Ballina | Sport | Automobilizëm | Fernando Alonso: Jeta ime dhe sfidat e mia

Fernando Alonso: Jeta ime dhe sfidat e mia

Madhësia e germave: Decrease font Enlarge font
Fernando Alonso: Jeta ime dhe sfidat e mia

 

Ka një zyrë në Fiorano, shumë pranë shtëpisë së vjetër të Enco Ferrarit. Alonso ndodhet i ulur pranë një tavoline dhe luan me një tufë çelësash. Edhe pse testimet dimërore nuk dhanë rezultatet e para, ai është i qeshur e bën shaka. Ky është sezoni i tij i tretë me Ferrarin dhe padyshim që pritet shumë nga ky pilot. Kryesisht prej tij priten mrekulli. Gjithsesi, vazhdimësia e këtij sezoni të Formulës 1 mbetet ende për t’u shkruar.

Duke parë që ky është viti 2012, ne i kërkuam të na tregojë 12 sfida. Ato që ka përballuar dhe që ka shijuar në të shkuarën, ama. Që kur ishte fëmijë dhe më pas kur u rrit. Nga adoloshenca tek, karriera si pilot. Nga kureshtjet e tij deri tek gatimi. Shumë gjëra thuajse të pathëna. Një kalim nëpër kujtime dhe një diskutim rreth tyre. Gjithsesi, premtimi mbetet i njëjtë…

 

Kur e kuptuat që ishit një nxënës i mirë në shkollë?

E vija re çdo ditë një gjë të tillë. Nëse kishim një problem në matematikë dhe mësuesja na kërkonte ta zgjidhnim vetë, unë isha i pari që ngrija dorën. Por episodin që mbaj mend më mirë ishte në vizatimin teknik. Isha në shkollë të mesme dhe më duhej të bëja një kub, disi të çuditshëm. E fillova dhe e përfundova shumë shpejt. Profesori u çua nga katedra mu afrua dhe më tha: “A mundet ta bësh sërish?”

Më vuri përpara një letër të bardhë dhe më kërkoi ta bëja nga fillimi. Ndoshta mendonte se e kisha kopjuar. E bëra menjëherë, ndërsa të tjerët ende nuk e kishin përfunduar dhe kërkonin nga cila anë të fillonin. Profesori u kthye në katedër dhe më vuri 10. Nuk ishte se e mora atë notë vetëm prej kësaj detyre, por e mora për të gjithë semestrin tremujor, pasi nuk më dha më detyra.

 

Çfarë është miqësia për ju?

Është e vështirë të lidhësh një moment kaq emocional me shpjegime të sakta. Nuk është e thjeshtë të kuptosh se cilin apo cilën nuk ke ndier brenda vetes. Unë kam një mik shumë special, e kam pasur që në shkollë, pasi që në atë kohë ishte shoku im më i mirë. Nuk ishim parë për pesë apo gjashtë vite, pa pasur ndonjë motiv personal apo të veçantë. Por një ditë e mora për t’i kërkuar një nder personal, kur isha 17 apo 18 vjeç. Dhe ndodhi njësoj sikur nuk ishim shkëputur asnjëherë. Me sa duket, ishte vazhdimësia e miqësisë, gjithçka u bë pa kërkuar shpjegime, ishte për nder të miqësisë së mëparëshme. Aty e kuptova se çfarë është miqësia e vërtetë. Tani jam i famshëm dhe kam shumë njerëz që më qëndrojnë pranë, por nuk do ta përjetoj më kurrë atë lloj lidhje. Në jetë nuk mund të kesh më shumë se tre apo katër miq të afërt. 

 

Dini edhe të gatuani…?

Më pëlqen ushqimi, por vetëm disa gjëra. Nëse dikush vjen me mua në një restorant, kupton se nga gjithcka që mund të ketë një menu, mua nuk më pëlqen më shumë se 10%. Por babai im gatuan shumë mirë. Kam pasur përpara syve një shembull shumë të mirë që kur kam qenë i vogël. Mamaja ime përgatiste drekën, ndërsa babai darkën. Kështu për mua ka qenë normale që të mendoja se një mashkull mund të gatuajë. Kur më pas shkova të jetoja në Angli dhe në Zvicër, gatuaja vetë gjithmonë. Në fillim bën disa prova derisa në fund arrin të nxjerrësh një pjatë tënden. Më shumë se shijet më pëlqen kreativiteti, paraqitja e ushqimit në pjatë dhe ngjyrat. Ndoshta nuk është e mirë kjo gjë, por paraqitja ndikon shumë. Cila është pjata ime më e mirë si shef kuzhine? Sigurisht “paella” (ushqimi tradicional valencian apo spanjoll). Përndryshe çfarë spanjolli do të isha? 

 

Jeni i suksesshëm me femrat? 

Në fillim nuk kisha shumë femra, si të gjithë. Gjithmonë më shumë flisja sesa bëja. Le të themi që tani situata është përmirësuar pas fitimit të titullit kampion. Pra, dua t them se suksesi im me femrat është relativ, në bazë të rezultateve të mia në gara. Të gjitha ato që unë pëlqeja përpara këtij momenti, nuk më ecnin fare, gjërat më shkonin keq. Pastaj më vinte inat. Kur u shpall kampion bote, bezdisesha dhe kjo gjë nuk më bënte mirë. Gjithsesi, provova një lloj eksperimenti të veçantë, një vëmendje që nuk e kisha pasur më parë.

 

Jeni një pilot i guximshëm…?

Është e lehtë të mendosh kur bisedon për parakalime të bukura apo të rëndësishme. Por klasifikimi që ke brenda vetes është i ndryshëm nga ai klasifikim që kanë tifozët e tu, që e shohin nga jashtë. Kanë më shumë vlerë garat kur paraqitjet e tua kanë qenë jashtë normales. Shumica e tyre lidhen edhe me problemet mekanike që mund të kesh pasur, gjë që nuk shihet nga jashtë. Çmimi i Madh i Malajzisë në vitin 2010 është një shembull shumë i mirë. Menjëherë m’u prish freksioni dhe Ferrari im nuk i ulte menjëherë marshet. I afrohesha kthesës, frenoja fort dhe më pas futesha si i çmendur, se nuk uleshin marshet. E mbyllët, apo jo? Në mënyrë instinktive i dhashë një kolpo gazit dhe marshi lëvizi. Edhe në kthesën pasardhëse ndodhi e njëjta gjë. Për 60 xhiro, frenoja dhe hapja gazin për të ndryshuar marshet në atë formë. Gjithmonë futej marshi më i ulët. Humbisja 6 të dhjetat për xhiro, por teorikisht e përfundova garën, pavarësisht se 2 xhiro nga përfundimi theva motorin dhe, nga vendi i 9-të që isha, u rendita i 13-ti. Nëse do të ishte ende Fernando i viteve të para kur fillova këtë sport e do të shihja që marshet nuk lëviznin mirë, do të hapja krahun e do të zbrisja nga makina. Por këtë herë u tregova i zoti.

 

U shpallët kampion bote…?

Mes viteve 2003 dhe 2004 arrita të fitoja vetëm një garë me Renault-në, por në fund ishim 100 pikë larg Ferrarit dhe McLaren-it. Me kalimin e kohës fillova të ngjitesha në podiume dhe të kryesoja garën për disa xhiro. Nëse arrin në çdo fundjavë të kesh këtë ritëm, kupton brenda vetes se ke arritur të kalosh në një tjetër nivel dhe çdo gjë bëhet e mundshme. Më pas kupton se me ndryshimin e rezultateve ndryshojnë edhe pritshmëritë e tua bashkë me besimin. Ndryshon edhe mënyra e të menduarit, vëmendja e njerëzve, e mediave dhe e sponsorëve. Ke një tjetër respekt edhe nga kolegët e tu. Të gjitha këto janë detaje që njerëzit nuk i shohin. Këto ndodhin më shumë në provat e lira të ditës së premte. Sigurisht, kur del në pistë nuk është se e shihnin makinën time si një Ferrari që dilte në pistë me Shumakerin, por vëmendja ishte. Në ato momente e kupton se shumë gjëra kanë ndryshuar.

 

Më pas edhe jetesa nuk ishte më normale…?

“Gjithmonë në vitin 2003. Pole position-i i parë që arrita në Malajzi. Më pas, në garë kryesova për disa xhiro dhe e përfundova atë Çmim të Madh në podium. Pak muaj më parë erdhi suksesi im i parë në Hungari dhe situata ndryshoi menjëherë. Vëmendja ishte shumë e madhe dhe fytyra ime ishte shumë shpesh nëpër gazeta, revista apo televizione. Më njihnin të gjithë, kudo. Gjithmonë kishte ndonjë njeri jashtë shtëpisë time që kërkonte ndonjë autograf, kapele apo foto. Në fillim mendova se gjithçka lidhej me interesin e momentit. Por kalonin muaj dhe gjendja ishte njësoj, gjithmonë kishte njerëz jashtë shtëpisë time. Atëherë mendova se kjo është pika ku nuk do të kishte më kthim. Amen! Nuk më rëndonte, por thjesht u shokova disi. Megjithatë, ndihem i lirë në disa vende të botës. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, mund të bëj një jetë prej anonimi. Për Vitin e Ri kalova 6 ditë në Kolorado, duke bërë ski dhe ishin gjashtë ditë shumë normale. Atje jetoj në mënyrë perfekte. Ndërkohë që poshtë tavolinës më duhet të futem vetëm në fundjavat e garave, pasi në të gjitha hotelet pranë pistës ka njerëz të Formulës 1 dhe tifozë. Kështu ndodh edhe në vende si Italia, Anglia, dhe Spanja, ku ndiqet shumë ky sport dhe ka vëmendje të veçantë.

 

Arrini ta pajisni një shtëpi vetëm…?

“Ah, këtë gjë e bëj prej pak kohësh Në Angli e gjeta unë shtëpinë, por kishte gjithçka brenda. E njëjta gjë ndodhi edhe në Zvicër, mora një shtëpi e cila kishte gjithçka të mjaftueshme brenda për të jetuar. Ndërkohë përpara dy vitesh mendova se kishte ardhur momenti që të bëja një shtëpi timen me të gjitha gustot e mia. Do të zgjedh vetë se çfarë më pëlqen dhe çfarë më duhet. Shumë e rëndësishme ishte që të kisha një garazh të madh për të futur të gjitha makinat Brenda. Për të tjerat nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë. Më interesonte të kisha një palestër dhe një pishinë në shtëpi. Të gjitha këto pa dyshim që duhej të ishin brenda normës së privatësisë sime. Do të më pëlqente të shkoja në një palestër normale dhe publike, por nuk do të arrija të bëja dot atë që më duhet të bëj, pasi do t’i kem të gjithë njerëzit te koka.”

 

Mendoni se paratë nuk kushtojnë sa gjithçka?

“Ndoshta dikur kushtonin më pak. Jam rikthyer të jetoj në Spanjë. Tani paguaj rreth 50% taksa dhe kështu që jam i detyruar të heq dorë nga shumë para. Megjithatë, kam kuptuar që cilësia e jetës është shumë e rëndësishme. Për të gjithë vitet e jetës që më presin, preferoj t’i jetoj pranë prindërve të mi dhe pranë njerëzve që më rrethojnë. Ndihem shumë më mirë me to sesa në ndonjë vend tjetër të botës, ku nuk ndihem kaq mirë. Të mbyll jetën time me shumë apo me pak para në llogarinë bankare, kjo pak rëndësi ka.”

 

Ju dini të fitoni një grup dhe ta “tërhiqni”…?

“Gjithmonë.  Nuk është diçka që më është dashur ta kuptoj, e kam ndier menjëherë. Një gjë të tillë e ndjeja që kur isha fëmijë, në moshën 10 apo 11-vjeçare. Gjithmonë kisha tendencën të sillesha si lider. Zhvillonim ndonjë lojë futbolli dhe unë mund të mos njihja asnjërin, por vetëm pas pak minutash lojë të gjithë më vinin nga pas dhe ndiqnin këshillat e mia. “Unë po vendosem këtu, ti shko nga e djathta, pasi duhet të mbash atë kundërshtarin që vjen nga e majta.” Pra, komandoja kështu. As nuk e dija se cilët ishin ata që po luanin me mua, por kisha tendencën të udhëhiqja të gjithë. Por më pëlqente kur më dëgjonin. Pasi të gjithë mund të provojnë të komandojnë, por nuk ta vë veshin askush. Mund të thuash ç’të duash, por kur nuk të dëgjojnë…E shihja që ishin disi “të terrorizuar” nga mënyra se si u flisja dhe nga ajo që po u thoja, pasi ishte bindëse. Nuk kishin rrugë tjetër, vetëm të më ndiqnin, pasi edhe mund të nevrikosesha.”

 

Keni arritur të “rifitoni” babanë…?

“Kur fitova Çmimin e Madh të Hungari, që ishte gara e parë që fitoja, në vitin 2003, ishte shumë bukur të shihje njerëzit që gëzonin, sidomos pjesëtarët e familjes sime. Do doja të veçoja gëzimin e babait tim. E ndjenim të gjithë që ishte një moment i veçantë dhe i rëndësishëm. Të gjithë e ndjenim që ishte një moment i veçantë dhe që nga ai moment deri në fund mund të bëja ç’të doja, pasi gjithsesi, kisha arritur të fitoja një Çmim të Madh në Formulën 1. Ishin krenar për mua. Kisha 11 vite që kur kisha filluar të garoja nga kategoria Kart, duke u spostuar nga Madridi në Barcelonë. Kur isha në moshën 13-vjeçare, shkoja thuajse çdo fundjavë në Itali, po me makinat Kart. Ndërkohë, rezultatet e shkollës nuk kishin më ritëm shumë pozitiv. Ndërkohë, prindërit e mi, me notat që u çoja në shtëpi, ishin të kënaqur. Aty u duk që e kisha “rifituar” babanë.

 

Jeni i fortë në llogaritë ekonomike?

“Le të themi se ishte një sfidë personale, që unë arrita ta fitoja. Megjithatë, di të bëj llogari dhe nuk është se më paguajnë keq. Pra, dua të them se për të bërë llogari nuk vonohem më shumë se 30 sekonda. Sa u përket parave të mia, ia lë të merret gjithmonë babai im dhe menaxheri. Ai kur ka ndonjë gjë të rëndësishme, shkëputet çdo 10 minuta dhe komunikon në telefon, por me babain tim jo me mua. Unë jam shumë i qetë nga kjo anë, pasi besoj se të përpiqesh të gënjesh babanë tim për këtë çështje, është një gjë shumë e gabuar. Këtë gjë e kanë kuptuar të gjithë, sidomos ata të McLaren-it.

 

atikulli

Regjistrohuni për komente Komente (0 Publikuar)

Total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin që shikoni në imazh:

Captcha
  • Dërgo email miqëve Dërgo email miqëve
  • Verzioni për printim Verzioni për printim
  • Vetëm tekst Vetëm tekst

Vlerëso këtë artikull

0
Presheva Web Portal