Marrëveshja për menaxhim të integruar të kufijve në favor të integrimeve
Nënshkrimi i marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është, pa dyshim, në favor të të dyja shteteve. Të dyja vendet synojnë integrimet Euro-atlantike, andaj një marrëveshje e tillë, herdokurë, do të ishte e kondicionuar nga Bashkimi Evropian. Vetë fakti, që kjo marrëveshje nisi heqjen barrikadat në veri, tregon një sukses. Paqja dhe lëvizja e lirë janë ndër parimet kryesore të BE-së. Gjithashtu, pranimi i dialogut nga keto dy vende, si mjet për të zgjidh problemet, tregon përkushtiminë dhe gatishmërinë nga të dyja këto, për t’u integruar në Familjen Evropiane. Kosova ka ecur, ndoshta, me hapa të ngadalshëm në drejtim të BE-së, por, për fat të mirë, të gjitha proceset kanë marrë drejtim të duhur integrues. Gjatë gjithë procesit integrues të brendshëm të Kosovës janë dalluar disa faza, të cilat, lirisht, mund të quhen edhe faza integruese Euro-Atlantike. Fal maturisë politike dhe bashkëpunimit të paanshëm me bashkësinë ndërkombëtare, ka bërë, që Kosova, disi, t’i menaxhojë këto konflikte të brendshme, të imponuara nga minoriteti serb në Kosovë. Këtu është fjala për bllokadat, të cilat u larguan nga territori gradualisht, dhe para së gjithash në tri faza, duke filluar nga lindja, e deri në veri të Kosovës, respektivisht në kufi me Serbinë.
Faza e parë shumë e vështirë e pengimit të lëvizjes së lirë në Kosovë, ishte menjëherë pas luftës (1999), ajo e bllokimit e të gjitha rrugëve, të cilat kalonin nëpër vendbanimet serbe në Kosovë. Kjo situatë bëri, që qytetarët e Kosovës, më në fund të humbasin durimin, dhe reaksionet në këto bllokada ishin gjithnjë e me të ashpra. Për këtë arsye patëm trazirat e marsit të vitit 2004, ku pati shkatërrime, djegie, por edhe humbje në njerëz. Pa u ndalur në detajet e trazirave të këtij viti, më në fund u arrit ç’bllokimi i rrugëve, i cili, që nga ky vit nuk ndodhi më në përmasat e tilla. Menjëherë nga kjo situatë filloi integrimi gradual i minoritetit serb dhe zhvendosja e bllokadave në veri të Kosovës.
Pas arritjes së stabilitetit në pjesën dërmuese të Kosovës, pasoj faza e dytë, ku bllokadat dhe provokimet nga grupet paralele filluan përgjatë gjithë lumit Ibër, si dhe urës mbi Ibër, që lidh Mitrovicën jugore me atë veriore. Edhe në këto bllokada e konflikte pati dëme materiale, të lënduar dhe të vdekur. Tendenca për ta bllokuar tërë veriun nga lëvizja e lirë ishte gjithashtu e kotë, sepse kjo, jo vetëm ishte e pamundur për shkak të banorëve shqiptar matanë Ibrit, por kjo ishte edhe në kundërshtim me mandatin e forcave të KFOR-it në Kosovë. Me një bashkëpunim mes bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës, fillon edhe mundësia e lëvizjes së lirë përgjatë lumit Ibër, por edhe në vendbanimet dhe fshatrat shqiptarë matanë Ibrit. Pas kësaj filloj ndërtimi shumë i vështirë i shtëpive në pjesën veriore, por edhe implementimi i ligjit në atë pjesë.
Funksionimi dhe ndryshimi institucioneve të Kosovës në kufijtë e saj verior, ka qenë hapi i fundit dhe i domosdoshmi i qeverisë së Kosovës. Ky veprim i qeverisë është me standardet Evropiane dhe Ndërkombëtare për parandalimin e ilegalitetit, korrupsionit dhe krimit në këtë pjesë të Kosovës. Reaksioni i serbëve, me bllokimin e rrugëve, shkeli edhe një herë, parimet kryesore të demokracisë, KFOR-it dhe Bashkimit Evropian për paqe dhe lëvizje të lirë. Marrëveshja për menaxhim të integruar do ti jep fund bllokadës së fundit, por edhe fazës së fundit të protestave të llojit të tillë në Kosovë. Në të gjithë kufijtë e saj (kësaj radhe edhe në veri) për herë të parë do të menaxhojë Kosova hyrjet dhe daljet, me organet e saj doganore dhe të sigurisë – në bashkëpunim me EULEX-in. Tanimë i mbetet ndërmjetësueses (BE-së), që të garantojë këtë marrëveshje dhe të gjitha marrëveshje tjera. Kosovë i duhet tanimë këtë “spill over” pozitiv ta vazhdojë, me kusht që t’i menaxhoj sfidat e ardhshme , si, fillimi sa më i shpejtë i integrimit të Veriut në shoqërinë dhe institucionet kosovare, në njërën anë, dhe në anën tjetër, paralel, të angazhohet me të gjitha resurset dhe kapacitet politike për integrim të Kosovës në BE dhe NATO.
Shkruan: Muhamet Ilazi*
*Autori është Master of Arts i Univerzitetit të Cyrihut dhe specialist për çështjet e migracionit në Zvicërr



Publikoni komentin tuaj