Real Madrid me rekord golash: 100 gola në 30 ndeshje
Në fitoren me rezultat të thellë 5-1 në udhëtim te Osasuna, Real Madridi arriti në kuotën e 100 golave pas 30 xhirosh në La Liga. Shifër rekorde nga skuadra e Jose Mourinhos. Megjithatë, atyre u nevojiten edhe shtatë gola për të arritur rekordin e klubit, të regjistruar gjatë sezonit 1989-90 nga skuadra e John Toshackut.
Real Madridi vazhdon të arrijë rezultate të shkëlqyeshme. Gjiganti madrilen ka shënuar 100 gola pas 30 xhirosh në La Liga dhe është në rrugë të mirë të thyejë rekordin e klubit prej 107 gjatë sezonit 1989-90.
Në fitoren e thellë 5-1 në udhëtim te Osasuna të shtunën mbrëma, ekipi i Jose Mourinhos mbërriti në kuotën e 100 golave. Nga dy të realizuar nga Cristiano Ronaldo dhe Gonzalo Higuain, si dhe një tjetër nga Karim Benzema përmblodhën kuotën jubilare për gjigantin madrilen.
Asnjë ekip tjetër në histori të Kampionatit spanjoll, nuk ka arritur të realizojë 100 herë pas vetëm 30 ndeshjesh. Barcelona e Pep Guardiolës më herët mbante rekordin e arritjes së treshifrorit të golave pas 34 takimeve.
Megjithatë, skuadrës aktuale të Mourinhos i nevojiten edhe shtatë gola për të thyer rekordin e ekipit të John Toshackut që kishte realizuar 107 herë gjatë sezonit 1989-90 kur fituan titullin e kampionit në ligë nën drejtimin e trajnerit uellsian. Reali, me fitore ndaj Osasunës ruajti epërsinë prej gjashtë pikëve ndaj përcjellësit të parë, Barcelonës, që fitoi në shtëpi 2-0 ndaj Athletic Bilbaos.



Publikoni komentin tuaj