkcionarëve tjerë.  Tani qenkan të gjithë ”të bindur” se Ulmari është në maskopi me mua dhe ka për qëllim ta minojë miqësinë midis popullit shqiptar dhe suedez.
Unë dhe Ulmari jemi miq të vjetër, kjo është e vërtetë, por botëkuptimet tona mbi çeshtjen shqiptare s’ janë identike. Ai ka të vetat, unë kam të miat. Ne s’ kemi nevojë të thurim intriga sepse ia duam të mirën Shqipërisë, edhe atëherë kur e kritikojmë haptas. Këte ia kemi thënë ashiqare zonjës Kessle, kryetares së Shoqatës. Si i pëlqeu, si s’ i pëlqeu. Kosova nuk është çeshtje e brendshme e Jugosllavisë, por çeshtje e të gjithë shqiptarëve liridashës.Nëse dropullitët ditkan të jenë më shumë grekë se shqiptarë, ne jemi njëqind fish më shumë shqiptarë se jugosllavë.
Ulmari paska mbajtur qëndrim miqësor por jo dhe përulës para grekafonëve që punojnë në Ambasadën Shqiptare. Dhe ai ka njëmbëdhjetëmijë e ca arsye ta ndiej veten të paprekur nga insinuatat e tyre, sepse – në dorë të parë – Shqipëria s’ po e mbanë me bukë, që të përjarget para grekafonëve të saj, dhe – në dorë të dytë – ka aq dollarë amerikanë sa t’ i blej vetë ata pak libra që po ia dërgon peshqesh Komiteti Qendror dhe Biblioteka Kombëtare.
Edhe kjo letër, si të gjitha tjerat, është dëshmi e një burri të ndershëm, që me forcat e tij, pa e ndihmuar askush dhe pa shkelur n’ asnjë universitet, e ka mësuar gjuhën shqipe më mirë se shumë mësues që kam takuar në Shqipëri. Mjerisht, nga toni i saj po e shoh se atij i ka ardhur në maje të hundës komedia e ”marksist-leninistëve” të Tiranës. Ata, në vend se t’ i botojnë veprat e Faik Konicës, Mitrush Kutelit, Gjergj Fishtës e Lazgush Poradecit dhe t’ ua falin vëllezërve të tyre në ”kosovarë, ”maqedonas”, ”cërnagor” e ”gollobërdas”, s’ kanë tjetër dert veçse si t’ i përhapin veprat e shokut Dullo në Suedi dhe të luftojnë kundër revizionizmit jugosllav.
Jo, Anamira. Edhe xhaxhi Ulmar, njësoj si unë e shumë tjerë, pas vizitës që ia bëri Shqipërisë, e ka kuptuar se ajo nuk është si e mendonim ne, po një Shqipëri tjetër. Shqipëria që pamë tre vjet më parë s’ na ka lënduar aq shumë neve, turistët e huaj,  sa vetë popullin shqiptar. Shqipëria që po na e prezantojnë në revistat ”Ylli” e ”Albanie Nouvelle” është duke e rjepur aq shumë popullin shqiptar, sa s’ pa ka takat të matet megjakpirësit e Mehmet Shehut, që një kohë e një vakt shitej se çlirimtar i Kosovës. Për fatin tonë të keq, ai ishte çlirimtar vetëm deri nëçastin kur ua dorëzoi vendlindjen tonë çetnikëve serbë.


5. Vrasjet
Ti s’ e di, Anamira, po në vendlindjen tënde ndodhin përafërsisht njëqind vrasje në vit. Ka vrasje, ka dhe vetëvrasje. Vrasje quhet veprimi kur dikush ta merr jetën me qëllim, duke ta zënë frymën me jastëk, duke të përzjerë helmin në ushqim, duke të goditur me diçka të mprehtë, duke të qëlluar me armë apo duke ta vënë një bombë nën makinën që ke vendosur para shtëpisë. Ky tip krimi quhet vrasje dhe dallon nga vetëvrasja.
Vetëvrasje quhet veprimi kur njeriu, për arsye nga më të ndryshmet, ia merr vetes jetën duke u therur me thikë, duke e qëlluar veten me armë, duke kërcyer nga një vend i lartë apo duke u mbështjellë me llokume dinamiti – siç bëri zoti Grankvist – dhe duke e copëtuar veten si dardhat kur bien në tokë. Sipas atyre që dinë më shumë se unë, vetëvrasje bëjnë vetëm ata që janë kanë sedër dhe s’ lejojnë t’ ua prekësh botëkuptimet që kanë mbi veten dhe popullin e tyre. Ky është shkaku pse vrasjet klasifikohen si ”mord” ndërsa vetvrasjet si ”vetvrasje”.
Unë jam mjaft i brengosur me vrasjet që po ndodhin nëpër qytetet e Suedisë. Ca kohë më parë, deri sa po përgaditesha për provimet e fundit, m’ u lajmërua Daut Fetiu nga Peçani. Ai sapo kishte mbërritur në vend dhe kishte dëshirë të takoheshim, ta pinim një kafe dhe të çmalleshim me njëri tjetrin. Me keqardhje i thash se jam shumë larg nga vendi ku kish zënë punë dhe kredia që kisha marrë për studime ishte tejet e vogël për udhëtime të gjata. Megjithate, i premtova se një ditë, kur do të rregullohesha pak, gjithsesi do ta vizitoja dhe do të kënaqesha me te.
Ca kohë më vonë, tani s’ po më kujtohet data e saktë, dikush e qëlloi me armë një punëtor slloven deri sa po dilte nga fabrika. Gazetarët shkruatën disa herë për vrasjen e atij njeriu të pafajshëm dhe, më në fund, fajet ia lanë Ambasadës Jugosllave në Kopenhagë. Sekretari i parë i saj, një abrash me syza të rrumbullakta, i hodhi poshtë akuzat e shtypit skandinav dhe la të kuptohej se në ”botën e jashtme”, përpos punëtorve të ndershëm, kishte lloj lloj çetnikësh e ustashësh që shpesh herë i qëronin hesapet midis vedi. Ato vrasje s’ kishin të bënin me politikën jugosllave.
Këtë shqetësim s’ do ta shënoja në fletoren time sikur të mos ishin edhe disa vrasje tjera që ndodhën kohëve të fundit në Gjermani e Suedi. Në Gjermani u vra një shkrimtar kroat, sipas shtypit gjerman goxha i njohur dhe  respektuar nga bashkatdhetarët e tij. Në Halmstad u vra një tjetër. Edhe ky i dashur dhe respektuar nga mërgata e këtushme kroate.
Pak ditë më parë, deri sa po kuvendoja me Kosovë Rexhën, ai më dëftoi se ashtu ishte vrarë edhe Dauti. Daut Fetiu nga Sahu Reka e Prizrenit.Dauti – që ishte infermier nga zanati – kishte shkuar në vendin e punës dhe po I ndihmonte një të sëmuri, kur i afrohet një suedez nga prapa dhe, pa më të voglën e arsye, e lëndon për vdekje me thikë.Askush, as familja e tij e ngushtë, s’ dinte gjë se Dauti kishte bërë fjalë me ndonjë njeri.
Se çka po e nxitë Sigurimin jugosllav t’ i kurdisë këto vrasje, me urdhërin e kujt po i bën dhe cilat arsye fshihen prapa heshtjes kompakte të qeverisë suedeze, që – kur është Jugosllavia në pyetje – gjithmonë i ve gojës gardh, s’ e di, por kam përshtypje se numri i atyre që e donë Titon është i madh.
Kjo më ka nxitur të jem i kujdesshëm, Anamira.  Dikur, sa isha beqar dhe i vetëm, s’ kisha arsye të vras kokën mbi darkat dhe drekat e konzujve jugosllavë. Mjerisht, tani që jam bërë prind po duhet të mendoj edhe për juve. Ajo që po më shqetëson më së shumti është mikpritja tradicionale e vëllezërve shqiptarë. Që nga dita kur kam filluar të punoj në Jug, kam vënë re se shqiptarët, pa marrë parasysh trevat ku janë lindur,  nuk kënaqen të mbarojnë punë në Legatën jugosllave, por atë çast që pinë kafe me ”shokun” Konzull, menjëherë e ftojnë te shtëpia. Pse e bëjnë këtë punë? Ta thotë babai”. Shqiptarët kanë qejf të mbahen me ”dërzhavën” dhe gjithmonë e ushqejnë me japrak, pite dhe raki rrushi. Ca prej tyre e bëjnë këtë punë nga naiviteti, se prindërit ua kanë lënë amanet bukën, kripën dhe zemrën, ndërsa tjerët e ndiejnë të nderuar se gjithnjë janë anëtarë të Skojit. Kur i thash njërit prej tyre se buka që ia kishte dhënë konzullit ishte haram, ai u nxi si muti në shi dhe ma tha të jem i kujdesshëm, se mundej të më gjente ajo që e kish gjetur Dautin e ngratë.   


5. Afati
Takimet tona janë të shkurtëra. Në fillim iu përngjajnë pëllumbave të bardhë, që këndojnë nëpër degët e mështeknave, por të nesërmen, kur vjen koha për t’ u ndarë prej njëri tjetrit, ato shndërrohen në mbrëmje të zymta nëntori. Afati që kam në dispozicion të të puthë, përqafoj e të endem më ty nëpër fshat i përngjan afatit që ka ushtari për ta takuar familjen e tij. Leja ime fillon ditën e shtunë në mëngjes dhe mbaron ditën e djelë në mbrëmje.
Ti s’e di, Anamira, por Suedia ka shumë fshatra. Ca prej tyre janë të rëndomtë, të tjerët janë madhështorë. Malet me gurë, fushat me bar shumë, arat me grurë, më tutje një lumë… Kështu përafërsisht duhet të jetë një fshat i bukur.
Pak a shumë, e tillë është vendlindja yte.Ajo vërtet s’ ka male me gurë e fusha me bar shumë, por ka bregore të veshura me pisha, ka mështekna ngjyrë smeraldi, ka ara të mbjella me patate, ka lëndina të  veshura me boronica, ndërsa lumi që kalon nëpër fshat është aq i gjërë dhe aq i madh, sa s’ krahasohet me atë përroskën që kalon nëpër fshatin e xhaxhit Andon.Lere pastaj kishën. Kisha që gjendet përballë dritares sate është poaq e bardhë dhe poaq e bukur sa dhe mjellmet e kanë zili.
Sa herë që vi këtu, Anamira, unë e ndiej veten të trullosur. Një pjesë shpirtit tim është e lumtur, si degët e qershive dhe  mollave kur vishen me lule, ndërsa pjesa tjetër është e thatë si gjoksi i një nëne që ka humbur djalin e vetëm. Unë të kam pritur shumë kohë para se të shiheshim me njëri tjetrin dhe, për ta vrarë mallëngjimin që kisha për ty, fillova të reflektoj mbi dhunën që ushtrohej në vendin tim, mbi miqët që kisha nëpër burgje dhe mbi obligimin që kisha kundrejt tyre. Nga kjo dhomë, ku prore më shikojnë më sytë e Ismail Qemalit, unë i shkruaja Ulmar Kvikut, Hamdi Oruçit, Nexhat Peshkëpisë, Lec Shllakut, Rexhep Ismajlit, Xhemalie Demaçit, Mariane de Lorenzit, Bo Jansonit, Qerim Arifit e miqëve tjerë që kisha nëpër Kosovë. Me shpresa se do të vije një ditë dhe do të ma hiqje mërzinë, përktheja dhe faqet e para të  ”Zonjushës Zhulí”.
Tani që ke ardhur dhe po rritesh me vrull, unë e ndiej veten si të hipnotizuar. Nuk jam në gjendje të kuptoj se gjithë kjo që po ndodhë rreth e përqark meje është e vërtetë. Nuk po më hynë në kokë se objekti i këtij gëzimi ka mbushur vetëm dhjetë muaj. Ti je e vetmja qenie që më bën të qesh pa ngurrim. Mjafton të ndeshem me syte e tu të shkruar dhe t’ i harroj të gjitha brengat që kam në shpirt. Ka gjasa që zotrote je një qenie e rëndomtë, ndoshta edhe e shëmtuar,  poratë çast që ballafaqohem me sytë e tu, mua më duket sikur kam hyrë në Preshevë dhe po vete atje ku më ka rënë koka. Është koka yte, o zemra e babait, janë duart e tua të vogla që pasqyrojnë diçka që kam humbur në jetë dhe tani ai diçka ka ardhur prapa te unë. Herë herë, kur jemi vetëm unë e ti, më mbërthen një ndjenjë e çuditshme dhe pyes veten: Si është e mundur, o Zot? Kjo është si unë. Kjo është një pjesë e humbur e unit tim, që papandehur ka ardhur prapa. Kush e di sa vjet ka shtegtuar për t’ më takuar në këtë fshat të huaj dhe një ditë, kur do të shndërrohem në diçka tjetër, ajo përsëri do ta fillojë endjen e saj drejt vetvetes.
Sot jemi kënaqur sëbashku. Edhe pse ftohtë, qielli ishte i kaltër dhe Jysna, e veshur me kostym të bardhë, iu përngjante kartolinave që shiten për krishtlindje. Sapo të doli gjumi, harruam atë gripin e leckosur dhe dolëm përjashta. Ku s’ vajtëm pastaj? Një herë te Lisbeta, pastaj te Lena dhe Vinsenti, pastaj te ajo tezja që punon në bankë. Paguam dy qiratë e shtëpive, kredinë që kam marrë për studime, elektricitetin, ndërsa kronat që mbetën i lamë për bileta të trenit. Nesër mbrëma, Anamira, pasi të ngjitem në tren, midis nesh do të hapet një jaz që është shumë – jashtzakonisht shumë – i gjërë.
Tani dielli ka perënduar dhe përjashta po ngryset. Ty të ka zënë gjumi dhe po fle si të gjithë fëmijët e botës, por mua më ka mbërthyer një ankth i çuditshëm. Të jesh a të mos jesh: kjo është pyetja. Nëse duhet të jesh, unë e pyes veten – çka? Shqiptare, suedeze apo suedezo-shqiptare? Ti s’ na lute të të thërrasim në jetë. Ç’ është e drejta, s’ do bëhej kiameti nëse s’ vije fare. Megjithate, pa egzistencën tënde jeta ime s’ do të kishte kuptim. Unë ndiej një ngazllim të madh që je gjallë, që egziston, që ecën, që i prekë sendet, që i fikson njerëzit dhe që i thërret në emër. Edhe pak dhe dashuria yte do të shndërrohet në behar. Do të forcohet. Por kjo s’ do të thotë se ne, duke të sjellë në jetë, kemi bërë ndonjë heroizëm të madh. Përkundrazi, duhet ta pyesim veten: Jemi apo s’ jemi të përshtatshëm për ty?! Ka apo s’ ka lumturi në këtë pjesë të rruzullit tokësor? Kjo është pyetja që shpesh herë ia shtroj nënës tënde.
Deri sa unë po reflektoj për jetën tënde, nëna yte po e mbush fletëdeklarimin e përbashkët.  Kështu bëjnë të gjithë qytetarët e kësaj mbretërie: të varfërit duhet t’ i numërojnë edhe dromcat që u kanë nën sofër, ndërsa nëpunësit, byrokratët, drejtorët, ministrat e qeveritarët e lartë presin ngritjen  e rrogave.
Sonte jam i pikëlluar, Anamira. S’ di kush më dhimbset më shumë: vetja, ajo që ti e quan ”ma-ma” apo zotrote që je kaq e vogël dhe kaq e brishtë dhe kaq e varur prej nesh? Tani që jam strukur në kolltukun e gjyshit tënd dhe po reflektoj mbi jetën time, më dhimbset goxha shumë ajo që ti e quan ”ma-ma”. Unë s’ kam qenë aq i drejt kundrejt saj, po tani është tepër vonë për t’ i kërkuar falje. Një kohë e një vakt, ajo ishte vajzë e pahalle. Një ditë, kur ajo s’ e priste atë gjë, unë ia zura rrugën dhe e hodha në greminë. Ku ta dish si e ndien veten tani? Mbase dyshon që po shkoj me të tjera. Unë, pra, përpiqem ta ngushëlloj me diçka, të mbjell në shpirtin e saj shpresa, por fjalët e mia janë të ftohta. Një qenie që ka djegur buzët me qumësht, i frynë edhe kosit. Ashtu thotë një fjalë e urtë popullore.


6. Lotët

Memzi prisja të të dalë gjumi. Isha gdhirë herët, Anamira, e kisha pirë tasin e rëndomtë të kafes dhe po e ndiqja me sy traktoristin që pastronte rrugët nga bora, kur papandehur e dëgjova zërin tënd. Një zë i thekshëm fëminor. Ma-miiii!.. Tamam si tingujt e këmborës që ia vëmë viçit të vogël. Ishte sinjal që e dojë shishen e qumështit të ngrohtë.
S’ kishte nevojë të thërrisje dy herë, se erdha drejt dhomës tënde si shigjetë. O, bija ime e dashur! Bija ime e shtrenjtë! Sa shumë ke ndryshuar nga koha kur u takuam për herë të parë. Atëherë ishe e zeshkët, e trembur, me sy të mëdhenj e trup të thatë, ndërsa tani je shndërruar në bjonde dhe flet si vajzë e madhe. Tani flet me zë të lartë, fjalët i artikullon mirë dhe atë çast që e sheh foton e nënës, thua me zë të vendosur: Aty – Mami. Po këtu? Aty – Babi. Edhe flokët të janë rritur, majmun, faqet të janë bërë si pjeshka. Tani s’ mentohesh shumë kur më hidhesh në qafë.
Dje mbrëma e kishim lënë të shkonim në liman dhe t’ i ushqejmë pulëbardhat, andaj hëngrëm shpejt e shpejt dhe veshëm rrobat e trasha. Pastaj e nxorëm qerren tënde dhe iu dhamë këmbëve përpara.
Bënte ftohtë përjashta, Anamira. Qielli ishte i ulët dhe përpak s’ i prekte çatitë e shtëpive dykatëshe, ndërsa bora ankohej nën këpucat tona të rënda. Ty të kishim vënë para, ndërsa veteë, të veshur me pallto e çizme të gjata, të ndiqnim nga prapa. S’ ishim të prirur për llafe, se pasdite do të ndaheshim dhe unë do t’ ikja në qytetin e madh, ndërsa nëna do mbetej me ty në fshat. Fati saj s’ ndryshon shumë nga fati i grave shqiptare, se përpos teje ka dhe një kope të madhe me nxënës të çiklit të lartë.
Logu i pulëbardhave është goxha larg. Së pari duhet ta kalosh rrapin, pastaj urën e Jysnës, të gjatë e të veshur me qirinj akujsh, pastaj hidroçentralin dhe, tek pasi e kalon pishakun, ballafaqohesh me një murë të lartë ku sillet e mbështillet një tufë pulëbardhash. Ty të duket e pabesueshme, por asgjë tjetër pos klithmave tua s’ ma rregullon ditën. Ashtu e gjallë e faqekuqe, e veshur me një kostum të kuq e shall të bardhë, ishe ngritur në gjunj e vëzhgoje para, vëzhgoje anash dhe, varur nga kafshët apo shpendët që na prenin rrugën, ti, me seriozitetin e moshës sate, na dëftoje se përpara kishim një krra-krra, një ham-ham apo një kvak-kvak. Unë, i rraskapitur nga lodhja, e shtyja qerren me zor dhe  në trastën e pikëllimit që ma kishte veshur shpirtin, përpiqesha të gjeja ndonjë fjalë apo buzëqeshje të ngrohtë. S’ kam unë veshë për tjetër kend pos teje.
M’ ora dy e gjysmë hëngrëm drekën. Ti sikur e dije që do t’ ikja pasdite se, derisa nëna i lante enët, fillove të çosh inatë me mua dhe të mos më shqitesh nga duart.Këtë herë s’ pranoje as të flesh pasdite, as të lexoja përralla mbi urithin plak. Aty nga ora katër e ca, sigurisht nga pagjumësia e madhe, ia the një vaji shumë tronditës. Si s’ u përpoqa të të ngushlloj, të çoj deri në banjo, ta mbush vaskën me ujë dhe pastaj, deri sa luaje në vaskë, të përvidhem përjashta, por ishte ndërmarrje e kotë.
Më në fund mora çantën dhe dolëmtë tre sëbashku. Njeriu vdes edhe kur është i gjallë, Anamira. Ai, madje,vdes edhe më lehtë kur është gjallë se sa është i vdekur dhe s’ ndien as gëzim, as trishtim.
As vetë s’e kisha të qartë pse kisha dalë n’ atë stacion autobusash dhe duhej të ikja me qindra kilometra larg teje, kur ti je e vetmja qenie që më quan ”babi.” Të tjerët më quajnë shok, mësues, jaran,bashkatdhetar, por askush s’ më quan babi. Si për bela, pak para se të dilnim përjashta, ia behunjë miellazë e hollë që dalngadalë – po me themel – i veshi kurorat e pemëve me një çarçaf pambuku dhe i shndërroi në një skenë teatrale të bardhë. S’ di a qaje ti, Anamira, apo qante vetë natyra për neve që duhet t’ i lëmë gratë dhe fëmijët e vegjël për kafshatën e bukës?!..
Të putha shpejt e shpejt në faqe dhe hipa n’ autobus, po s’ kisha guxim të shikoja prapa, se të lash të përlotur e me duar të zgjatura në ajr. Thash: Mallkuar qofshin edhe ato krona që do t’ i marr me djersën e ballit kur po e lë evlatin në vaj! I shtrëngova nofullat sa munda, se s’ isha i vetëm n’ autobus, dhe ndjeva që zemra ime ishte shndërruar në një gjol balte. Tani që të kisha lënë prapa, autobusi çante heshtjen që i kishte hipur gjithsisë, por veshët e mi gjithnjë ushtonin nga klithmat që i kisha lënë në fshat. Asgjë, Anamira, asgjë s’ ma lehtësonte ortekun që më kishte hipur mbi qepallatr e syve.As vija e zezë e asfaltit që shkrihej në largësi me pluhurin e borës, as vargjet e dritave që xixëllonin nëpër fshatra, as oxhaqet e lartë të fabrikës që villtetym, as errësira e pishave të ngarkuara me borë.
Dikur e bëra zemrën gur dhe pash drejt qiellit, por në vend se të ballafaqohesha me syrin e kaltër të Gjithësisë, e pash drapërin e zonjës Hënë, që herë çfaqej, herë zhdukej prapa reve që ndiqnin njëra tjetrën. Çfarë po bëj në këtë mbretëri të huaj, e pyeta veten. Sa libra kam shfletuar gjatë endjes time nëpër Evropë por askund, ama askund, s’e kam gjetur ate që figuron në Kartën e të Drejtave të Njeriut: se mërgimi duhet ndaluar me ligj. Se të gjitha ato qeveri që s’ ua sigurojnë bukë dhe kripën qytetarëve të tyre duhen flakur në shportë.  Ashtu bënin romakët e vjetër. Ndërsa tani dikush ha e pi e mbush konton memiljone, ndërsa tjerët shpenzojnë gjysmën e rrogës për ta mbajtur një punë. Ç’ është më e arsyeshme se nesër a pasnesër lotët e fëmijve tanë të kërkojnë llogari prej nesh?
Ora ishte gjashtë, gjashtë e gjysmë, kur u rrasa në sallën e pritjes. Një stacion i vogël norlandez,nëpër muret e të cilit kishin varur lloj reklamash. Pse s’ dilni pak për pushime? Nëse doni të udhëtoni, pse s’ udhëtoni me çmime të reduktuar? Pse s’ i kujtoni miqët, kur ka kartolina? Norvegjia– parajsa e pushimeve dimërore. Pak më lart gjendet orari i trenave që shkojnë e vinë në relacionin Stockholm – Pragë – Vjena. Ata pak njerëz që gjeta brënda ishin mbështjellë me pallto të trasha dimri, kapela ruse dhe çizme që u shkonin deri në gju. Gra e burra, të rinj e të reja, endeshin nëpër sallë dhe, pasi merrnin informatat e duhura,  endeshinnëpër avullin e përzjerë me tym duhani.
S’ isha mirë, Anamira. Kisha të ftohtë dhe memzi prisja të vinte treni e të strukesha në kupenë ku duhej ta kaloja natën. Sitë mos mërdhija kur dy herë në muaj, edhe ate rregullisht, unë i kaloj dy të tretat e Suedisë në një kupe që hapet e mbyllet tërë natën? Tani jam treqind e sa kilometra larg Stockholmit, ndërsa nesër do jem tridhjet e ca kilometra larg Kopenhagës. Këtu frynë veriu me furi, atje poshtë bie borë edhe shi. Këtu pikëllim, atje trishtim. Por midis këtij pikëllimi të rëndë si plumbi dhe atij trishtimi të rreckosur si vdekja, gjithnjë ndriçojnë sytë e tu të përlotur.Një ditë, kur të rritesh e madhe dhe t’ i lexosh fjalët që po t’ i lë kujtim, do ta kuptosh se jeta s’ është aspak e shijshme pa kripën e tyre.

( 1973 )

Shkruan: Ramadan Rexhepi

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (0 Publikuar)

Total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin që shikoni në imazh:

Captcha
  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

0
Presheva Web Portal