40 pyetje për aktorin - Fatmir Spahiu
1. Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapë - sirën e banuar me shqiptarë?
Qyteti në të cilin jetoj momentalisht është Prishtina dhe mendoj se kështu do të mbetet, por jetës nuk i dihet. Por në trojet tona ndoshta do të mund të jetoja edhe në
Tiranë apo Shkup.
2. Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?
Sikur të ishte e mundshme me kënaqësi do ta takoja Skënderbeun për të cilin besoj që nuk është si në film, por shume më njerëzor!
3. Çka do ta pyesnit së pari?
Do t’i bëja shumë pyetje, por njëra nga to do të ishte: a jeni i lumtur me investimet turke në trojet tona?
4. Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?
Ka shumë, sepse sinqerisht mendoj se kemi pasur personalitete shumë të rëndësishme, shumë prej tyre po t’i takonin kombeve të tjera ne do t’ua kishim zili, për mua shumë të rëndësishëm janë: Adem Demaçi, Kadri Zeka, vëllezërit Gërvalla, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Adem Jashari, nga historia më e re.
5. A ekziston Zoti?
Tek unë Zoti ekziston, madje shumë, unë i falënderohem çdo ditë! Nuk e kam parë kurrë, nuk e kam dëgjuar kurrë, por e di se ekziston dhe se është shumë i mirë! Qoftë edhe imagjinar, mua më bën të ndihem mirë, sepse njeriu ka nevojë për të!
6. Cilin libër po e lexoni aktualisht?
Përveç leximit të përditshëm të veprave të ndryshme për film dhe teatër, momentalisht më ra në dorë autobiografia e Bekim Fehmiut, pjesa e dytë, e cila para pak kohe u promovua në panairin e librit në Beograd.
7. Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?
I kam vizituar të gjitha kryeqytetet e shteteve që dolën nga Jugosllavia. Tani do të më pëlqente të vizitoja Dubrovnikun.
8. Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?
Para luftës kam vizituar shkurt Turqinë apo Greqinë, ndërsa pas luftës disa vende të Evropës Perëndimore: Zvicrën, Gjermaninë, Italinë.
9. Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?
Për herë të parë në Shqipëri kam qenë në vitin 1999. Kurrë nuk do ta harroj atë udhëtim: një përzierje ndjenjash, dhimbje dhe krenari. Isha i lumtur që për herë të parë “takoja” emra qytetesh dhe lumenjsh me emra të miqve të shumtë që i kam në Kosovë. Fatkeqësisht në Shqipëri nuk kam takuar ndonjë vajzë me emrin Peja apo Prishtina. As ndonjë djalë me emrin Podujevë apo Ferizaj. Tani, pas 13 vitesh, ne e njohim pak më mirë njëri-tjetrin. Pas një kohe ka gjasa të jemi një, nëse punohet në krijimin e një tregu të përbashkët, zhvillim ekonomik etj.
10. Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?
Nuk mendoj shumë për fatkeqësitë.
11. Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?
Tennessee Williams.
12. Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?
Kultura angleze më duket krejt ok!
13. Cili emër ju pëlqen më së shumti?
Mal dhe Lis. Dy emrat e fëmijëve të mi.
14. A është mëkat të jesh homoseksual?
Nuk e di, sinqerisht nuk e di a është mëkat. Shpesh diskutoj me miqtë e mi se si do të kalonte një paradë homoseksualësh në Kosovë. Mendoj se do të kalonte më mirë se në Kroaci dhe Serbi. Ndoshta njerëzit në Kosovë nuk do të pajtoheshin me këtë paradë, duke thënë: “Hajt se kështu po thonë këta të huajt!”
15. A do të ishit të gatshëm të luftonit në rast se rrezikohet liria e vendit?
Mendoj se liria e vendit është e rrezikuar çdo ditë. Dhe ne luftojmë për çdo ditë për lirinë e tij, sepse liria nuk cenohet vetëm ushtarakisht.
16. Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takonit kurrë?
Emir Kusturicën.
17. A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?
Me sa duket ne jemi të bashkuar! Nuk shoh ndonjë problem të shkoj e të veproj në Shqipëri. Më duket se ky është bashkim.
18. A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?
Mendoj se është dëmtuar. Ne si aktorë e vërejmë këtë ndoshta më shumë se të tjerët.
Njerëzit shumë shpesh dhe pamëshirshëm na thonë se gjoja nuk dimë të flasim gjuhën e standardizuar. Kjo është e vërtetë, por jo edhe e drejtë. A duhet të ekzistojë një standard? Mendoj se po. Por jo kështu siç është imponuar. Duhet bërë ndryshime.
19. Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?
Mbase asaj angleze. Mbase.
20. Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?
Shumë gjëra, por në radhë të parë nivelin e debatit te ne. Këtu politikanët janë yjet e ditës, ata janë të “famshëm”, gjuha e tyre transmetohet te të tjerët, më duket se jemi shoqëri tepër e politizuar, por nuk marrim shumë vesh nga politika.
21. Cili është personi më i rëndësishëm për ju?
Nuk do ta kufizoja në një person përgjigjen. Për mua më e rëndësishmja është familja ime.
22. Cilën apo cilat gazeta të përditshme i lexoni?
“Kohën Ditore” dhe “Zërin”.
23. Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?
E kaltra.
24. Cila lule ju pëlqen më së shumti?
Nuk e di.
25. Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?
Ndoshta të tjerët duhet të flasin për këtë.
26. Cilat virtyte i çmoni te një grua?
Veçanërisht pjekurinë.
27. Cilat virtyte i çmoni te një burrë?
Po ashtu pjekurinë.
28. Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?
Janë dy: Milan Kuçanin e Sllovenisë dhe Stipe Mesiqin e Kroacisë.
29. Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?
Nuk do të veçoja ndonjërin me emër. Janë disa që kanë merita të caktuara për periudha të caktuara.
30. Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këta 20 vjetët e fundit e vlerësoni më shumë?
Kam respekt për Pandeli Majkon; ishte kryeministër gjatë kohës së luftës dhe ideator i rrugës së kombit. Më vonë Sali Berisha e ndërtoi, andaj e çmoj si politikan. Por këto mendime të mia janë më shumë nga prizmi i spektatorit.
31. A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?
Nuk ka asnjë meritë për Kosovën Enver Hoxha. Përkundrazi: ai i ka bërë keq Kosovës.
32. A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?
Jo. As ndryshimet e vitit 1974, as autonomia e Kosovës, nuk ndikuan që të zvogëlohet krimi shtetëror, dëbimi dhe shtypja e shqiptarëve. Pra, për Titon mendoj si për Enver Hoxhën.
33. Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?
Janë dy: Rankoviqi dhe Milosheviqi.
34. Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore, a do t’ju kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?
Sikur të kisha jetuar në atë kohë do të luftoja me atë forcë, e cila do ta bënte Shqipërinë të bashkuar dhe të arsimuar.
35. Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?
Hasan Prishtina.
36. Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?
Ismail Kadare.
37. Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?
Bekim Fehmiu dhe Faruk Begolli.
38. A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?
Në të gjitha demonstratat që në vitet 1997/98 janë organizuar në Gjilan.
39. A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?
Nuk është mit. Kam miq të besimeve të ndryshme dhe mendoj se kjo na bën pozitivisht të dallueshëm si komb.
40. Cila është ëndrra juaj më e madhe?
Tani, si 30-vjeçar, kam ëndrra të tjera në krahasim me të kaluarën. Tani ëndërroj objektivisht. Ëndrrat e mia tani lidhen me familjen, fëmijët, karrierën. Dhe them se nuk janë të paarritshme /koha ditore/



për at plehë nuk duhet as të mendohet.
Publikoni komentin tuaj