Ballina | Intervista | Mr.Ferid Selimi: Politikanët në Preshevë e Bujanoc nuk e kanë lehtë

Mr.Ferid Selimi: Politikanët në Preshevë e Bujanoc nuk e kanë lehtë

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Mr.Ferid Selimi: Politikanët në Preshevë e Bujanoc nuk e kanë lehtë

Intervistë ekskluzive me Mr.Ferid Selimi, politikolog, poet dhe farmacistë, i sukseshëm nga Presheva

 

Po e filloj një hyrje jo të zakonshme në intervistat e mia me një hyrje, që i bëj shumë të rralla, por shpresoj se priten mirë nga lexuesit, ose i ndihmoj lexuesit, që të familjarizohet shpejt me intervistën tonë."Arin ku e njohin, atje e çmojnë". Jam matur disa herë që të realizoj një intervistë me Mr.Ferid Selimin, por e kisha të vështirë të vendosja, jo pse nuk e njihja, por nuk do të kem mundësi të përfundoj ashtu si dua unë, sepse sigurisht më mbeten shumë tema pa trajtuar, sepse Ferid Selimi është i palodhur dhe veprimtar i dalluar, i cili lufton për të mirë nëpër profesione të shumta dhe gjithnjë i suksesshëm. Ferid Selimi është autor i disa veprave dhe gjithnjë shkruan, ai nuk ndalet, sepse përmes shkrimit, e thotë anën joverbale të shpirtit të tij, që vlon, e është një oqean idesh. Nuk e thërret muzën, por ajo vjen vetë ashtu origjinale dhe kështu, me mjeshtri e pranon Feridi dhe e rezervon para lexuesit. Ferid Selimi një kohë ishte edhe kryetar i Klubit letrar "Feniks" të qytetit të Preshevës, ku pati organizuar disa orë letrare, promovime librash si dhe ka mbajtur kontaktet me letrarë të tjerë të të gjitha trevave shqiptare. Ajo kohë kur drejtonte Klubin Letrar ishte vërtetë e rëndë, por Feridi me disa profesorë të tjerë të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Preshevë e profesorë të tjerë si dhe me intelektualë të ndryshëm, i jepnin elan edhe më shumë qytetit tonë dhe jo rrallë, Feridi shprehet se: "Libri ashtë arma e të mençurit". Me një fjalë, Ferid Selimi është personalitet i dalluar nga Lugina, i cili punon në Kosovë dhe i cili nuk mundet të rrijë më shumë se dhjetë ditë pa e parë Preshevën dhe është shumë optimist se do të bëhet mirë. Për të folur me pika të shkurtërta për këtë personalitet është e pamundur përmes pak fjalëve, por shpresoj se lexusit tanë janë tashmë të njohur me punën e madhe që ka bërë dhe që po bënë. Vargjet e tija, shkrimet e tija me ëndje lexohen dhe është autor i disa veprave dhe i cili nuk shikon sasinë por cilësinë, prandaj, vargjet i nxjerr nga shpirti të qëndisura më së miri.

 

Presheva.com: Z. Selimi, fillimisht të falënderoj që ndatë kohë për të bashkëbiseduar. Po e fillojmë bashkëbisedimin tonë, me një pyetje paksa të zakonshme, edhe pse gjatë bashkëbisedimit tonë do të kemi përzierje pyetjesh, sepse jeni veprimtar i dalluar nga Presheva, edhe duke vepruar atëherë kur ishte shumë e vështirë, sidomos në botën e kulturës, që ishte situatë e zymtë në Preshevë. Jeni duke jetuar herë në Prishtinë e herë në Preshevë. A po ju mungon Presheva?

F.Selimi: A po më mungon Presheva?.. Presheva.., s’di pse, por, ja që edhe pse është një vend i vogël, një Kasaba (siç e quan Sami Frashëri në enciklopedinë e tij: Kamus al alam) është një qytezë që të lë mbresa. Të lë pa frymë. Ka një zjarr magjik që  tërheq si vendësit ashtu edhe të huajt (nëse guxoj t’i quaj kështu ata që kanë rastin ta vizitojnë këtë qytezë). Këtë zjarr magjik e kam tentuar ta shtjelloj sado pak edhe në romanin tim “Kujtime të thinjura”. Është një zjarr magjik (kështu së paku e kam emërtuar unë këtë fenomen, që i tërheq preshevarët për t’u kthyer në vendlindje), që as të ngroh e as të djeg. Të mba pezull, kur je larg do të afrohesh, e kur afrohesh të shtyn të ikësh.  E, Presheva, më mungon Presheva, prandaj edhe shkoj shpesh, me përjashtim të vitit të fundit kur më duhej të udhëtoja për në Tiranë, ku i përcjell leksionet e Doktoratës. Përndryshe gati çdo vikend jam i pranishëm në Preshevë. Të mos harroj, atje shkoj jo vetëm për t’u liruar nga përditshmëria kosovare, por edhe për të vepruar, sidomos në botën e kulturës. Edhe më tutje vazhdoj të kontribuoj me aq mundëi që kam, por jo si më parë kur jetoja në Preshevë. Sepse atëherë ishin mundësitë e tjera. Udhëhiqja klubin letrar, organizoja orë letrare e organizime të tjera po ashtu letrare, pastaj me forcat e mia botoja revistën letrare për fëmijë “Kanarina”, edhe pse për shkak të procedurave ligjore, këtë revistë e pata regjistruar në kuadër të Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” të Preshevës, ndërsa tani jam i pranishëm atje, por pak më rrallë, megjithatë jam pjesëmarrës nëpër organizimet kulturore, kuptohet, kur më ftojnë. 

 

Presheva.com: Shpesh po përmendet ndërrimi territoreve, e në këtë rast po pretendohet që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të jenë "kurban" me Mitrovicën Veriore.Çka do të humbas Lugina e Preshevës (Kosova Lindore) apo Peonia Dardane, nëse do të shtrohet në tavolinë ky model zgjidhjeje?

F. Selimi: Kjo që shtroni ju, është shtruar edhe më herët, por jo nga diplomatë e politikanë serioz. Më shumë është shtruar nga analistë të ndryshëm. Aty-këtu ka pasur edhe mendime të disa diplomatëve, por duket që ato të thëna më shumë ishin për të zgjuar politikanët serb nga amullia dhe për të larguar nga oreksi i tyre për Kosovën, sesa të realizohet kjo në të vërtetë. Politika është kjo. Ti do një copë nga tjetri, atëherë duhet të japësh diçka edhe nga copa jote. Çështja e pavarësisë së Kosovës për perëndimin është e mbyllur. Kufijtë janë aty ku janë, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të ndodh edhe ndërrimi i territoreve, edhe pse s’e besoj që Serbia do t’i hyjë kësaj loje. Sepse, derisa në veri të Kosovës gjenden mineralet nëntokësore, nëpër Serbinë e jugut (Presheva e Bujanoci) kalon korridori  i tetë, që Serbinë e lidh me Azinë. Është pra, paksa e komplikuar kjo gjë. Serbia nuk do ndërrim territoresh. Ajo do të marrë një copë nga Kosova. Jo për njerëzit (serbët) që jetojnë në Kosovë, por për shkak të pasurisë nëntokësore të asaj pjese të Kosovës. Sepse po të kishte gajlen e serbëve lokal të Kosovës, atëherë do të gajloseshin edhe për serbët që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës. Nëse veriu i Kosovës ndërrohet me jugun e Serbisë, Serbia, faktikisht nuk fiton asgjë, e humb tepër. Pastaj, ç’të bëhet me serbët e Graçanicës, Çagllavicës, Llaplje Sellës, Fushë Kosovës, Shtërpcës, Gjilanit, Kamenicës, Ranillugut, Parteshit, Pasjanit, etj., mos duhet edhe ata t’i ndërrojmë... ju mbase keni përcjell kohët e fundit daklaratat e politikanëve serb që ndryshojnë dita-ditës. E thashë edhe më parë, kjo është politikë dhe në politikë gjithçka është e mundur, sepse e kemi të dëgjuar që “qëllimi e arsyeton mjetin”. Përndryshe, unë nuk do ta quaja “kurban” luginën e Preshevës nëse i bashkangjitet Kosovës. Asgjë e re nuk do të ndodh, pos që do të riparohet një dëm që i është bërë shqiptarëve të asaj ane. Por, ama, tani lind pyetja tjetër. Sa janë të gatshëm  qytetarët e Preshevës e të Bujanocit t’i bashkangjiten Kosovës? Mbase është pyetje naive, por unë mendoj që politikanët e asaj ane nuk e kanë disponimin të ndodh një gjë e tillë. Ka aty-këtu zëra prej ndonjërit për bashkim me Kosvën dhe Shqipërinë, por ata janë të pakët. Do të humbnin privilegjet që i kanë. Nuk do të jenë më të parët, apo do t’i shteret mundësia e vetëquajturit “liderë”, por do të jenë të ndërvarur prej dikujt, e këtë ndërvarësi, disa prej tyre nuk e durojnë.

 

Presheva.com: A është gabim përmendja e shpesht "Ndërrim territoresh", ku po pranohet, se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, janë të huajat, e kur dihet, se janë toka stërgjyshore shqiptare?

F. Selimi: Jo, jo, Presheva, Bujanoci e Medvegja nuk janë toka të huaja. Ato janë toka të atyre që jetojnë në to. Do të thotë janë toka të shqiptarëve, të serbëve e romëve lokal, pa dallim. Ta zbërthejmë pak këtë. E vërejtët se në dy përgjigjet e para përmenda termin Lugina e Preshevës, ose dy komunat: Preshevë e Bujanoc, Medvegja mungon. Pse në të vërtetë unë kur përmend Luginën mendoj në Preshevë e Bujanoc? Mendoj kështu, jo se përjashtoj Medvegjën, por duhet thënë troç, Medvegja nuk bie në emërtimin Luginë e Preshevës, bile as në emërtimin “Kosovë Lindore”, sepse Medvegja është në anën tjetër, do të thotë që është në kufi me Kosovën, por nga ana e Kamenicës dhe e Podujevës. Medvegja nuk lidhet me Preshevë e Bujanoc as gjeografikisht, por është komunë në Serbi ku jetojnë edhe shqiptarët. Prandaj edhe ne duhet përmendur gjithnjë tri komuna: Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, por kur themi luginë... a Kosovë Lindore, Medvegja përjashtohet nga këto emërtime. Prandaj, sikur që serbët dhe romët e Preshevës dhe të Bujanocit kanë të drejtë ta duan dhe të angazhohen për vendlindjet e tyre, ashtu edhe qytetarët  shqiptarë të Medvegjës kanë të drejtën e jetesës dhe të angazhimit të tyre në atë territor. Tjetër është, që politika ditore po i fut duart gjithkund dhe nuk po i lë qytetarët të shijojnë të mirat materiale që mbase vetë i krijojnë. Shqiptarët e Medvegjës e patën një fat të tillë. U lanë krejt pas dore. Nuk gajlosej kush për ta, kanë apo s’kanë për të ngrënë. Politika ditore në Serbi bëri që qytetarët shqiptarë të Medvegjës të lëshojnë trojet e tyre stërgjyshore pa u hetuar fare, dhe kështu për t’u krjuar kushte  serbëve lokal të bëhen shumicë dhe të udhëheqin institucionet lokale. A duhet përmendur ndërrimin e  territoreve. Unë kujtoj që po teprohet pak me këtë kartë. Mbase ësht vetëm një lojë mediale, a diplomatike.

 

Presheva.com: Na thoni drejt, në këndin tuaj apolitik, si do të ishte më se e drejtë të thirret Presheva, Medvegja dhe Bujanoci?

F.Selimi: Më e drejtë është të thiren me emërtimet që i kanë, do të thotë, nëse nisemi nga veriu për në jug, atëherë duhet thënë: Medvegja, Bujanoci e Presheva, ose nëse nisemi nga jugu për në veri, apo nga komuna që ka më së shumti shqiptarë, atëherë: Presheva, Bujanoci e Medvegja. Sepse, siç e elaborova edhe në pyetjen e mëparshme, të trija këto komuna gjeografikisht nuk bien në emërtimin Luginë e Preshevës, bile me këtë emërtim njihet vetëm Presheva dhe një pjesë e komunës së Bujanocit. Do të thotë, as Komuna e Bujanocit me të gjitha vendbanimet nuk bie në këtë emërtim gjeografik. Të kuptohemi, emërtimi Luginë e Preshevës është më tepër emërtim politik që u plasua më tepër nga ndërkombëtarët, ndërsa emërtimi Kosovë Lindore, ku prapë do të mund të hynin vetëm Bujanoci e Presheva, tani për tani është vetëm një emërtim dëshire jona.

 

Presheva.com: Shkove në Prishtinë, pse nuk u pajtove me ndonjë subjekt politik që vepron atje, apo nuk t’u dha mundësia të jesh pjesë e atyre partive që funksionojnë atje?

F. Selimi: Të jesh anëtar i një partie, është çështje personale dhe dëshirë e vetë individit. Për t’u anëtarësuar në një parti, duhet të pranosh programin dhe statutin e asaj partie dhe pa problem bëhesh anëtar. Por, një gjë duhet thënë hapur, askush nuk të thërret ose nuk të detyron të anëtarësohesh në ndonjë parti. Është punë qejfi. Mund të jesh edhe anëtar pasiv, duke kryer obligimin qytetar në ditën e zgjedhjeve.

 

Presheva.com: Politikë, letërsi, mjekësi, si po shkon e gjithë kjo përzierje profesionesh?

F. Selimi: E  thënë mirë. Gjatë jetës sime kam bërë një bashkëdyzim profesionesh. Së pari kam kryer shkollën e mesme të medicinës, drejtimi i farmacisë. Krejt rastësisht kam bërë zgjedhjen. Si i ri që isha, adoleshent (17 vjeçar), nuk isha i pjekur për zgjedhje të profesionit. Në atë kohë, (bëhet fjalë për fillimin e viteve të tetëdhjeta të shekullit XX), shkollimi i mesëm ishte i orientuar. Pas dy viteve të shkollës së mesme që i kisha kryer në Qendrën Arsimore të Mesme Orientuese (QAMO) “Skënderbeu” në Preshevë, isha në dilemë për vazhdimin e mëtutjeshëm arsimor. Doja dy drejtime: Ndërtimtarinë dhe aktrimin. Që të dyja këto drejtime ekzistonin në Prishtinë. Ishte vetëm çështje kohe dhe vendimin do të merrja. Mirëpo, gjatë një bisede me axhën tim (Abedin Selimi, në atë kohë kryente funksionin e kryetarit të Kuvendit Komunal të Preshevës, ishte viti 1980) më propozoi që të konkurroja në Shkollën e Mesme të Medicinës, përkatësisht në drejtimin e farmacisë në Leskoc. Më erdhi si prej qiellit, por mu duk e arsyeshme. Pranova të konkurroja dhe për fatin tim të mirë më pranuan. Pasi i kreva edhe dy vjetët e fundit në këtë shkollë, u regjistrova në Fakultetin Filozofik (Fakulteti Filologjik i tanishëm) të Prishtinës, në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Edhe pse e kreva fakultetin, vazhdova edhe më tutje të punoja me shkollë të mesme, do të thotë me diplomën e teknikut të farmacisë. Këtë e kisha dhe e kam ende profesion të parë, me të cilin i siguroj të ardhurat mujore (isha punësuar si student i vitit të dytë, së pari në Farmed – Prishtinë, e më pas në barnatoren e qytetit të Preshevës, në njësinë në Stacionin Hekurudhor). Pas dhjetë vjetësh të largimit tim nga vendi i punës si tepricë teknologjike, në vitin 2000 u riktheva në Prishtinë, së pari gazetar në revistën javore Zëri, e më pas për të vazhduar sërish me profesionin e mëparshëm të teknikut të farmacisë. Këtë zanat e kam profesion, ndërsa të shkruarit e kam pasion. Kohë pas kohe paraqitem me ndonjë shkrim autorial. Me politikë, aktivisht  kam filluar të merrem në vitin 1990 kur së bashku me disa bashkëqytetarë të Preshevës. Bujanocit e të Medvegjës, themeluam Partinë Për Veprim Demokratik, (isha njëri nga 22 anëtarët e këshillit nismëtar për themelimin e parties dhe më i riu për nga mosha) prej të cilës parti u largova pas një viti, duke dhënë dorëheqje nga të gjitha postet që i kisha. Jam mbase i vetmi nga të larguarit nga ajo parti që më nuk jam futur në ujërat politike, mendoj aktivisht, sepse pranova unë ose jo, vetë paraqitja me shkrime autoriale e opinione a analiza, më demanton, do të thotë që nëse unë nuk dua të merrem me politikë, politika merret me mua. Këtë e përmenda vetëm sa për të theksuar që isha i involvuar ose desha të involvohem në politikë edhe aktivisht, por... s’di, më duket që kam bërë mirë që jam tërhequr me kohë, edhe pse nga politika duket që fitohet shumë. Më pas regjistrova studimet postdiplomike në Prishtinë, ku magjistrova në Shkencat Administrative-Politike. Tash së voni në vitin akademik 2009-2010 regjistrova edhe Shkollën Doktorale trevjeçare në shkencat e Komunikimit dhe të Informimit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Jam pra në ndjekje të edhe një titulli akademik. Siç e shihni, i kam përzier profesionet, lëmsh i kam bërë, por po ecin njëra përkrah tjetrës. Kështu e paska jeta. Njeriu nuk po ditka të ngopej.

 

Presheva.com: Sa jeni i kënaqur me politikë bërjen në Preshevë?

F. Selimi: Nuk kam të drejtë të flas për politikëbërjen në Preshevë, edhe pse e thashë edhe më lart kohë pas kohe paraqitem me shkrime autoriale ku në thumb i vë mu këto probleme. Por, të gjitha që i kam menduar dhe shkruar, kujtoj që kanë qenë vërejtje, kritika e porosi të sinqerta. Sepse, për ne preshevarët kudo që jetojmë, Presheva na është më e dashur. Por, kujtoj që politikanët në Preshevë e Bujanoc nuk e kanë lehtë, edhe pse ka nga ata që me vite të tëra janë “udhëtarë pa biletë” e ç’do të thotë kjo, e kuptojnë ata që merren me politikë.

 

Presheva.com: Po më herët keni qenë i kënaqur dhe sipas jush, kur ka qenë Presheva më së miri?

F. Selimi: Presheva, prej se e mbaj në mend unë, është udhëhequr nga shqiptarët. Vetëm pas mesit të viteve të tetëdhjeta, sërish Lidhja e Komunistëve i ktheu serbët në fron, për t’u larguar sërish me vullnet të popullit në vitin 1992. Atëherë, PVD që është parti shqiptare i fitoi zgjedhjet (Partia Demokratike Shqiptare i bojkotoi zgjedhjet e para lokale në Serbi). Nuk është për t’u lavdëruar puna më se 12 vjeçare e kreut të PVD-së. Nuk ka ndonjë shenjë që mund të përmendet që është bërë në atë kohë, si p.sh. që përmenden fundvitet e gjashtëdhjeta, vitet e shtatëdhjeta dhe pjesa e parë e viteve të tetëdhjeta të shekullit XX, kur në Preshevë u themeluan shkolla fillore, të mesme, e u ndërtuan godinat e tyre, si dhe godinat e Kulturës, Shëndetësisë, reparte të ndryshme ku punësoheshin edhe shqiptarë të tri komunave (Preshevë, Bujanoc e Kumanovë). Pra, nëse do të më duhej të theksoja se kur ka qenë më së miri, kujtoj që në Preshevë ka qenë më së miri kur është ndërtuar dhe kur janë punësuar të rinjtë. E kjo nuk është bërë viteve të nëntëdhjeta e as tani, sepse pos shkollave ku punësohet një numër i caktuar punonjësisht, në administratën komunale, në Shtëpinë e Shëndetit e në Çerdhen e fëmijëve, kompetenca të tjera nuk kanë komunat në Serbi.

 

"Mbase ndjehemi të ngufatur në hapësirë aq të vogël"

 

Presheva.com: Pse Presheva nuk po i duron intelektualët e rinjë, por gjithnjë po largohen nga ai vend?

F. Selimi: Nuk do të thosha kështu. Presheva i duron si intelektualët e rinj po ashtu edhe të vjetrit. Presheva i duron edhe intelektualët e ardhur. I ka duruar edhe më parë. Në Preshevë kanë jetuar, kanë punuar dhe kanë kontribuar dhe kontribuojnë edhe më tutje qytetarë të komunave të tjera, bile edhe të republikave të tjera të ish Jugosllavisë. Por, jemi ne intelektualët që nuk mund të durojmë ngufatjen. Mbase ndjehemi të ngufatur në hapësirë aq të vogël. Mëgjithatë, Presheva ka mjaft intelektual sa edhe të eksportojë. Nuk është kjo gjë e keqe. Kjo i sjell vetëm të mira dhe përvoja të reja Preshevës.

 

"E mbaj në mend, kur deshi shteti, vetëm në vitin 1986 në Preshevë punësoi rreth 1200 veta"

 

Presheva.com: Mendoni se do të duhej një Dejton i ri për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc?

F. Selimi: Njëherë për njëherë, kujtoj që nuk ka ardhur koha për një Dejton të ri. Së paku nuk shoh ndonjë shenjë që do të mund të më bindte për një hap të tillë. Sepse nuk është duke u punuar në atë drejtim. Më e dobishme do të ishte që të angazhoheshin në përmirësimin e jetës së qytetarëve të atyre tri komunave. E përmirësimi nuk vjen ndryshe pos me investime të reja. E mbaj në mend, kur deshi shteti, vetëm në vitin 1986 në Preshevë punësoi rreth 1200 veta. E këta punëtorë ishin nga disa komuna (Presheva, Bujanoci, Vranja, Kumanova, etj). Prandaj, po deshi shteti dhe pushteti, saora do të përmirësojë jetën e qytetarëve. Kur të bëhet zgjidhja ekonomike e familjeve në këto tri komuna, kujtoj se nuk ka rëndësi ku jetohet, në Serbi, në Kosovë, në Maqedoni, a gjetiu.

 

Presheva.com: Atëherë, cila do të ishte zgjidhja më e mirë e kësaj nyje gardiane që është në këto troje?

F. Selimi: Të jetohet në paqe. Jo të harrohet e kaluara, por të shikohet kah e ardhmja. E ardhmja gjithmonë është shpresë për një jetë më të mirë. E kaluara është e shkuar. E sotmja mbetet e kaluar, ndërsa e ardhmja është për t’u jetuar.

 

Presheva.com: Sa janë unikë preshevarët, bujanocasit e medvegjasit, që jetojnë në Kosovë me vëllezërit tanë të Kosovës?

F. Selimi: Kur është çështja e kombit, e unitetit, kujtoj që duhet shlyer nga fjalori i përditshmërisë përemrat: “Ne” “Ju”, “Ata”, sepse të gjithë jemi “Ne”, s’ka “Ne” e “Ata”, apo “Ju e Ne”. Po deshëm unitet, atëherë jemi të gjithë “ne”, përndryshe, s’ka kuptim emërtimi unitet. Derisa të ekzistojë kjo ndasi nuk do të ketë përparim, as unitet të mirëfilltë, por vetëm unitet deklarativ. Nuk do të ketë pra as unitet të kombit, derisa, ne qytetarët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, të trajtohemi ardhacakë në Kosovë dhe të konsiderohemi të huaj në vendin tonë. E thashë edhe më lart, toka është e atyre që jetojnë në të. Pra Kosova nuk është vetëm e kosovarëve të lindur në Kosovë, por edhe e atyre që janë vendosur dhe punojnë e veprojnë në Kosovë dhe për Kosovën.

 

Presheva.com: Do të duhej që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të jenë më të organizuar në Kosovë dhe të jenë më afër aktualitetit qoftë politik apo kulturor, që zhvillohet në Kosovë?

F. Selimi: Duhet të jenë qytetarë të barabartë në çdo sferë të jetës pa dallim nahije se nga vijnë. Qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës me vendbanim në Kosovë, janë qytetarë dhe shtetas të Kosovës. Duhet të jenë unik që të gjithë. Por, duhet pasur gjithnjë në mend se termi “duhet” ka dallim nga termi “është”. Termi “duhet” mund të mbetet mbase vetëm dëshirë, ndërsa “është” paraqet realitetin. 

 

Presheva.com: Keni drejtuar një kohë edhe Klubin letrar "Feniks" të qytetit të Preshevës. A ka ndonjë lëvzije të mirë letrare në këtë qytet apo ka mbetur një krijimtari provinciale?

F. Selimi: Nuk e di si funksionojnë, sepse tani gati çdo i dyti qytetar – shqiptar ka filluar të merret me shkrime. E bëjnë një vjershë ode dhe e quajnë veten “poet” a “shkrimtar”. Bëjnë një plasim mendimi a sms-je në një faqe interneti dhe bëhen saora “gazetarë”". Krejt çka mund të them për Klubin letrar “Feniks” që dikur e drejtoja me vullnet, është që ekziston, udhëhiqet nga një grup tashmë i përzier krijuesish nga Presheva e Bujanoci, dhe kohë pas kohe organizojnë orë letrare. Por, unë jam larg atyre organizimeve. Me një fjalë, kam frikë se po zhvlerësohen letërsia, arti, muzika. Nuk është më ai arti i mëparshëm kur ekzistonte një kritikë e mirëfilltë, një kriter. Tani është bërë gjithçka tallava, mbase e kam gabim. Do të doja të më demantonte koha.

 

Presheva.com: A ftohen krijuesit nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, në takimet e ndryshme letrare që zhvillohen në Kosovë?

F. Selimi: Varet nga organizimet. Organizimet që i bën Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, i fton anëtarët e vet, por fton edhe krijues mysafirë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja. Tjetër është se kush i përfaqëson pastaj krijuesit e këtyre tri komunave. Atë përgjegjësi nuk e mban organizatori. 

 

Presheva.com: Sigurisht, kur shkon në Preshevë nga Kosova, sheh ndryshime dhe padyshim se ato ndryshime janë, hapje e ndonjë kafiqi.... 

F. Selimi: Po, shoh ndryshime. Ndryshimet janë për të mirë. Ka edhe kafiqe që hapen. Po, ato nuk mund të ndalen. Janë vendtakime të të rinjve. Edhe ata duan të shijojnë disa orë jete në ato lokale. Nuk ka asgjë të keqe, nëse në to nuk punohet diçka në bastardhimin e të rinjve shqiptarë të atyre trevave.

 

Presheva.com: Keni kontakte me deputetin e Parlamentit të Serbisë z.Riza Halimi dhe sa jeni i kënaqur me punën që ka bërë gjatë këtij mandati, pyetja të drejtohet në këndin diplomatik?

F. Selimi: Jo, nuk kam kontakte.

 

Presheva.com: Edhe një parti e re shqiptare në Bujanoc, pritet që të shtrihet edhe në Preshevë. Shpresoni, se do të ketë ndryshime të mira?

F. Selimi: Çdo e re sjell risi. Edhe themelimi i partisë së re jep shpresë që do të punohet më mirë. Kjo do të thotë që njerëzit që kanë qenë të rreshtuar në parti të tjera nuk janë të kënaqur me angazhimin e subjekteve që i kanë takuar, ose për hapësirën e lejuar, andaj edhe preferojnë daljen nga politika e tillë, ose krijimin e mundësive të reja për të vepruar më lirshëm në mënyrë që të bëhen më praktik. Të shpresojmë që do të angazhohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve të asaj ane.

 

Presheva.com: Sikur do të jepet mundësia të inkuadrohesh në jetën politike në Preshevë, do të kishit pranuar?

F. Selimi: Ajo që do të mund të thosha tani për tani është se jam i zënë me projekte të tjera. Nuk e kam menduar një angazhim politik. Nëse, paraqitet nevoja dhe nëse më lejojnë kushtet, mund të mendoj për një angazhim, por, tani për tani kushtet janë të tilla që nuk më bie ndër mend një gjë e tillë.

 

Presheva.com: Funksionojnë ashtu si funksionojnë disa media në Preshevë, si i shihni ato dhe a po i plotësojnë kërkesat e asaj treve?

F. Selimi: Në popull thuhet: “Kush e ka bërë shumë e mirë është, por, për kë e ka bërë edhe më e mirë është!” Ishte shaka kjo. Nganjëherë, kur jam atje i përcjell mediet, si ato të shkruara po ashtu edhe ato audiovizive. Nganjëherë edhe jam pjesë e tyre. Janë në rrugë të mirë për t’u bërë serioze. Ka kohë, ende janë të reja për t’u vlerësuar. Le t’i japim kohë e hapësirë e pastaj shohim...

 

Presheva.com: "Në Preshevë ka qenë mirë dje, është sot, e do të jetë edhe nesër"Kur sipas teje, do të vijnë ditët e mira të Preshevës, që të çlirohet nga lëvozhga provincë, por t’i kthehet truri asaj, apo ajka e intelektualëve, që po dëshmohen në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë?

F. Selimi: Nëse i referohemi një fjale të urtë të popullit që thotë: “Bën edhe pa atë që nuk është”, atëherë nuk kemi pse brengosemi. Ka pasur para nesh e do të ketë edhe pas nesh. Presheva dhe çdo qytet tjetër është me mijëra vite më i vjetër se çdo qytetar i moshuar i atij qytetit. Dua të them që edhe më parë është udhëhequr nga dikush. Por, mënyra e udhëheqjes ndryshon. Në Preshevë ka qenë mirë dje, është sot, e do të jetë edhe nesër. Të mos presim ose së paku të mos shpresojmë shumë në kthimin e trurit. Vetëm nga Presheva nuk largohet ajka. Janë larguar edhe nga qytetet e tjera. Por, ka ajkë në Preshevë edhe më tutje. Tamam puna, po mbeti Presheva të varej vetëm në ata njerëz intelektual që janë larguar, ose i hap krahët vetëm kah ata që kanë shkuar në Kosovë e diasporë. Unë kujtoj që Presheva gjithnjë ka pasur, ka, dhe do të ketë intelektualë të mirëfilltë, që do të dijnë të udhëheqin të gjitha institucionet në atë Komunë.

 

Presheva.com: Pyetja e fundit. Si i shihni organizimet e diasporës sonë në diasporë dhe a po bëhet sa duhet në pritje të tyre nga komuna e Preshevës gjatë pushimeve verore?

F. Selimi: Pak kam njohuri për angazhimet e diasporës. Por me aq sa jam informuar, kujtoj që për kushtet që janë krijuar tani së fundi në diasporë, por edhe në Kosovë e në trojet e tjera ku jetojnë shqiptarët, shqiptarët në diasporë do të duhej liruar nga “miti për vendlindjen”. Mjaftë kanë dhënë. Mjaftë po japin. Kujtoj që ata tani duhet t’u kthehen problemeve familjare dhe t’i përkushtohen jetës në familje. Sepse, vetëm një familje e shëndoshë sjell një shoqëri të shëndoshë. Komunikimi me anëtarët e familjes është shumë i rëndësishëm. Shqiptarët kudo që jetojnë, le të nisin të ndryshojnë mendjen. Le të nisin të ndryshojnë mendimet. Lëtë nisin të ndryshojnë veprimet. Duhet thënë: “S’ka më shikim kah diaspora. Mjaftë më, se i lodhëm”. Patriotizmi patetik ka mbaruar. Euforizmin duhet larguar sa më parë. Le t’i kthehemi realitetit. E realiteti jetësor do që ne të nisim të punojmë për të ardhmen tonë. Mjaftë më me llafe. Mjaftë më me komentime. Bota duhet ndryshuar. E për të ndryshuar, nuk duhet llafe as komentime, por  punë.

Presheva.com: Faleminderit shumë edhe njëherë i nderuar z.Selimi, padyshim, se kemi edhe shumë tema për t’i shtjelluar, por shpresojmë, se edhe herave tjera, do të kemi mundësi bashkëpunimi për tema të ndryshme. 

 

F. Selimi: Faleminderit edhe juve për kohën e ndarë dhe për mundin e bërë.

 

Ishte kënaqësi dhe ju urojmë edhe Juve punë të mbarë. /Intervistoi: Mr.sc.Dashnim Hebibi, Cyrih/

 

 

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (4 Publikuar)

avatar
Driton Salihu 25/08/2011 17:25:47
Kryesia e Klubit Letrar “Feniks”, Preshevë reagon ndaj komentit të komentuesit me emrin Arditi, lidhur me intervistën e zhvilluar nga gazetari Mr. sc. Dashnim Hebibi me Mr. sc. Ferid Selimi, intervistë kjo e zhvilluar më datë 21. 08. 2011.
Kryesia e Klubit Letrar “Feniks” nuk qëndron prapa këtij komenti dhe si të tillë e hedh poshtë këtë koment, nuk gjen diçka që dëmton imazhin e Klubit në të cilin ishte edhe vet kryetar z. Ferid Selimi.
Ne e vlerësojmë punën e ish kryetarit Selimi edhe në kushte të rënda politike ka mbajtur orë letrare, “Takimet e krijuesve preshevarë”, dhe si i tillë ky koment nuk mbështetet nga klubi letrar “ Feniks”. Të gjithë anëtarët e kryesisë: Demush Berisha, Nehat Ramizi, Sadete Presheva, Halim Hasani, Mejdi Shabani, Arsim Halili etj., janë kundër këtij komenti të pabazë…

Kryesia e Klubit Letrar “Feniks”
Preshevë
Bilall Maliqi, kryetar
avatar
kush ke ky 23/08/2011 03:56:42
per cilin "ari" po flet i nderuar z.gazetar?

kish qen e drejte qe te kishit permende ato vlera dhe kontribute ne jeten e Presheves dhe per te cilat e ke emeruar me "ar"
dhe mos i le ne lajthitje lexuesit e Presheva.com.
avatar
ARDITI 22/08/2011 15:00:08
Arditi
I nderuari z. Selimi, me vëmendje prcolla intervisten tuaj , respekte per mendimin tuaj per te gjitha ato qe keni fol, sidmos ne jeten politike. Duket se nuk jam shume dakort me ate qe flet per ceshtjen e KL “ Feniks” sa ke te drejte te kritkosh eshte ceshtje e jote, por a ke argumente te kritkosh sigurisht se jo. Urrejtja juaj patologjike, antinjerzore ndaj njerezve te caktuar ne perberje te klubit , konsideroj se nuk te jep komoditetin e te quajturit intelktual dhe pse vjell helm rreth ketij klubi. Klubi funksion ,me mundesite e veta mban aktivitet po nxjerr edhe revisten “Qendresa” e do te vazhdoj aktivitete edhe me tutje. Tani te vetdijshem se nuk e e kane gjithe ate kapacitet te larte qe jane brenda ketij klubi edhe nenkuptohet, por ne vend qe tu japesh zemer te punohet te behet pak kulture, ju z Selimi me fjalet e tuaja mundoheni qe gjithe cka e bukur te fshihet. Dhe nga concept I beni qe njerzitte dekurajohen te lene shkrimiet dhe ju dhe vetem jut e jeni me I miri dhe me i dalluar ne Lugine dhe se pas teje nuk vje askush. Per deri sa flisni per unitet dhe bashkim me Kosoven, duket se jeni edhe kunder vet Lugines ku me aq tone e lokaliste e ndani Bujanocin dhe anetaret e ketij klubi, Ju nuk keni argumente per te ditur se kush me mire shkruan, sepse nuk i njihni fare ata krijues, qe veprojne dhe cilat jane te arriturat e tyre, flisni ne baze te hamendjes tuaj e ata qe i njihni per inate personale i urreni, pse jane nga malesia edhe ata munde ta bejne art, jo vetem ju qe jetoni ne qytet, prandaj ky fjalor i juaj nencmues per kete klub nuk i ka hije nje intelktuali si ju, nese mund ta quani veten intelektual. Mendoj se fjalorin tuaj duhet ta ndryshoni dhe duhet te keni qasje tjeter per jeten kulturore ne Presheve, duhet ta ndryshoni ne tw kunderten do te jeni nje pseudointelktual ne thonjza .
avatar
alsari 21/08/2011 16:14:32
"Presheva.com: Edhe një parti e re shqiptare në Bujanoc, pritet që të shtrihet edhe në Preshevë. Shpresoni, se do të ketë ndryshime të mira?

F. Selimi: Çdo e re sjell risi. Edhe themelimi i partisë së re jep shpresë që do të punohet më mirë. Kjo do të thotë që njerëzit që kanë qenë të rreshtuar në parti të tjera nuk janë të kënaqur me angazhimin e subjekteve që i kanë takuar, ose për hapësirën e lejuar, andaj edhe preferojnë daljen nga politika e tillë, ose krijimin e mundësive të reja për të vepruar më lirshëm në mënyrë që të bëhen më praktik. Të shpresojmë që do të angazhohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve të asaj ane." - fund i citatit.

Njeriu që ka sens intelektuali nuk paragjykon, niset nga urtia e lashtë sa edhe vet njeriu se është më mirë ta shpresosh të mirën se ta paragjykosh të keqen. Kështu thonë dhe bëjnë të urtit.
Total: 4 | Treguar: 1 - 4

Publikoni komentin tuaj

  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

5.00
Presheva Web Portal