Montezemolo: Ferrari po pregaditet për fitore
Presidenti i Ferrarit, Luca di Montezemolo është i bindur se Scuderia mundet dhe do të fitojë sërish.
Skuadra italiane kaloi një tjetër vit nën standardet e saj të zakonshme duke arritur vetëm një fitore gjatë sezonit të fundit në Formula 1, në Çmimin e Madh të Britanisë.
Në mungesë të ritmit për të rivalizuar Red Bullin, Ferrari ka mbetur edhe prapa McLarenit duke përfunduar i treti në renditjen e përgjithshme të konstruktorëve dhe në të njëjtën pozitë edhe në kategorinë e ngasësve, me Fernando Alonson. Megjithatë, Di Montezemolo është i përcaktuar se skuadra e tij do të përmirësohet sezonin e ardhshëm.
“Puna është duke vazhduar rreth përmirësimit në të gjitha aspektet, nga dizajni në bolidin e ri deri te puna simuluese, nga përgatitja e pit-stopeve, te starti i garës e të tjera”, tha ai.
“Ne nuk mund të jemi të kënaqur me mënyrën si ka shkuar ky vit, andaj kemi dëshirë të madhe për t’u ngritur sërish, sepse rezultatet nuk vijnë vetë, ju duhet të punoni për to. Nevojitet punë e madhe nga secili. Prapa produkteve të shkëlqyeshme qëndrojnë punëtorë të shkëlqyeshëm. Kemi të gjithë përbërësit për të fituar sërish”, përfundoi ai.



Publikoni komentin tuaj