.:Presheva.com Web Portal:.: Sabri i Hashimit Sabri i Hashimit ================================================================================ Driton Salihu on 11/01/2012 01:34:00 Të prirë prej ngutjes në krahasim, në të shumtën e rasteve i kemi konfirmuar tezet e dashakeqëve tanë. Kuptohet, kjo është bërë pa vetëdijën e ngarendësve të shpejtë! Kështu një grup intelektualësh nga Lugina e Preshevës, gjatë këtyre ditëve i ftuan autoritetet më të larta kosovare për në rajonin e tyre. Ftesa ishte shumë miqësore, mbase si mos të jetë e tillë kur vëllai ftohet në inaugurimin e shtëpisë së re! Por ajo që shihej përtej kësaj dashamirësie vëllazërore, është mospërshtatja e ftesës në kohë dhe në vend të duhur. Pse të mos ishin ftuar para këtij viti, apo në ndonjë vit tjetër, por pikërisht pas datës së shtatë të këtij viti, dhe pse ftesa të bëhet menjëherë pasi një kryetar i një shteti tjetër viziton një kishë në një shtet tjetër? Mos vallë me padijen e tyre ata hodhën në horizontin e njëjtë veprimin e presidentit të Serbisë në Kosovë dhe atë të kryeministrit të Kosovës në tokat shqiptare të pushtuara prej serbëve? Nëse e pranojmë fizikisht pushtimin tonë për një kohë të caktuar, këtë assesi nuk kemi të drejtë edhe ta shlyejmë prej ditarit tonë historik, brenda të cilit mund të lexojmë për pushtimin dhe padrejtësitë kundrejt neve. Nuk dyshoj se ftesa ishte me qëllim fisnik, por leximi pak më i thellë i saj, lehtësisht nxjerr në pah pranimin e asaj që serbët me shekuj janë duke bërë përpjekje për ta arritur. Edhe sikur t’u lejohej që kryeministri i Kosovës apo presidenti i saj t’i përgjigjet praktikisht ftesës së vëllezërve preshevarë, përsëri nuk mund të arsyetohen me kthim të përgjigjes së njëjtë ndaj vizitës së presidentit serb në Kosovë, ngase ai vizitoi një ish koloni të tij dhe kryeministri pritet ta vizitojë një gjymtyrë të trupit të tij, që momentalisht gjendet nën kthetrat e vizituesit keqpërdorues të lejes vendore dhe asaj ndërkombëtare. Ndoshta ky tentim për realizimin e një dyanshmërie (reciprociteti) do të ishte i njëjtë, sikur një grup shqiptarësh që jetojnë në Beograd t’ia bënin një ftesë autoriteteve kosovare, edhe atë, menjëherë pas festës së Krishtlindjes! Kjo ishte sa i përket hedhjes së vijave të njëjta të vizitës së vallait në shtëpinë e re të vëllait dhe fqinjit dashakeq në shtëpinë e vjetër të fqinjit. Dukuria që pamë gjatë vizitës së presidentit serb, Boris Tadiç në manastirin e Deçanit për nder të festës së Krishtlindjes, ishte edhe ajo e guximit dhe e mospërtesës përkundër rreziqeve të shumta përgjatë atij rrugëtimi, qëllimi i të cilit ishte përçimi i porosive djallëzore prej objektit fetar dhe përçudnimi i dukurisë së sovranitetit të Kosovës. Realiteti është se ai vizitoi Kosovën dhe kultet fetare ortodokse, pavarësisht shumësisë së objektivave të tij. Ai kishte vënë rrezik kokën e tij, vetëm e vetëm që t’i ndez qirinjtë e “paqes shpirtërore”, të takohet me shërbyesit kishtar, t’i inkurajon serbët përmes prononcimeve patriotike dhe fetare, si dhe t’i përkulet varrit të Stefan Deçanskit, demon ky që kishte udhëhequr me pushtimin e këtyre tokave përgjatë viteve 1321-1331. Rrugëtimi i tij u shoqëruar me rrapëllima gurësh dhe me shprehje masive të pakënaqësisë së vizitës së këtij satrapi me jakë të bardhë. Si do që të jetë, ai ishte dhe iku prej nga kishte ardhur! Neve që nuk mund ta ndalnim as ardhjen e as ikjen e tij, na mbeti që për muaj të tërë të merremi me porositë që i tha dhe ato që fshihesh pas atyre fjalëve. Ai dëshmoi se kurrfarë dyanshmërie nuk respekton për sa i përket marrëdhënieve ndërshtetërore. Në ish kolonin e stërgjyshërve të tij, ai dëshmoi se akoma mbetet dishepull i pushtuesve dhe kriminelëve që ishin para tij. Dëshmoi se kryeministri i Kosovës, lëre që nuk mund ta pengojë në këtë ritual djallëzor, porse ai në këso kushte as që guxon të mendojë për ndonjë vizitë në ndonjë xhami në Serbi për festën e Fitër Bajramit, mbase as edhe për ndonjë vizitë në truallin e vëllezërve të vet në Preshevë e Bujanoc, që do të kishte mundësi t’i takonte pak ato shqiptar që gjenden nëpër qytete të Serbisë së ligjshme me qytetarët e vetë dhe të Serbisë jo të ligjshme me qytetarët e Luginës së Preshevës, që do të përçonte përnjëmend paqe për pjesën e qytetarëve të ligjshëm të Serbisë. Çfarë ore jam duke shkruar unë i gjori! Duket se ndonjëherë i humbur në vegim, nuk kuptoj gjithaq se çfarë jamë duke hedhur në letrën e bardhë, e cila gjithfarë shkarravitje është në gjendje të durojë. Unë shkruaj dhe brengosem, kuptohet i zënë peng i paraleleve të domosdoshme fetare, për një vizitë të kryeministrit apo presidentit në ndonjë xhami të Serbisë së ligjshme, fjala bie: të lajmërohet publikisht se për festën e Fitër Bajramit në vitin 2012 në xhaminë e Beogradit do të jetë i pranishëm kryeministri apo presidenti i Kosovës, porse si duket harrova se kryeministri apo presidenti i Kosovës nuk e vizituan asnjëherë xhaminë për festat e Bajramit, e lëre më të shkojnë diku tjetër për këto festa. Teksa po shkruaj për thelbin dhe jetësimin e dyanshmërisë në të gjitha fushat e marrëdhënieve ndërshtetërore, mu kujtua skeçi humoristik, kur në pyetjen e parashtruar prej personazhit tjetër - hoxhë, se pse ore Lec nuk po vjen në xhami duke e ditur se shumë afër atë e ke, Leci duke tentuar që ta vë në spikamë rëndësinë e sabrit (durimit), hoxhës i përgjigjet: unë nuk vij në xhami, sepse kam shumë sabër! Shkruan: Iljasa SALIHU