Qyteti i zonjave plaka
Më kishin thënë se ai qytet ishte i gjallë. Kishte parqe të mëdhenj, dy plazhe të mrekulleshëm dhe njerëz shumë të dashur. E keqja ishte se unë, ndonëse isha endur disa javë nëpër rrugët e tij,s’ isha ballafaquar me asnjërën nga mrekullitë e lartpërmendura.
Ora ishte shtatë e mbrëmjes kur më lajmërohet Isperi, një miku im palestinez, dhe më lutet të dalim pak.
“Jam një çikëz i mërzitur dhe – thash të dalim pak – ta rrokullisim nga një gotë sëbashku. S’ ka rëndësi vendi. Mjafton ta vrasim këtë dreq monotonie që po na ha të gjallë.”
S’ isha i gatshëm t’ ia prish qejfin. Isperi është arab i krishterë dhe djalërinë e ka kaluar në Betlehem. Pas hyrjes së çifutëve në vendlindjen e tij, ai ikën në Bejrut, mbaron studimet dhe vjen në Suedi me gruan dhe fëmijët e tij. Ka vëllezër, ka dhe motra, por ata jetojnë në Jerusalem. Sivjet s’ ka shkuar në vendlindje, se e ndjekin ata qenët e policisë sekrete.E lëmë të shihemi në sheshin Triangel, në katin e dytë të supermarketit ”Tempo”.
Duke qenë se jam i pari,marr një kafe dhe zë vend pranë dritares që gjendet përballë rrugës Soedergatan dhe supermarketit Domus. Salla e restorantit është e madhe, e ndritshme, me dritare që shikojnë drejt kishës katedrale të Shën Janit, ndërsa sfondi i dekoruar me basma ngjyrë portokalli, lule plastike dhe ca llamba që përpak s’ i prekin kapelat e damave plaka. Dyshemeja është e shtruar me qilima artificialë.
Si s’ përpiqesha të gjej diçka të bukur në mrekullitë e atij qyteti por gjithçka më dukej e ngurosur, plastike dhe e ftohtë. Karshi meje ishin kurdisur ca plaka elegante dhe pinin kafe.
Unë i vështroj prej së largu dhe më mbërthen një buzëqeshje e papandehur: zonjat plaka janë të veshura me korrektësi të madhe dhe mbajnë ca kapela që s’ i kam parë askund n’ Evropë. Përtej kapelave të tyre, në sfondin e lyer me ngjyra të çelta, dikush e ka varur një mbishkrim domethënës: bukë, kafe dhe akullore.
Më në fund doli ajo që s’ e kisha parë me javë: ky ishte qyteti i zonjave plaka. Kudo që hyja n’ atë qytet, në cilëndo kafene që provoja të refelektoj mbi hallet e jetës, shihja plaka dhe filxhane të kafes. Ashtu dhe tani. Ato kishin zënë një qoshe të sigurtë dhe herë pinin kafe, herë pinin duhan. Pak më tutje dëgjohet cingërrima e qelqeve, rraptima e pjatave si dhe zëri i trashë i një gruaje që thërriste me zë të lartë: Numri pesëmbëdhjetë… Numri gjashtëmbëdhjetë… Numri shtatëmbëdhgjetë… Dhe prapë rraptima e pjatave.
Plakat hynin, porositnin gjellën e preferuar dhe uleshin në tavolinat e lira. Pastaj, pasi iu shkonte pjata numër pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë përpara, ato hanin qetë – qetë, pinin pinin kafen e rëndomtë suedeze dhe iknin pa ndërruar shumë fjalë me njëra tjetrën. Në fytyrat e tyre nuk shihej as më i vogli gëzim apo trishtim që tërë jetën e kishin shkuar n’ atë qytet, të cilin të tjerët e quanin të mrekullueshëm.
Fatlumnisht, mu n’ atë çast erdhi Isperi dhe më nxori nga gjoli i mendimeve të trishta.
“Si thua, të rrimë këtu apo të dalim,” më pyeti ai.
“ Gjithësesi të dalim,” i thash.
“ Atëherë shkojmë në City”, sugjeroi ai.
S’ kisha kundër të shkoja edhe përtej Cityt. Kryesorja, ta nxirte mërzinë. Edhe pse s’ ma thonte hapur, unë e dija ku e kishte hallin: Ushtria egjiptiane i kishte sulmuar çifutët, por tani s’ i shkonin punët mirë, sepse ata kishin kaluar në kundërsulm.
“ Shkojmë,” i thash.
Malmö është qytet i madh. Ai pushon në një gropë kolosale, që dikur ka qenë e mbuluar me një cipë akulli që ka qenë afro trikilometra e trashë. Këtu shtëpitë janë të larta, por njerëzit janë të vegjël dhe të përzjerë.Reklamat e vëna nëpër faqet e vitrinave na përcjellin me mesazhe e sy të qeshursi në filmat fantastiko-shkencorë.
Pak para se ta kalojmë kinoteatrin “Viktoria”, ndalemi ta ndezim nga një cigare. Përballë nesh, në një rrugicë të veshur me katrorë, kanë qëndruar nja shtatë a tetë goca të veshura me lëkura të zeza dhe kuvendojnë me ca burra që s’ dalin përjashta. Kodoshët e tyre, do burra të trashë e të egër, enden rreth e përqark dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë në rast nevoje. Përmbi çatinë e lëmuet të makinës qëndron një pllakë e bardhë llamarine, në të cilën shkruan: Kärleksgatan. Rruga e dashurisë.
Ne vazhdojmë drejt urës që dikur ndante Cityn nga arat dhe kopshtijet e Malmes dhe, pasi e kalojmë Portën jugore të tij, dalim në sheshin Gustav Adolfstorg. Duke ecur nën hien e ndërtesave të larta e solide, shumica e të cilave janë banka apo shtëpi tregtia, unë e miku im e ndiejmë veten shumë të huaj. As njohim, as na njeh njeri.Herë pas here na duket sikur kemi hyrë në përrallat e njëmijenjë netëve dhe qytetin e ka ngrirë një xhind i fuqishëm oriental.Se kush na kishte flakur n’ atë qytet dhe cili ishte misioni ynë banal – ishte çeshtje që s’ e dinte as Isperi, as unë.
Ndalemi herë pas here dhe s’ dimë ç’ po ndodhë rreth e përqark: njerëzit sikur s’ ecin, por vrapojnë në drejtime të ndryshme. Këta qytetarë të heshtur sikur s’ kanë tjetër mendim në kokë pos punës dhe lekëve që duhet t’ i fitojnë me çdo kusht. Kruna u ka hipur mbi qafë dhe i shtrydhë si gjarpëri. Mos bën vaki që kanë dhembje të trupit? Atëherë duhet të blejnë Albyl. Mos i ka nxjerrë, vallë, shefi nga puna? Atëherë duhet të drejtohen te Asistenca sociale. Mos vuajnë, vallë, nga gonorea? Atëherë, para se të shkojnë në Rrugën e Dashurisë, duhet të paisen me Tampaks. Këtu makinat i shtrohen njeriut, ndërsa njerëzit i shtrohen kapitalit.
Hyjmë në restorantin ”Sankt Joergens” dhe ulemi përballë rrugës kryesore, që n’ atë çast zien nga makinat, autobusët dhe kalimtarët e rastit. Ata zbresin nga makinat, falen me njëri tjetrin, blejnë gazeta të ditës dhe ikin drejt Askundit. Kush e di se ku nguten dhe kush e di se kush i pret? Makinat, që kalojnë përtej dritares tonë gumëzhijnë si të tërbuara, ajri bie erë benzine, reklamat ndizen e fiken në një takt rrënqethës, ndërsa ne ardhacakët, të ulur nën degët e një pjeshke plastike, pimë birrë dhe i admirojmë mrekullitë e Evropës Perendimore. Kunsumues, bleni lëkura, bleni kostume, bleni dashuri, por mos rrini pa konsumuar, se bëni gabim!
Herë pas here hapet dera automatike e sallës ku jemi ulur dhe brënda hyjnë ca vajza tepër të reja për atë hotel. Edhe ato e kanë hallin e tregtisë. Jeta është e shtrenjtë dhe gocat duhet të blejnë cigare, të shkojnë në kino, të furnizohen me lëkura e veshmbathje. Shi n’ atë çast hynë edhe një zeshkane e pashme, e veshur me çizme të gjata dhe gëzof shqarthi.
” Ja dhe Zaida”, më thotë Isperi.
” Kush është Zaida?” e pyes pa të keq. Unë s’ kam as më të voglën ide që Isperi e njeh atë grua të pashme.
” Zaida është boshnjake. Ka ardhur para shumë vitesh, kur ishte e re, dhe u martua me një suedez. Mjerisht, martesa e saj doli poaq e ngrohtë sa dhe eshtrat e këtij qyteti. Për ta gjetur prehjen që s’ e gjeti te vikingu sudez, ajo u martua me një vendas të sajin, po dhe ai iku në drejtim të panjohur. Tani Zaida kërkon ngushllim te të tjerët.”
” E mora vesh,” i thash Isperit dhe ula sytë te këmbët, se e pashë që ajo motra po vinte drejt nesh.
Ajo ishte e zeshkët, flokëgjatë dhe goxha e grimosur në fytyrë e në qepallat e syve. Ajo e pa Isperin drejt e në bebëzat e syrit.
” Hello, këtu paski zënë vend? Si keni qenë?”
” O, si kaposhat e detit,” ia ktheu ai. ”Ti vetë?”
” Mos jeni në shoqëri me tjetër kend?” pyeti ajo duke dëftuar karrigën me gisht. Deshta të rri pak me juve?”
” Atention,” i thash unë. ” Ky miku është arab dhe ka mund të martohet me shumë gra.”
Ajo s’ e kupton shakanë time, hutohet pak dhe, pa e zgjatur shumë,ulet pranë tij e fillon të ankohet n’ atë “hajvanin” e saj boshnjak, që kishte ikur pa i dëftuar se ku shkonte..
“Meshkujt janë shpirtkazma,” tha Zaida. “ S’ kanë as më të voglën ide mbi vuajtjet e gjinisë femërore.”
E vështroj me vemendje dhe sytë e saj më duken të shushatur. Edhe pse s’ jam në gjendje ta mbërthej atë qenie që thotë se është e mërzitur si Isperi – tamam, edhe Isperi ishte i mërzitur – mënyra si flet e shanë Zeida më duken gati se të vrazhda. Ajoshanë edhe kur s’ është e nevojshme të shajë, vetëm e vetëm për t’ i hapur rrugë një mashkulli deri te shalët e saj.
“ Kush ju ka thënë se janë shpirtkazma?” e pyes unë.
“ Eh, përvoja, kush tjetër,” më kërleshet ajo. “ Të mos isha ajo që jam, do ta merja cilindo grek apo turk dhe do ta çoja në krevat. Po ja që s’ jam e asaj kategorie dhe shtirem se kam dalë ta vras mërzinë. Mjerisht, s’ jam grua për burrat e botës, qofshin ata shqiptarë, arabë apo suedezë. Për ate e mallkoj atë Bobin tim që më solli në këtë vend, lidhëm kurorë dhe pastaj mori një tjetër.”
Me kaq, ajo nxori vrerin përjashta dhe veshi një nur të largët, të dëshpëruar. Zaida ishte një femër e pashme, edhe pse unë s’ isha në gjendje të depërtoja në nurin e saj kombëtar. Çkado që ishte ai tipar – aftësi joshëse apo zhargon paradoksal, ai e kishte një qëllim të caktuar. Ajo s’ kishte dalë kot nasikot n’ at restorant dhe sytë e saj flisnin një gjuhë të kuptueshme.
Dikur, pasi e piu birrën që ia kishte porositur Isperi, Zaida brofi në këmbë.
“ Ku vete,” e qortoi miku i saj. “Pie dhe një tjetër!”
“ Eh, qaje ti atë tjetrën,” tha Zaida. ” Unë s’ jam ngushtë për birrë, po për diçka tjetër. S’ di pse dreqin i leni paratë këtu, kur unë e kam frigoriferin plot me birra e raki kumbullash.”
” Paçka se rakia do muzikë,” i thash. ” Ne kemi ndër mend të shkojmë në hotel “Kramer”.
Papandehur ajo i tharrtoi buzët dhe na pa me inatë.
“ Ku thatë se do shkoni?”
” Në Kramer, pra.”
“ S’ jeni në vete,” konstatoi Zaida. “ A dini sa i shtrenjtë është Krameri?”
“ E dime të keqen, po atje jemi nisur.”
“ Qenki kafshë të mëdha,” tha Zaida, duke e parë Isperin me sy domethënës. ” Ke lepurin para çiftesë,por kërkon putra të arushës.”
” Unë jam asi kafshe që, pasi ta përcjell këtë mikun te shtëpia, marr një taksi e vi te ti,” tha Isperi. ” Për fat të keq, paske te ngutur dhe kam frikë se do ta gjesh një kandidat tjetër.”
“ S’ jam nga ato që ftojnë çdonjërin te shtëpia,” tha Zaida.
“ Ani mirëupafshim, pra.”
Ashtu siç kishim vendosur, pimë birrat dhe u nisëm drejt Sheshit të madh. Atje gjendet një godinë e bardhë katerkatëshe, me dritare të mëdha, kulla vëzhguese në të dyja krahët dhe një restorant të madh në katin e parë. Hoteli ”Kramer” është ngritur në truall historik, ngjitur me shtëpinë e kryebashkiakut Kock, në të cilën, përpos tjerësh, ka fjetur edhe çlirimtari i Mbretërisë, Gustav Vasa. Ai ka mbi njëqind e sa dhoma të mëdha e të ndritshme, por ajo më e mira është salla e vallëzimit, që gjendet në anën e kundërt të godinës.
” Si të duket?” e pyeta Isperin, pasi porositëm nga një ”irish coffee”.
” Very charming,” më thotë ai.
Pijet – dy gota të mëdha e të mbushura me kafe dhe viski, i rrokullisëm në këmbë, të mbështetur te banaku i madh, ku ishin mbledhur edhe shumë badihavxhinjë tjerë. Isperi seç dërdëlliste për epokën e Bejrutit, por mua më pengonin muzika e lartë dhe fjalët e atyre që kishim pranë. Përpiqesha ta ndjek rrëfimin e tij, por ambienti ku kishim hyrë, cingrrimat e gotave, llambate veshura me hije,pijet e forta, scotch, dubonet, liker, brandy dhe një kamarier që tërë kohën shkonte e vinte me porosi, ishin pengesa serioze për një bisedë të shtruar e shoqërore.
N’ anën e kundërt të një muri të hapur, nën kurorën e rëndë të një llampe me kritale, darkonin zonjat dhe zotërinjtë e qytetit. Atje flitej me zë të ulët, thuajse pëshpëritës, dhe kamarjerët e veshur me paruka e kostume të kuq, ua shpienin gjellërat me një lehtësi që t’ i kujtonte filmat amerikanë. Herë pas here dëgjohej ndonjë cingrrimë gote dhe asgjë tjetër. Sado e huaj, ajo pjesë teatrale që luhej përballë ishte pjesë e ambientit tonë jetësor.
” A ka jetë këtu?” e pyeta Isperin.
” Mendoj se ka,” tha Isperi. ” Mjerisht, jeta që bëjnë këtu, dallon shumë nga jeta e bashkatdhetarëve tanë. Atje nga vi unë, ka edhe jetë, edhe vdekje. Vdekja jonë është më e gjallë, dua të them më e bukur se vdekja e këtyre.Si thua, ikim te shtëpia?”
” Ikim,” i thash. ” S’ jemi ne për këto lëndina të qejfit.”
KRYEQYTETI
Gjithmonë e kam pëlqyer Kopenhagën.Edhe atëherëkur punoja si marinar në një anije gjermane, edhe pasi zura punë në Entin e arsimit. Çuditërisht, pasardhjes time permanente në Jug, s’ gjeja shumë kohë për ta kaluar ngushticën. Herë më mungonte koha, herë më mungonin lekët, herë kisha frikë se do m’ ikte anija e fundit.Kush kishte llogari të buante në hotelet e Kopenhagës? Kopenhaga është kryeqytet dhe hotelet e saj ta zhveshin këmishën e trupit.
Një ditë vjeshte – tani s’ po më kujtohet data e saktë –më morën ata të ”Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Danimarkë” dhe më lutën t’ ua përktheja ca tekste nga shqipja në suedishte. Fjala ishte për ca intervista që kishte bërë gazetari Dino Rasmussen me banorët e fshatit Rrëmbec, si dhe me vullnetarët e hekurudhës Elbasan – Përrenjas.Megjithqë ndieja neveri kolosale kundër gënjeshtrave që gatuanin butakët e Partisë së Punës, pranova t’ ua përkthej ata tekste për hirë të pagesës, sepse isha nevojtarë dhe rrogën e kisha fare të vogël. Ata të Shoqatës kishin të drejtë: nëse s’ e bëja unë, atë punë do ta bënte dikush tjetër.
Tani që isha gati,dola në qendër të qytetit dhe u mora vesh me zotin Rasmussen se ku dhe kur mundesha t’ ia dorëzoj maniskriptet?! Më e mira që mund të bëja ishte – sipas tij – të nisesha të nesërmen pasdite dhe të shiheshim në Nyhavn. Ashtu quhet porti ku ndalojnë anijet e mëdha e të vogla.
Kisha fat me kohën. Edhe pse vjeshtë, moti ishte i ngrohtë dhe rrezet e diellit të këndshme. Duke qenë se po dilja për punë dhe do të kthehesha në mbrëmje, vesha një xhaketë të lehtë angleze, mora zarfin me vete dhe hipa në një katamaran që duhej të më nxirte në Kopenhagë për 35 minuta.
Sapo zbrita në Nyhavn, konstatova se Kopenhagën s’ e bënin kryeqytetato birraritë e shquara të portit të madh, të radhitura njëra pranë tjetrës, Teatri Kombëtar, shetitorja Stroeget, që të merr nga limani e të çon në Sheshin e Bashkisë, Stacioni Qendror apo ministritë e ndryshme, por vetë qytetarët e Kopenhagës. Mbase mu për këtë arsye, se kisha parë edhe kryeqytete tjerë, atë çast e ndjeva veten se kisha mbërritur në një qytet të bukur.Dhe me plot të drejtë, sepse atë çast që njeriu shkel në trotuaret e tij të pastër, ka përshtypje se kashkelur në një botë të ngurtë e të panjohur. Rrugët e Kopenhagës janë të gjëra dheelegante. Mbikorracën e tyre s’ kanë shkelur vetëm mbretër e mbretëresha, feudalë e pasanike, artistë e artiste të shquara, po dhe tregtarë e aventurierë të mëdhenj, kapedanë trima dhe zaptues të huaj. Çuditërisht, Kopenhaga ruan gjithnjë butësinë e freskët nordike dhe tërë kohën, derisa endesh nëpër rrugët e saj, ke përshtypje se cilindo çast do ta takosh edhe ndonjërën nga figurat e Andersenit të madh.
Zoti Rasmussen u vonua pak. Ai është një mocanik i imi, tridhjetë e sa vjeçar, i veshur me një xhup të markës kineze dhe mbanë një çantë të madhe në dorë. Si në pamje, ashtu dhe në fjalë, ai është danez i vërtetë: bjond, i gjatë, syshkruar dheka një të folur që mua më duket shumë njerëzore.
Pasi pimë nga një espresso, nisemi drejt Bashkisë, asaj që shpesh herë e kam parë në lajmet nga bota e jashtme. Ecim bulevardit të shtruar me rrasa dhe diskutojmë brendinë e tekstit që kam përkthyer. Unë enjoftoj me sinqeritetin më të madh se, pa marrë parasysh honorarin që do t’ ma paguanin, do t’ isha shumë i lumtur të mos e kisha përkthyer fare.
” Ka n’ ato intervista aq shumë idolatri, aq shumë fodullëk, aq shumë marrëzira, saqë do bënit mirë të mos e emitoni,” i them.
” S’ ka lidhje,” thotë Dinua. ” Unë jam free lans dhe s’ e vras kokën për programet që emiton Radiotelevizioni Danez. Fundja, ky është një program dokumentar dhe bota mund ta gjykojnë si të donë. Shqiptarët e duan atdheun e tyre dhe s’ prish punë që e lavdërojnë para gazetarëve të huaj.”
“ Ashtu qoftë,” i thash.
Tani pasdita është e pjekur si molla në degë dhe Kopenhaga zien nga njerëzit që enden nëpër shetitore,restorantee shtëpi të mallrave. Jemi në vjeshtë, por kjo e sivjemja është vërtetnazemadhe.
Papandehur, zoti Rasmussen merr më të mëngjër dhe hynë në një godinë të vjetër, rreth e përqark së cilës bëhen ndërtime të mëdha. Atje brënda ka të rinj, pleq, plaka, flokëqethur, mjekërrgjatë, lëkurëzinj, veshëçpuar, të pasur, të varfër,gjithfarë… Ata hapin çantat, kuvendojnë me njëri tjetrin, shënojnë nëpër fletoret e tyredhe ndahen me buzëqeshje të ngrohta.Kjo është Biblioteka Mbretërore, në të cilën dikur, njësoj si këta që kam përpara, ka hyrë e ka dalë miku i popullit shqiptar, albanologu Holger Pederssen.
Dinua më njofton se pak më tutje gjendet ndërtesa e Parlamentit danez, në të cilin punon një shoku i tij Mats Meisner. Duke ngjitur shkallët e Bibliotekës Mbretërore shoh me dhjetra njerëz që shpalosin katalogje, nxjerrin të dhëna dhe zhduken nëpër do dhoma të çuditshme anësore.Edhe emrat e profesorëve të merituar figurojnë në faqet e kësaj ndërtese.
Miku danez ndalet një çast, ndërron ca fjalë me një plak mjekërrgjatë, më njofton me të dhe, pasi i uron një pasdite të këndshme, më fton të vazhdojmë ngjitjen që kemi filluar.
” Ky ishte Profesori Meisner,” më shpjegon Dinua. ” Babai i mikut tim, Mats Meisner. Zotëri Meisneri është profesor i teologjisë.”
” Sa mirë,” i them. ” Po ardhacakë shqiptarë ka këtu?”
Ai s’ është shumë i sigurtë.
” Patjetër që ka,” më thotë. ” Mjerisht, duke qenë se shqiptarët janë nga treva të ndryshmetë Ballkanit, askush s’ e di numrin e tyre të saktë. Shumica konsiderohen si jugosllavë dhe turq, ndërsa arbëreshët janë shumë të pakët.”
Atje lartë ulemi pranë dritares dhe e vështrojmë Kopenhagën prej së larti. Duke qenë se jam mysafir, përpiqem ta kursej nga pyetjet banale dhe shikoj rreth e përqark si çdo njeri që ballafaqohet me një ambient të ri. Ambient të panjohur.
Pak më vonë ia beh një burrë i gjatë, vigan, mjekërrdendur dhe shumë i ngjashëm me peruanin Hugo Blanko. Ai ndërron ca fjalë me Dinon dhe pastaj na fton të kalojmë në një godinë tjetër, që është fqinje me Bibliotekën Mbretërore. Ajo është ndërtesë e re, moderne dhe ka një restorant të madh. Unë e marr si menzë, por kisha qenë i gabuar. Kjo ishte godina e një ministrie dhe zoti Meisner kishte ardhur të na qeraste me sandviça e kafe daneze.
U ulëm në një qoshe të sallës dhe, krejt padashur, filluam të bisedojmë me Dinon mbi përshtypjet e tij ”shqiptare.”
Ai e vuri buzën në gaz.
” Si t’ ju them,” tha. ” Mua më ftuan në Festivalin e Gjirokastrës, po pastaj, pasi mbaroi Festivali, na çuan edhe në Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë e Durrës... Si rëndomt, takuam edhe përfaqsues të Lidhjes së Shkrimtarëve, që na folën mbi veprimtarinë armiqsore të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës. Unë s’ mora vesh gjë nga ajo punë. Ça mendoni për ata disidentë?”
Edhe pse e kisha takuar Fadilin një herë, vendosa të mos hyj nëpër ato ferra.
” Që t’ ua them të drejtën, s’ di shumë as për njërin, as për tjetrin”, i thash Dinos. ” Mua m’ interesojnë do burra si Vedat Kokona, Et’hem Haxhiademi, Nonda Bulka e Lazgush Poradeci, pa sa për Fadilin e Todorin e Petro Markon, ata janë viktima të shokëve të tyre. Shallagamat që bëjnë komunistet shqiptarë janë si ata karnavalet e ishujve Figji.”
” Zotrote qënke nacionalist,” tha zoti Meisner.
S’ isha shumë i gatshëm për politikë.
“ Unë, zotërinj, jam shqiptar, ashtu siç jeni ju danezë, por nëse ka nevojë të zgjedh përkatësi politike, jam nacionalist. Sikur të egzistonte ndonjë luftë midis kombtares dhe antikombtares, me siguri do t’ isha kombëtar. Mjerisht, ajo që po ndodhë midis çanaklëpirësve të Enver Hoxhës e Mao Ce Dunit, nuk m’ intereson aspak. Si shqiptar, jam më i mallëngjyer për zotin Pedersen, se sa për ata hutat e maleve.”
Zoti Meisner ra në mendime.
” As ne nuk dimë për veprimtarinë e atij tekanjozit tonë, “ tha Matsi. “ Jam i sigurtë se diçka duhet të ketë në Bibliotekën Mbretërore, por koha e ka bërë të veten. Sidoqoftë,zoti Pedersen ka lënë një vajzë, por ajo duhet të jetë shumëplakë.Një zot e di ç’ mbiemër ka tani dhe a jeton apo s’ jeton në Danimarkë…Nëse s’ ma merrni për të madhe, do ta pyes Ndrekën, një mikun tonë të përbashkët.”
Dhe ai – pa një pa dy – brofi në këmbë e u rras në një gabinë telefonike. Ndërkohë, vura re se Dinua po rrinte si në ferra.Ai veshi pamjen e njeriut të brengosur.
“ Jam i ftuar në një konferencë shtypi,” më tha. ” Juve do t’ u lë me Matsin – sepse më vonë do ta takoni edhe Andrean – që është kryetar i Shoqatës së Miqësisë Danimarkë – Shqipëri, kurse vetë po iki në konferencën e shtypit. Do të shihemi pastaj te Ndreka.Ai di shumë më tepër për Pedersenin.”
Mrekulli, mentova. Dola që dola, të mësoj diçka për atë burrë që bashkpunonte edhe me Faikun.
” Për jetën e Pedersenit donë të dinë të gjithë shqiptarët,” i thash Dinos. ” Jo vetëm ata të Tiranës, po edhe ata të Prishtinës. Këto ditë jam duke shfletuar një revistë shqiptare me emrin ”Albania” dhe botuesi i saj ka patur marrëdhënie të mira me të.”
” Zoti Meisner ka caktuar takim me Ndrekën dhe ju do ta takoni në shtëpinë e tij. Mjerisht, orën e saktë s’ e di.”
Rrjedhimisht, pimë kafet dhe dolëm në Stroeget. Kështu quhet shetitorja e gjatë e Kopenhagës. S’ ka nevojë të cekë se ajo pasdite tetori, deri sa po endesha me njerëz që e njihnin qytetin, ishte gjithsesi e mrekullishme. Tani rrugët zienin nga makinat, njerëzia ktheheshin nga puna, ndërsa zonjat e reja ishin ngarkuara me çanta, fruta e qese të mbushur me artikuj të ndryshëm.
Dikur, pasi e përcollëm Dinon deri në taksi, Matsi dhe unë hymë në një shtëpi të vjetër, ngjitëm shkallët e saj të vjetra dhe ai e shtypi zilen e një banese që më shumë ma kujtonte antikvariatin, se shtëpinë e një studenti të socilogjisë.Ai ishte apartamenti kryetarit të ”Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Danimarkë.”
Andreas Fogh Larsen është një djalë i thatë, flokëverdhë dhe shumë i mprehtë. Ai s’ e di që kemi ngrënë dy herë deri tani dhe na pret me më shumë kafe e sandviçe. Dhe ne, pa hyrë fare në formalitete, menjëherë rrasemi në tema që e prekin Joklin, Pedersenin, etnografinë shqiptare, baron Nopçën dhe Kanunin e Lek Dukagjinit.
” Mos qofsha gabim,” na dëfton Andrea, “ zoti Pedersen ka lënë diçka në Bibliotekën Mbretërore, por një zot e di se ku janë katandisur shënimet e tij. Mos harroni se ai ka qenë edhe sllavist dhe gjërat që ka shënuar me dorën e tij janë shprishur si rabeckat nëpër ferra. Sa për dijeninë tuaj, ju njofoj se ai e kishte një bashkpunëtor italian, të cilin e paguante vetë për t’ i gjetur manuskripte që ruheshin nëpër fshatrat e Kalabrisë. Sidoqoftë, manuskriptet janë në Bibliotekën Mbretërore, por jo dhe gjërat tjera. S’ duhet përjashtuar as mundësia që diçka t’ i ketë lënë edhe të bijës. Dikur ajo jetonte në Odense. A ështe gjallë e tani? Ate s’ ua them dot, por ju premtoj se do të interesohem për fatin e saj...”
Ashtu më thot zoti Fogh Larsen. Pak çaste më vonë, deri sa lyen sandviçin e tioj me gjalpë, atij i kujtohet diçka. ” Po zonjën Traerup, e njihni?”
” Jo. Kushë është zonja Traerup?”
” Ah”, thotë ai duke qeshur me të madhe. ” Ajoështë muzikologe dhe merret me krijimtarinë muzikore të popujve të Ballkanit. Ka qëndruar ca kohë edhe në Prishtinë.”
” Jo, s’ kam patur nderin të njihem me të,” i them duke ia zgjatur kutinë e cigareve.
” Sidoqoftë, ne që po luftojmë për miqësi midis shqiptarëve dhe danezëve s’ i shohim punët si zonja Traerup dhe ministri Treska,” tha Andrea. ”Zoti Treska, fjala vjen, i ndanë shqiptarët në shqiptarë dhe jugosllavë.Sipas saj, ju që jetoni në Kosovë jeni jugosllavë dhe duhet të mbani lidhje me Ambasadën jugosllave, të cilën këtu e drejton Sinan Hasani. Ata tjerët, që jetojnë në Shqipëri, janë albanë dhe s’ mund të drejtohen te askush, pasiqëPartia i mban brenda shtetit. Askush,përpos funkcionarëve të lartë partiakë, s’ ka të drejtë të udhëtojë jasht shtetit. Më vjen keq, po ju, kosovarët, s’ egzistoni për Shqipërinë Komuniste. Ajo është më e interesuar për neve, danezët,që mund ta shpejtojmë revolucionin botëror. Miqët e Tiranës mendojnë se Kopenhaga është aq e varfër, saqë ”bibla e kuqe” e Mao Ce Dunit do bënte hatanë.”
Ora vajti shumë dhe Matsi na kujton se – sipas rendit që ishte hartuar në Shoqatën e Miqësisë – neve na prisnin edhe ca pika tjera të programit. Nuk e zgjatëm shumë veçse dolëm përsëri në Stroeget. Rrugës mora vesh se Dinua studjonte në Universitetin Roskilde dhe ende s’ ishte gati me provimet e diplomës.
“ Do bëhet një gazetar i aftë,” i thash Ndrekës. “ Nga sa vura re në manuskriptet e përkthyer, ai kishte shtruar pyetje interesante në fshatin Rrëmbec.”
Edhe ai dokordohej me mua.
“ Sipas propozimit të Dinos,” tha Andrea, “ ne do të shkojmë në Akademinë e Arteve Daneze, sepse sonte do të çfaqet një ekspozitë e begatë fotografish nga Jylanda. Fotograf është një miku ynë Greger Hansen.”
“ Pse jo?” thash. “ Njeriu s’ ka nevojë të jetë ekspert i madh për t’ i gjykuar fotografitë.”
Atmosfera n’ Akademinë e Arteve ështëvërtet piktoreske. Një sallë e ngjeshur plot me studente të veshura si fshatarkat e Algjerisë dhe një zeshkan me shtat mesatar.Motrat studente kanë veshur xhupa të vjetër, me siguri të blerë në dyqanet e Armatës së Shpëtimit, ndërsa shokët e tyre janë mbështjellë me shalla palestinezë. Zoti Hansen, fotografi, thotë ca fjalë mbi fotografitë që do të shohim dhe, pasi urdhëron të mbyllen dritat, fillon seancën e diave që ka montuar në dy diaparate që shkrepin në të njejtën kohë.
Ekspozita e zotit Hansen – pa dyshimin më të vogël – ishte një ngjarje interesante për mua. Zoti Greger, fotograf professional, kishte kapur me objektivin e tij të gjithë shtresat e populates jylandeze,duke filluar nga fshatarët, mekanikët, tregtarët, pasanikët dhe priftërinjtë e Kishës protestante. As zejtarët e përfaqsuesit më të varfër të shoqërisë daneze s’ i kishte harruar.
“ Si ju pëlqeu ekspozita?” më pyeti ai pastaj.
“ E mirë shumë,” i thash. “ Fotografitë që pashë pasqyronin Jylandën e vërtetë.”
” Më bëhet qejfi,” tha. “ Tani hajde të shkojmë në zyrën time dhe tëhamë një kafshatë bukë.”
Zyra e Grehgerit është shumë modeste. Ajo gjendet në fund të Akademisë së Arteve dhe është e dekoruar vetëm me gazeta muri. S’ ka aspak mobilje dhe mbi tavolinën anësore janë shtruar ca pjata të mbushura me salçiçe, simite të buta daneze, gota të mëdha birre dhe një vazo me portokalle. Përpos nesh, atje vjen edhe Mats Mesiner, dashnorja e Gregerit, Aneta, si dhe miku ynë im, Dino Rasmussen. Ata hanë, pinë, urojnë Gregerin për punën që ka bërë dhe çfaqin mendime rreth ekspozitës… Mua, pra, më bren një hall tjetër: Kur ikën katamarani i fundit?
Kur i them Dinos se duhet të dal në Nyhavn, atij përpak s’ i dalin sytë nga habia.
” Sonte të shkosh në Malme? As që vjen në pyetje,” më thotë.“ S’ do bëhet kiameti se do rrish me ne. Rrimë edhe pak me Gregerin, pastaj shkojmë ke shtëpia dhe vazhdojmë bisedën..”
Rash në hall. Gjatë kohë qesh matur të ikja në liman, por mirësjellja ma hante kokën. Nuk isha i gatuar t’ ua prishja qejfin atyre që na donin. Fundja, ata kishin të drejtë. Kush tha se duhej të flenim fare? Nëse e donte nevoja, mundeshim të kuvendonim deri në mëngjes.
Me kaq e qepa gojën dhe i ndoqa nikoqirët e mi danezë, që tani – me të dalë në Stroget – u rrasën në një supermarket të artikujve ushqimorëdhe mbushën shportat me franxhulla, djathëra, salami, verë, fruta, si dhe akullore të vendit.
Ashtu të ngarkuar me qese plastike, secili me nga dy copa në duar, ngjitëm shkallët e një godine të vjetër dhe u rrasëm në një apartament tipik të Kopenhagës. Me dritare të mëdha e tavan të lartë. Ky tip apartamentesh gjendet edhe në Malme, por është goxha i rrallë, sepse arkitektura moderne ka ngritur dorë nga hapësira, dritaret e mëdha dhe tavanet e lartë. Këtu, pra, njeriu e ndiente veten sinë një kishë katedrale. Brenda gjetëm dy çuna dhe zonjën Meisner që gatuante diçka. E terë shtëpia lëshonte një aromë të fortë parmesani.
Nalet edhe kjo punë, thash vetë më vete. Edhe pse kemi ngrënë disa herë, përsëri do të hamë. Çuditërisht, gjithnjë kam uri të madhe. Kush i kishte fajet, mos birra e fortë daneze?
“ Ka nevojë të ju ndihmoj me diçka?” i pyes shokët.
” As që bëhet fjalë,” më thonë.” Sonte je në Kopenhagë, andaj bën mirë të pushosh. Kur të vijmë në Malme, do të ndodhë e kundërta: ti do punosh, ne do pushojmë.”
I përzënë nga nikoqirët, rrasem në një sallon të madh dhe qëndroj pranë një tryeze ku janë renditur me dhjetra artikuj të ndryshëm. Ajo tryezë ma kujton ”Shtëpinë e Librit Arab” ku dikur unë e Kosovë Rexha bënim redaktimin e revistës ”Stinët e Jetës”. Çka s’ shukon mbi tryezë? Lloj lloj fotografish, artikujsh të prerë nga revistat tjera, gërshërë, libra,letra të shkruara me dorë, ngjitëse dhe artikuj tjerë redaktorial. Në mesin e atij souk pashë edhe vjershat e një poeti sllav me mbiemrin Malinovski, për të cilin s’ kisha dëgjuar më parë. Kush ishte vallë ai poet? Mbase ndonjë disident rus?
Dikur, pasi u shtruan edhe një herë pjatat, u ulëmtë hamë darkë. Tamam ashtu siç kishim ardhur nga shitorja.Ata hanë rehat - rehat,kurse unë e ndiej veten si vorba në zjarr. Jam mësuar me atë rehatinë e sëmurë suedeze dhe dua t’ iki në shtëpinë time. Mjerisht, ata s’ e kanë vënë re shqetësimin tim dhe, me të ngrënë darken, prap vendosin të dalim. Po tani ku dreqin do vemi? O, tani do të shkojmë ta shohim premierën e filmit “Fabula”.
Përjashta është natë. Një natë e kaltër, e butë dhe e spërkatur me të qeshura. Të gjithë janë të gëzuardhe argëtohen, bëjnë shaka. Hyjmë në kino, shohim Edi Merksin, Floyd Patersonin, Muhamed Aliun, Ingemar Johanssonin dhe të gjitha legjendat e sportit botëror.Një karnaval i gjatëintervistash që kanë për qëllim të na bindin se ushtruesi professional s’ ka tjetër synim pos – dollarit.
Filmi më pëlqeu shumë. Tani do vinte epilogu i tij. Me të dalë në shetitore takojmë ca miq të tjerë danezë dhe rrasemi në një birucë ku janë shtruar ca tavolina me sandviçe të freskët, një kuti me puro kubane dhe ca gajbe plot me birrë. Dhe ne, sikur t’ ishte mëngjes I hershëm e jo mbrëmje e vonë tetori, kuvendojmë për filmin që kemi parë, por Jonny Weismüllerin e Muhamed Aliun dhe, kuptohet vetvetiu, i urojmë njëri tjetrit shëndet e krijimtari të begatë.Herë pas here bie fjala edhe për limanin e anijeve, për katamaranët që shkojnë e vinë nga Suedia, por nikoqirët e mi s’ ia dinë kuptimin fjalës “ndarje”. Katamaranët? E pse dreqin na i kujton ata të mallkuar?
Dikur, kur mua ka filluar të më vijë Kopenhaga në maje të hundës, dikujt i teket të shkojmë edhe në “Café de Paris”.
”Café de Paris? Po pse të shkojmë n’ atë kafene, kur ja tek jemi në një të tillë?” e pyes Dinon.
” Sepse atje mblidhet “ajka” e qytetit.”
“Café de Paris” – nëse mund të quhet kështu një lokal ku shiten edhe pije të forta – ishte plot e përplot me klientë dhe ne, si të vonuar, duhej të prisnim deri sa të liroheshin ca vende. Më në fund, gardiani e bëri zemrën gur e na lëshoi brenda.
Atje brënda vapa është e trashë si Siri Lanka. Aroma e djersës, cigareve dhe parfumit ta zëfrymën. Ngjitemi në katin e dytë – ku gjoja duhej të kishte vend – dhe ballafaqohemi me një mizëri njerëzish që puthen, nduken e shtrydhen si të çmendur. Radhët janë aq të dendura sa s’ e bën dot një hap përpara. Megjithate, ne kërkojmë me sy ndonjë qoshe të rehatshme, thithim shtëllungat e duhanit dhe konstatojmë se kemi hyrë në një ahur të kafshëve. Turma sapo ka vallëzuar në një sallon të vogël dhe lëshon djersë e grahma të birrës. Të gjithë janë të lodhur, të gjithë janë të dërsitur,po asnjërit s’ i vete mendja të ikë në shtëpi.Ca prej tyre, ata që s’ kanë vende, vazhdojnë të shtrydhen në mezin e sallonit, ndërsa të tjerët shtriqen dhe koten nëpër karriga. Këtu birra pihet si ujë dhe ata që janë të etur e paguajnë shtrenjt tharrtirën e saj. Unë e vështroj atë oborr argëtimi dhe vendos të mos pi.
Më në fund Dinua gjen një tavolinë dhe unë ulem pranë Anetës, që më jep të kuptojë se është e lodhur. Sytë e saj janë mavijosur nga pagjumësia. Ajo ka punuar tërë ditën e gjatë dhe sot, pasi të pushojë nja tri katër orë, e pret e njejta gjë. Mu për ate propozoj të çohemi. Më mirë tani, se dy orë më vonë. Ata në shtëpitë e tyre, unë në portin e Kopenhagës.
Matsimë shikon me sy të ofenduar.
” As që vjen në pyetje,” thotë ai. “ Ti je miku ynë dhe ne do të pëcjellim në port. Por kjo do të ndodhë nesër. Tani do shkojmë e do të të pushojmë pak. Unë do të fle më shumë, se do t’i shoqëroj çunat në shkollë, ndërsa ti dhe Ana, ashtu quhet ime shoqe, do të dilni në port. Ana fillon m’ ora shtatë dhe punën e ka pranë molit. Pse shqetësohi kot nasikot? Për tridhjetë minuta jeni në Malme..”
“ Ashtu bëjmë,” i thash.
Aty nga ora tre e mëngjesit dalim nga ”kafeneja”dhe ndahemi prej njëri tjetrit. Gregeri, Dinua dhe Aneta marrin një taksi, ndërsa unë e Matsi shkojmë në këmbë. Ai ka pirë goxha shumë dhe me zor ngjitet shkallëve përpjetë. Unë i vete prapa dhe e ngushlloj veten. Do t’ i kaloj edhe këto tri orë. E di se s’ do të bëj gjumë, por të paktën do ta pres agun në një vend të ngrohtë.
“ Tani natën e mirë,” më thotë Matsi, pasi e kalojmë pragun e derës dhe i afrohemi njërës nga dhomat e çunave të tij. “ Flini pa merak se Ana, ashtu quhet ime shoqe, ka orë alarmi. Ajo do t’ u çoj në mol më shpejt se një taksi. Duke qenë se nesër nuk shihemi, ju uroj rrugë të mbarë dhe faleminderit për vizitën.”
“ Ai që nduhet të jetë mirënjohes, jam unë,” i them.
*
Ato dy tri orë ishin të gjata e të mundimshme. Megjithate, unë i prita dhe përcolla me stoicizëm të madh, ngaqë ishte ditë e rëndomtë pune dhe unë, njësoj si zonja Meisner, duhej të shkoja në shkollë. Ata tjerët flinin dhe gërhisnin në dhomat e tyre.
Aty nga ora gjashtë brofa nga krevati dhe, pasi i vesha pantollonat, fillova t’ ia shkruaj Matsit një letër, me të cilën e falenderoja për mikpritjen e ngrohtë dhe e njoftoja se “do t’ ikja me taksi.” Mjerisht, shi në çastin kur po i jepja fund, hapet dera e dhomës dhe brenda hynë zonja e shtëpisë, e gjatë dhe e plotë dhe pa asnjë beze në shtatin e saj. Krejtësisht lisho. Ajo më vjen afër, ma zgjatë dorën dhe më thotë diçka në danishte, por unë jam tepër i hutuar për të marrë vesh.
“ Më vjen keq, por s’ po ju kuptoj mirë,” i them në gjuhën anglishte. “ Ça deshët të më thoni?”
Aaa, ajo e kupton ku e kam hallin.
“ I wanted to wake You up.Later on I am going to accompany You to Nyhavn . Desha t’ ua nxjerr gjumin. Më vonë do t’ ju shoqëroj deri në liman.”
“ S’ ka nevojë të shqetësohi,” i them. “ Tani është gdhirë dhe rrugënmund ta gjej vetë.”
“ Unë s’ e quaj shqetësim, se duhet të dal në punë” më thotë Ana. “ Ai që bën qejf është Matsi, se fillon vonë dhe i përcjell çunat në shkollë. Çunat i kam me një burrë tjetër, ndersa Meisnerin e kam mik.”
“ Pleased to meet You,” i them, duke u orvatur të shikoj anash, sepse ajo shoqja më kishte marrë nishan dhe, në vend se të shkonte e të vishej, më mbante me llafe.
Nja pesëmbëdhjetë minuta më vonë, zonja Ana mbushi dy tasa me çaj dhe u ul përballë meje. Ajo ishte larë, ishte krefur dhe kishte veshur jë palë xhinsa amerikane.Tani më fliste me një gjuhë të ëmbël, grykore, por unë s’ e kuptoja as çerekun e atyre që ma thonte.Aq më pak më hynte në kokë se unë, një shqiptar iu lindur me mijëra kilometra larg Kopenhagës, isha ulur në një shtëpi daneze dhe pija çaj me një zonjë që pastaj do më përcillte deri në liman.
(1973)
Shkruan: Ramadan Rexhepi



Publikoni komentin tuaj